“ Akademite e tjera? Sejcili të bëjë atë punë që ka për detyrë e qe mund te beje”

    617
    Sigal

    INTERVISTA/ Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj: “ Akademia e Shkencave  ne  100 Vjetorin e Pavaresise në pritje për fonde nga Qeveria”

    Prof. Dr. Gudar Beqiraj, Kryetari i Akademisë së Shkencave  të Shqipërisë, kohët e fundit është anëtarësuar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Europës. Muajin e fundit, kontributi i tij shoqëror është vlerësuar me titullin e madh “ Ambasador i Paqes”.  E megjithatë, në intervistën për “Telegraf”, Prof.Dr. Gudar Beqiraj, në fund, shprehet me një emocion që rrjedh nga ndjenjat, për vlerën më të madhe të jetës së tij. Cila është kjo vlerë? Arritjet shkencore? Vlerësimet dhe titujt shkencorë? Gjithsesi, jo. Edhe zëri i dridhet, sa përshkruan me fjalë lumturinë e tij personale. Është kjo ndjenjë shpirtërore, që njerëzit e mëdhenj i bën të duken edhe më të njerëzishëm. “Jam i lumtur, që më është realizuar ajo ëndërr që kisha. Që nipi im, djali i vajzës, që është rritur me mua e tim shoqe, është bërë sportist. Kjo është një nga arritjet e mia më të mëdha të jetës time. Është bërë një notar i shkëlqyer. Ky është një nga vlerat e mia më të mëdha të jetës time”.

    – Prof. Beqiraj, ju falenderojmë për kohën që na kushtoni. Mund të na jepni një panoramë të aktiviteteve dhe të veprimtarisë së Akademisë së Shkencave  te Shqiperise në kohët e fundit?

    – Akademia e Shkencave e Shqipërisë është institucioni, që sipas  ligjit të saj, realizon rolin  kordinues në projekte të ndryshme, në  problematika të fushës së shkencave, në bashkëpunim me institucione të arsimit të lartë, institutive shkencore apo dhe dikastereve që lidhen me to.  Akademia e Shkencave, tashme si  Akademi pa institute, që  pas vitit 2008,  e ka zhvilluar aktivitetin e saj, duke  bashkëpunuar me institucione të tjera shkencore,  mbështetur kurdoherë në punën e akademikëve të saj. Në këtë aspekt, Akademia e Shkencave ka një bashkëpunim të frytshëm me Universitete të  ndryshme të Shqipërisë po dhe jashtë saj.  Gjithashtu, ka bashkëpunime  edhe me institucione jashtë Shqipërisë.  Më  i realizuari është ai me  Akademinë e Shkencave dhe Arteve  të Kosovës. Mund të përmend edhe bashkëpunimet  me Akademinë e Shkencave të Maqedonisë,  Malit të Zi,   Italisë,  Austrisë,  Gjermanisë,  e me rradhë, me institucione të tilla homologe. Një tjetër bashkëpunim,  që ia vlen ta përmendim, është ai me Akademinë e Shkencave  dhe  Arteve të Europës, ku ne jemi anëtare e saj dhe njëkohësisht ajo ka  kontribuar fuqizimin e lidhjeve te  Akademise tonë  me akademitë e tjera të Europës.

    – Duke qënë koherentë me zhvillimet aktuale të kohës, cilat janë ato probleme, të cilat shtrohen për t’u trajtuar  nga Akademia e Shkencave e Shqiperise?

    – Probleme Shqipëria, siç dihet ka shumë.  Akademia e Shkencave e Shqiperise ka në gjirin e sa personalitete të fushave të ndryshme që kontribuojnë me punën e tyre në zgjidhjen hera herës të këtyre problemeve.  Në bashkëpunim me homologen tonë të Malit të Zi  u  realizua  konferenca shkencore ndërkombëtare për problemet e liqenit të  Shkodres dhe lumit të Bunës. Të njëjtën gjë duam të realizojme me Akademinë e Shkencave të Maqedonisë për Liqenin e Ohrit. Konferenca të fushave të ndryshme me objektiv ngritjen e problemeve apo dhe dhënien e zgjidhjeve për to janë realizuar për ekonominë, bujqësinë,mjeksinë, drejtesinë, pemtarinë, vreshtarinë, e të tjera.  Akademia është mbështetëse edhe e inisiativave të individëve po të grup individësh për probleme që ivlejnë shkencës, kulturës apo ekonomisë së vendit. Dua të përmend mbështetjen për iniciativën për pastrimin  e lumit të Bunës nga anijet e mbytura para kusht ky për të kaluar në projektin e bërjes së lumit  Buna të lundrushëm.

    – Cila është strategjia e Akademisë për 100 vjetorin e Pavarësisë?

    – Nuk bëhet fjalë për strategji, por për një axhende  konferencash, botimesh, promovimes dhe pse jo festimesh. Akademia e Shkencave, që në fillim të këtij viti vendosi  që të  organizojë një konferencë jubilare  në 26 nëntor, ku padyshim peshën kryesore te kumtesave do ta mbajnë figura të rëndësishme të historisë. Eshte konceptuar të jetë një  një konferencë sa më cilësore ndaj dhe janë përzgjedhur figura të shquara të shkences dhe artit si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

    – Çfarë të reje do të sjellë dhe do të trajtojë kjo konferencë, të cilët ju e cilësuat, jubilare?

    – Me siguri që mund të ketë edhe të reja në aspektin historik, sepse kësaj teme do t’i mëshohet, qëndra e gravitetit do të jenë problemet historike dhe le të presim nga personalitetet e kësaj fushe, siç janë Niko Pano nga Amerika, Michael Shmidt nga Gjermania, Ben Fisher nga Amerika, Francesko Altimari nga Italia, Ismail Kadare, Xhaferri , si edhe disa nga historianët tanë  të njohur, të cilët, duke patur parasysh vlerat e mëdha të këtij jubileu, padyshim që do të kenë edhe fakte të reja, apo edhe ngjarje, të cilat nuk janë trajtuar më përpara.  Për Akademinë tonë ka edhe një koiçidencë, mund ta quajmë edhe një lloj fati, në 10 tetor Akademia e Shkencave feston 40 vjetorin e themelimit të saj, ku në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe arteve  të Europës dhe personalisht me presidentin e saj, Prof.  Felix Unger, do të organizojmë një festë jubilare, ku do të ftohen 52 presidentë e Akademive të shkencave të Europës. Për këtë ngjarje kemi marrë edhe mbështetjen e kryeministri Berisha në takimin që ai pati në Tiranë me Presidentin Unger. Kjo ngjarje padyshim do të shenojë një stad të ri në bashkëpunimet tona.

    – Si do ta vlerësonit ju rolin dhe kontributin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në integrimin e Shqipërisë në BE?

    – Në fakt probemi është i gjerë. Parësorja e rolit dhe e kontributit të Akademisë, është që akademikët marrin pjesë në  konferenca shkencore ndërkombëtare , ku paraqesim punën  e tyre, pse jo dhe ecurine tonë drejt Europës. Nga ana tjetër anëtarë të Akademisë tonë janë personalitete tashmë të fushave të ndyshme në vende të ndryshme të Europës e më gjerë, si për shembull mjeksia,bujqësia, elektronika, e të tjera. Para një muaji, në një konferencë  shkencore ndërkombëtare në Ohër, akademikët tanë mbajtën kumtesa me  mjaft interes. Një tjetër kontribut, është bashkëpunimi  ynë me akademitë dhe akademikët e vendeve të tjera.

    Një nga sfidat që është shtruar, për rrethanat kohore, është edhe rishikimi i historisë shqiptare. Megjithatë, aktualisht, për këtë nevojë, për rishikimin e historisë sonë flasin më shumë politikanët, përcaktojnë politikisht, jo vetëm kriteret e rishikimit, të ribërjes, por edhe si duhet ta perceptojmë. Ju këtë, si e shpjegoni?

    – Nëqoftëse më keni dëgjuar, unë gjithmonë kam thënë, kur bëhet fjalë për histori, për fusha të tjera, që nuk janë të afërta me fushën time që pra matematikën apo informatikën, unë  nuk flas. Le të flasin ata që janë njohës, specialistë, historianët, në rastin e historisë. Kjo është filozofia ime. Nuk mund të gjykoj për politikanët, mbase politikanët kanë detyra më shumë se çmund të ketë Kryetari i  Akademisë së Shkencave, mbase u takon për t’u folur. Unë, ju thashë, nuk dua t’i gjykoj, mund të jetë vërtet detyrë e tyre,  jo për të ndryshuar se nuk ju takon atyre, por për të dhënë orientime, pse jo.

    – A është kristalizuar,  një bashkëveprim, një strategji e Akademisë së Shkencave për të patur një rol aktiv në rishikimin dhe rishkruajtjen e historisë të Shqipërisë?

    Jo, ky problem, të paktën për momentin, nuk është disktutuar, në  Akademinë e Shkencave dhe as na është kërkuar  ndërkohë që ka një institut historie, që tashmë nuk bën pjesë në Akademinë e Shkencave, por në Qendrën e Studimeve  Albanologjike.

    Debati i gjuhës shqipe, sa vjen dhe merr tone oponence midis palëve. Cili është pozicioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë?

    Pozicioni i Akademisë së Shkencave në këtë debat është pozicion institucional. Po funksionon tashmë Këshilli Ndërakademik i  Gjuhës Shqipe. Le t’ja lëmë këtij këshilli profesionistash te merren me këtë punë.

    – Mendimi juaj, cili është?

    – Mendimi im si qytetar është  të përvehtësojmë mirë standartin, kjo  sidomos për të rinjtë dhe të mos lejojmë prishjen e tij me futje pa kriter të fjalëve të huaja.   Unë mendoj, që për ne shqiptarët, ky është shqetësimi më i madh për gjuhën tonë. Ne, këtë cilësi standarti që kemi arritur deri këtu, ta ruajmë, ta mbështesim dhe nëqoftëse nga gjuhëtarët lind problemi që diçka duhet të ndryshojme, që ta pasurojmë gjuhën, ta përsosim, le ta bëjmë, për të mirën tonë të përbashkët.

    Cili është qëndrimi juaj për nevojën, nëqoftëse shtrohet, të një unifikimi të Akademive shqiptare, në një Akademi të mbarë kombit shqiptar?

    Absolutisht nuk jam që të kemi në këto momente unifikimin e Akademive shqiptare. Vërtet, disa gjëra i kemi të përbashkëta, jemi një komb, por ama, kemi edhe problematika të ndryshme. Për momentin, unë them të forcojmë bashkëpunimin, sidomos me Akademinë e Shkencave të Kososvës, që për mendimin tim, është një bashkëpunim i shkëlqyer.

    – Kohët e fundit, ju, Profesor, jeni pranuar edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Europës. Ju, personalisht, si e vlerësoni këtë nder që ju bëhet?

    Është kënaqësi që për punën njeriu merr një vlerësim, jashtë vendit të vet. Ky vlerësim është rezultat, jo vetëm i punës time, por edhe i gjithë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

    Duke e parë, përtej kuntureve personale, ky anëtarësimi juaj në Akademinë e Shkencave dhe Arteve  të Europës, çdo të thotë?

    Për mua do të thotë vlerësim për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ky anëtarësim, është konsideratë, vlerësimi i punës të të gjithë akademikëve  shqiptarë.

    A ndjeni konkurencë me Akademinë tjetër shqiptare dhe cilat janë raportet midis jush?

     Akademia e Shkencave e Shqipërisë në moton e saj nuk ka konkurencën, por bashkëpunimin. Nëqoftëse ka institucione që krijohen  për të ndërtuar diçka të mirë për vendin, qofshin këto edhe akademi të reja, janë të mirëpritura.  Unë dhe Akademia që përfaqësoj, gjithmonë jemi të hapur për të bashkëpunuar, jo vetëm me akademi, por edhe me çdo lloj institucioni, pavarësisht nga emri, por që kërkon të bëjë punë të ngjasme me ne.  Sa më shumë të tilla të kemi, aq më mirë. Sejcili të bëjë atë punë që ka për detyrë të bëjë e që mund ta bëjë.

    – Ekzistenca paralele e disa akademive, dëmton?

    – Unë them se kjo veçse ndihmon. Nëqoftëse kjo bëhet në dëshirën e mirë, për diçka që në momentin e caktuar Akademia e Shkencave mund të mos e bëjë. Këtë vit Akademia e Shkencavekishpër botim një fond relativisht të vogël. Ne parashikuam, që me ato pak lekë, të botonim vetëm një libër, “ Fjalori shpjegues i Botanikës”. Një lloj bible për botanikën dhe kishtë kohë që ky libër priste rradhën për t’u botuar. Mundësi të tjera financiare nuk kemi, edhe pse kishim emergjencë për të botuar një album përgatitur nga historiani Kristo Frashëri, për Ismail Qemalin. Me ndihmën e bashkëpunëtorëve të Akademisë, ne arritën që këtë libër ta shtypnim në Itali.Pokështu, kishim dëshirë të botonim librin tjetër të Kristo Frashërit për Lidhjen e Prizrenit, dhe ta kishim gati për 134 vjetorin e saj, Ja arritëm kesaj, me ndihmën e një universiteti privat.  Poqe se akademitë e tjera që krijohen, kanë mundësi të bëjnë gjëra të tilla, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Le të bëhemi pra plotësues të njëri tjetrit për të mirën e përbashkët.

    Prof. Beqiraj, muajt e fundit jeni nderuar edhe me titullin “Ambasador i Paqes”. Është një tjetër vlerësim i madh që i bëhet kontributit tuaj, përtej caqeve të Shqipërisë.

    – Është një vlerësim jashtë sferës së shkencës, jam ndjerë vërtet mirë, kam ndjerë krenarinë që në jetën time  më është shtuar një vlerë nga ajo punë që unë gjithë jetën time kam bërë në mënyrë vullnetare. Veç peshëngritjes, ku kontriboj 40 vjet, unë  për 20 vjet jam vullnetarisht president i fondacionit Ryder,  i cili ndihmon të sëmurët me kancer. Kemi ndihmuar qindra pacientë. Ky titull, më ngacmon në sedër për të punuar akoma edhe më tepër. Filozofia e jetes time permblidhet ne fjalët që m’i thoshte gjyshja kur isha   vogel: “ Lutju zotit, çka ke përreth, të jenë ma mirë se ti”.

    Francesko Altimari për debatin e gjuhës shqipe, pak per te qeshur

    E  pyes Francesko Altimarin, një nga specialistët arbëresh të gjuhës shqipe, për një debat që u bë në keshillin ndëakademik të gjuhës shqipe: “ Hë, si shkoi mbledhja?” . “ Mirë, ore, mirë. Shumë mirë shkoi, më tha. Diçka për humor. Po diskutonin si t’i themi” Shtëpi, apo shpi?  Dhe unë u thashë. Thoni ore, si të doni, në daç shtëpi, në daç shpi. Vetëm kujdesohuni, që të jetë e mbuluar e të mos hyjë shiu brenda”.

    – Pozicioni i Akademisë së Shkencave në këtë debat është pozicion institucional. Po funksionon tashmë Këshilli Ndërakademik i  Gjuhës Shqipe. Le t’ja lëmë këtij këshilli profesionistash te merren me këtë punë.

    Le të flasin ata që janë njohës, specialistë, historianët, në rastin e historisë. Kjo është filozofia ime. Nuk mund të gjykoj për politikanët, mbase politikanët kanë detyra më shumë se çmund të ketë Kryetari i  Akademisë së Shkencave, mbase u takon për t’u folur. Unë, ju thashë, nuk dua t’i gjykoj, mund të jetë vërtet detyrë e tyre,  jo për të ndryshuar se nuk ju takon atyre, por për të dhënë orientime, pse jo.

     – Ju faleminderit!