Akademik Alfred UÇI/ Skicë-platformë për reformimin, riorganizimin dhe modernizimin e Akademisë së Shkencave

    397
    Sigal

    Dje gazeta “Telegraf” ka bërë të ditur prapaskenat që janë bërë dhe bëhen në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nga emra të rëndësishëm të botës akademike, në lidhje me emërimin antiligjor e të komanduar të Kryetarit të ASH-së, Akademikut Myzafer Korkuti (si kandidatura e vetme për këtë post). Gjithashtu në numrin e djeshëm u botua dhe promemoria, dërguar Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Parlamentit Meta, nga Profesor Alfred Uçi dhe shkrimtari Dritëro Agolli. Në vijim, sot gazeta boton të plotë, platformën për reformimin, riorganizimin dhe modernizimin e ASH-së, e bërë prezente para disa kohësh në qarqet akademike, politike dhe intelektuale nga akademikë dhe intelektualë të shquar të vendit tonë.

     Skicë-platforma

     I. Në kohën e tanishme është bërë nevojë e ngutshme që të reformohet, të riorganizohet dhe të modernizohet Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me qëllim që t’iu afrohet kërkesave të BE për reformimin e strukturave të institutioneve të vendit tonë, me qëllim që të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, duke organizuar, drejtuar dhe përkrahur veprimtari të shumëllojta shkencore e kulturore krijuese, institucione dhe studiues të shquar në dobi të interesave kombëtare, të prosperitetit dhe të progresit në rrugë demokratike të shoqërisë. Në periudhën e tranzicionit është ngritur herë pas here ky problem, por “reformimi” i saj ka qenë ose veprimtari hakmarrëse politike dhe klanore ose vetëm fjalë të zbrazëta, që e kanë lënë në përmbajtje, në gjendje rutine gati-gati me ato struktura dhe forma, që janë trashëguar që nga koha e monizmit. Kërkesa për ristrukturimin e ASH-së është në përputhje të plotë me kërkesat programatike të gjithë qeverive që kanë ekzistuar e ekzistojnë gjatë tranzicionit, por që kanë mbetur të parealizuara, heshtja ka mbuluar kohën e humbur, ngërçin dhe atarksinë e klaneve drejtuese. Ngaqë nuk u përfill dhe nuk u lejua diskutimi i një projekti alternativ, Statuti që u miratua më 1998 jo vetëm nuk nxiti reformimin e ASH-së, por e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen e saj; tani janë bërë evidente pasojat negative të zbatimit të këtij Statuti, mënjanimi i të cilave kërkon realizimin e ngutshëm të një reforme, aspak kozmetike, por të thellë’- edhe në plan strukturor, edhe funksional për të çelur perspektivën e një rilindjeje të ASH. Në gjendjen e sotme të prapambetur para Akademisë qëndrojnë shumë probleme komplekse e të ndëshkuar, zgjidhja e të cilëve do të kërkojë shumë kohë, por duhet gjithsesi një herë të nisë reforma, për të fituar kohën e humbur e për të përcaktuar rrugët e mjetet për një zhvillim perspektiv afatshkurtër e afatgjatë. Prandaj, ne po parashtrojmë një skicë platforme për reformë, e cila do të duhej të diskutohej gjerësisht brenda e jashtë sistemit të Akademisë para se të bëhen zgjedhjet e reja të anëtarëve të Akademisë dhe të organeve drejtuese të sistemit të saj.

    1)Akademia e Shkencave përfaqëson një Qendër Shkencore e Kulturore Kombëtare, e themeluar si kurorëzim i traditave dhe i aspiratave më të ndritura të shkencës dhe të kulturës kombëtare. Ajo u krijua dhe ekziston për të organizuar, drejtuar dhe përkrahur veprimtari të shumëllojta shkencore e kulturore, institucione dhe studiues të shquar në fushat e ndryshme të shkencave shoqërore, albanologjike, teknike e natyrore, të letërsisë dhe arteve dhe të kulturës, që kanë një rëndësi të veçantë shtetërore e kombëtare.

    2) Kjo skicë-platformë synon të mënjanojë shfaqjet kryesore negative, që pengojnë gjallërimin dhe përmirësimin e gjithë veprimtarisë shkencore dhe funksionimin e sistemit të saj. Platforma synon t’i japë impulse të reja zhvillimit e përsosjes së ASH që ajo të jetë një tempull madhor i shkencës dhe 1 kulturës së kombit tonë, për t’iu përshtatur kushteve të reja ekonomike, sociale, politike e kulturore të shoqërisë bashkëkohore shqiptare, sidomos ekonomisë së tregut dhe për të përballuar mirë nevojat, kërkesat dhe situatat, me të cilat po ndeshet e do të ndeshet vendi në fillim të shek.XXI, në prag të integrimit në BE.

    3)      Akademia e Shkencave është institucion i depolitizuar me karakter mbipartiak. Në sistemin e institucioneve dhe organizmave të ASH ndalohet veprimtaria e organizatave politike partiake. Në veprimtarinë e ASH zbatohet rigorozisht principi i tolerancës ideologjike, i debatit të lirë demokratik, i pluralizmit teorik e metodologjik dhe i frymës së pajtimit kombëtar. Akademia është e papajtueshme me aktet, qëndrimet dhe veprimtari, që dëmtojnë interesat kombëtare. Ajo është e papajtueshme me çdo shfaqje diskreditimi arbitrar antidemokratik. Demokratizimi liberal është princip themelor që siguron brenda ASH shprehjen e lirë të opinioneve e të kritikave shkencore krijuese, marrjen e vendimeve dhe zbatimin e tyre. ASH është institucion i hapur dhe veprimtaria e saj përshkohet nga transparenca.

    4)      Veprimtaria e ASH financohet kryesisht nga buxheti i shtetit por edhe me të ardhurat që sigurohen nga realizimi i detyrave dhe zgjidhja e problemeve të ndryshme shkencore, teknike e kulturore. Në burimet financiare të ASH përfshihen edhe donacionet, sponsorizimet, ndihmat dhe dhuratat dhe fondacione e organizata publike private, të brendshme e të jashtme, që mbështetin financiarisht qëllimet e veprimtaritë e saj. Të ardhurat e përgjithshme të ASH, pavarësisht nga burimet e tyre rishpërndahen në dobi të realizimit të detyrave kryesore, të përparësive të tyre dhe të masës së kontributit të instituteve, grupeve të kërkimeve shkencore dhe studiuesve të veçantë, si dhe të të ardhurave nga realizimi i kontratave me palë të dyta, të treta etj. Ndalohen veprimtari fitimprurëse në dobi të personave të veçantë që janë në punë në sistemin e ASH dhe Institucioneve të saj, që janë në kundërshtim me synimet shkencore e kulturore të saj, por stimulohet angazhimi në projekte ekstra-akademike që janë në interes të shtetit e të shoqërisë dhe që nuk i shndërrojnë institucionet e saj në ndërmarrje afariste me qëllime thjesht fitimprurëse. ASH duhet të stimulojë në radhë të parë veprimtaritë krijuese shkencore.

     II. Akademia e Shkencave është intitucion qendror, struktura e të cilit përbëhet nga:

     l) Institute, qendra dhe organizma të tjera, që merren me studime të mirëfillta shkencore dhe kulturore dhe që janë nën vartësinë e drejtpërdrejtë të saj. Krijimi i këtyre institucioneve shkencore ka si qëllim që shteti të mbështetë zhvillimin e disa drejtimeve tepër të rëndësishme të shkencave në dobi të gjithë shoqërisë, që t’u përgjigjen me përparësi nevojave të ngutshme të programeve qeveritare, të prosperitetit ekonomik, kulturor a social të vendit, që të shërbejnë si vatra model të modernizimit të hulumtimeve shkencore bashkëkohore dhe të bashkëpunimit me qendrat shkencore të vendeve të tjera. Në gjirin e tyre aktivizohen studiuesit më të aftë e më të specializuar për punë shkencore, sipas një rregulloreje të veçantë, që përfshin konkurrimin, testimin dhe stimulimin material e moral. Në këto institucione e qendra studimore mund të pranohen të punojnë edhe studiues të huaj, duke i angazhuar në drejtime që janë të pamundura të mbulohen nga specialistët vendas. Specialistët ë huaj miratohen të punojnë përkohësisht në institucionet e ASH ose në përpjekje të përbashkëta me qëllimet e ASH. Në sistemin e ASH përfshihen institute e qendra shkencore që kryejnë veprimtari shkencore që nuk mund të kryhen nga institucione të tjera shkencore shtetërore e private, si ato universitare, dikasteriale e publike jo shtetërore. Miratimi i instituteve dhe i qendrave studimore shkencore të ASH kryhet me propozim nga organizmat përkatëse të saj nga Qeveria. Po kështu edhe riorganizimet e mundshme të këtyre instituteve e qendrave studimore miratohen nga Qeveria me propozim të organizmave përkatëse të ASH.

     2)      “Akademikët”, anëtarë të përhershëm të ASH, përfaqësues nga më të shquarit të shkencës, kulturës, letërsisë dhe arteve. Akademikët zgjidhen nga shtetas të Republikës së Shqipërisë. Akademikë të zgjidhen nga gjithë fushat e shkencës, arsimit, kulturës së vendit nga radhët e punonjësve të institucioneve shkencore brenda sistemit të ASH ose jashtë këtij sistemi, të Universiteteve, instituteve e qendrave shkencore dikasteriale, të institucioneve të tjera krijuese letraro-artistike shtetërore, publike dhe civile joshtetërore, që kanë realizuar studime e krijimtari shkencore e kulturore të nivelit të lartë dhe për një kohë të gjatë, që kanë zgjidhur probleme të një rëndësie të veçantë të shkencës, ekonomisë, kulturës së vendit. ASH mund të ketë edhe “Akademikë” të jashtëm dhe “Akademikë Nderi”, nga shkencëtarë të shquar e të mirënjohur në vendet e tjera, që kanë kombësi shqiptare ose kombësi tjetër, që kanë dhënë një kontribut shumë të shquar si në dobi të shkencës dhe kulturës së popullit shqiptar, ashtu edhe të shkencës botërore.

     3)      “Anëtarë korrespodentë të ASH”, përfaqësues të dalluar në fushat më të ndryshme të studimeve shkencore dhe të krijimtarisë artistiko-kulturore. Anëtarë korrespodentë nuk duhet të kenë moshën mbi 60. Numri i anëtarëve korrespodentë nuk duhet të jetë më shumë se dyfishi i numrit të përgjithshëm të Akademikëve. Anëtarë korrespodentë, si në rastin e akademikëve, mund të zgjidhen si brenda institucioneve të sistemit të ASH, ashtu edhe nga institucionet përkatës jashtë këtij sistemi, por vetëm një e pesta e tyre, jo më shumë, mund të jenë nga sistemi 1 brendshëm i ASH, kurse katër të pestat (4/5) duhet të jenë jashtë sistemit të ASH. Vetëm gjysma e të zgjedhurve Anëtarë korrespodentë mund të jenë nga Kryeqyteti, kurse pjesa tjetër nga gjithë rrethet e mundshme të vendit. Anëtarët korrespodentë marrin pjesë në gjithë veprimtaritë shkencore e kulturore të ASH. Ata ndahen sipas specialiteteve dhe profileve të tyre në seksionet përkatëse të ASH. Shpërblimi 1 anëtarëve korrespodentë bëhet sipas kontributit të tyre personal në projektet e studimeve dhe hulumtimeve të ASH. Duhet të përcaktohet dhe të përsoset dhe rregullorja e përzgjedhjes së Anëtarëve korrespodentë, ashtu si edhe e Akademikëve.

     4)Asambleja e Akademikëve, përbëhet nga Akademikët, si organi më i lartë i ASH.  Në Asamble kanë të drejtë të marrin pjesë edhe Anëtarët Korrespodentë dhe drejtorët e instituteve dhe qendrave shkencore por vetëm akademikët duhet të kenë të drejtën e votës vendimtare deliberative, kurse të tjerët vetëm të drejtën e votës këshillimore. Numri i Akademikëve, që bëjnë pjesë në Asamble, është fiks 45. Asambleja cakton numrin e Akademikëve të rinj, të pranohen deri sa plotësohet numri 45 i Akademikëve. Pas plotësimit të këtij numri, pranimi i Akademikëve të rinj bëhet për vendet vakante, por jo detyrimisht nga fushat ku mund të jenë krijuar vende vakante. Asambleja e Akademikëve cakton edhe numrin e kandidatëve të rinj të Anëtarëve Korrespodentë. Me rivendosjen e titullit të Anëtarit Korrespodent të ASH nuk duhet zgjidhen më shumë se 45 të tillë, kurse pjesët e tjera më vonë, kur do të bëhen zgjedhje të reja edhe të Akademikëve. Gjatë dhjetë viteve të ardhshme, vetëm në raste të veçanta mund të pranohen Akademikë mbi moshën 70 vjeçare (nga persona që i kanë dhënë shkencës e kulturës një kontribut të jashtëzakonshëm), përndryshe pranimi i Akademikëve të rinj gjatë kësaj periudhe nuk duhet të jetë mbi moshën 70 vjeçare: kjo procedurë mund të ndiqet deri sa të normalizohet raporti i Akademikëve të brezit të vjetër e të brezit më të ri. Asambleja e ASH mblidhet të paktën 4 herë në vit. Asambleja e ASH drejtohet nga Kryetari dhe nga Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i Asamblesë zgjidhet nga radhët e Akademikëve, që kanë një stazh jo më të vogël se pesë vjet. Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e Akademikëve, që kanë një stazh jo më të vogël se katër vjet. Zgjedhja e Kryetarit të Asamblesë bëhet vetëm nga akademikët me shumicën 2/3 e numrit të përgjithshëm të Akademikëve. Për zgjedhjen e Kryetarit paraqiten dy kandidatura alternative, të cilët paraqitin një muaj para zgjedhjes-“Curriculum vitae” me veprimtarinë shkencore e krijuese kulturore dhe një skicë-platformë mbi programin e zhvillimit perspektiv afatgjatë e afatshkurtër të ASH. Propozimi i të dy kandidaturave bëhet nga një përfaqësi e zgjedhur prej Asamblesë, të përbërë nga 5 Akademikë, të zgjedhur me vota të hapura. Kryetari e mban postin e vet 3 vjet dhe ka të drejtë të rizgjidhet edhe një herë. Asambleja e ASH zgjedh edhe Sekretarin e përgjithshëm të saj, i cili zëvendëson Kryetarin në mungesë të tij dhe drejton administratën qendrore të ASH. Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet nga dy kandidatura alternative me propozim të përfaqësisë së Akademikëve (5 veta). Edhe Kandidatët për Sekretar të Përgjithshëm paraqitin një muaj para zgjedhjeve Curriculum Vitae dhe skicë-platformën e drejtimit perspektiv të ASH. Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet një herë për katër vjet dhe mund të kandidohet edhe një herë tjetër.

    Kryetari dhe Sekretari i Përgjithshëm i ASH kanë pagë të diferencuar, që caktohet nga Qeveria.

    Sekretari i Përgjithshëm drejton edhe Këshillin e Drejtorëve, në të cilin bëjnë pjesë gjithë drejtorët e instituteve dhe qendrave shkencore brenda sistemit të ASH. Ky Këshill nuk do të ketë pagë të veçantë e suplementare për anëtarët e tij dhe do të përgjigjet për gjithë problemet korente të këtyre institucioneve. Këshilli i drejtorëve mblidhet të paktën çdo dy muaj.

     5)      Senati i Akademisë së Shkencave. Senati përbën një pleqësi, që ka të drejtën të kontrollojë zbatimin e Autonomisë së ASH, si brenda sistemit të saj, ashtu edhe në raport me Qeverinë dhe Presidentin e Republikës, (pak a shumë ashtu siç funksionon senati në Universitetet). Senati i ASH është garanti e kontrollit e zbatimit të Statutit të ASH. Për funksionimin dhe strukturën e Senatit të ASH duhet të ketë një rregullore të veçantë, ku të përcaktohen përgjegjësitë dhe kompetencat e tij. Në senat duhet të ketë përfaqësues (dy-tre) nga Asambleja e Akademikëve, nga Anëtarët Korrespodentë (dy-tre), nga Këshilli i drejtorëve (dy-tre), nga drejtues të organizmave të tjera të ASH (dy-tre), si dhe përfaqësues të Këshillit të Ministrave (një), nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave. Senati mblidhet një deri dy herë në vit. Pagesa e tij bëhet një lloj si pagesa për anëtarët e këshillave shkencore të instituteve të ASH.

     6)      Seksionet e shkencave të ASH

    Deri tani ka pasur dy seksione: Seksioni i shkencave shoqërore dhe Seksioni i Shkencave natyrore e teknike. Kjo ndarje nuk reflekton karakterin e përgjithshëm përfaqësues të shkencës e të kulturës së vendit. Në propozojmë të ketë më shumë se dy seksione.

     1)      Seksioni i Shkencave natyrore e teknike

     2)      Seksioni i shkencave ekonomiko-financiare

     3)      Seksioni i shkencave juridike e politike

     4)      Seksioni i shkencave albanologjike

     5)      Seksioni i shkencave sociale

     6)      Seksioni i studimeve dhe i krijimtarisë letraro-artistike.

    Pavarësisht nga gjendja e sotme e instituteve dhe qendrave studimore brenda sistemit të ASH, është e nevojshme që Seksionet të përfaqësojnë më mirë se deri tani në shkallë vendi shkencën e kulturën kombëtare. Çdo Seksion do të përfaqësohej sipas specialistëve nga Akademikët përkatës, Anëtarët korrespodentë dhe specialistë të shquar, profesorë dhe doktorë të shkencave brenda sistemit të ASH dhe jashtë tij, nga Tirana dhe nga rrethet e vendit, sipas profileve dhe specialiteteve kryesore të Seksioneve dhe të përafërta me to. Kur ka vetëm një Akademik ose kur mungon ndonjë i tillë në secilin Seksion mund të zgjidhet si drejtues i Seksionit edhe ndonjë nga radhët e Anëtarëve Korrespodentëve. Seksionet marrin vendime me shumicën e thjeshtë të votuesve dhe vendimet e tyre mund të jenë të detyrueshme ose  këshillimore. Seksionet mblidhen jo më pak se katër herë në vit, kryesisht për problemet e veçanta të shkencave përkatëse që mbulojnë. Anëtarët e Seksioneve shpërblehen për pjesëmarrje në punimet e tyre sipas rregullit të shpërblimit të anëtarëve të këshillave shkencore të instituteve. Ristrukturimi e reformimi duhet të shtrihet edhe në strukturën dhe funksionet e Instituteve dhe të Qendrave shkencore që janë në vartësi të ASH. Ka shumë probleme rreth strukturës dhe funksioneve të Instituteve dhe të Qendrave, që mendojnë të diskutohen si mund të bëhen më të thjeshtë në struktura më dinamike e moderne në funksionet, dhe më pak të kushtueshëm nga pikëpamja financiare? A duhet të mbeten institutet me ato struktura që kanë dhe si duhet të jenë sektorë ose qendra të tjera që mund të jenë të domosdoshme? Në kohën e monizmit mbizotëronte koncepti i krijimit të instituteve me struktura shumë të gjëra dhe të ndërlikuara, me personel të shumtë e të tepërt, me sektorë ndihmës të dublojnë njeri-tjetrin, me dublime të panevojshme administrative dhe sektorë financiarë, kartoteka, arkiva, laboratorë, arkiva etj. të veçanta. A duhet të qëndrojnë të bashkuar sektorët e historisë së letërsisë me ata të gjuhës ose a duhet të qëndrojë e ndarë Qendra e studimeve artistike me sektorët e historisë së letërsisë. Këta a duhet të përfshiheshin në Seksionin e Studimeve dhe të krijimtarisë letrare artistike?

    Raporti i studimeve letrare e historiko-letrare e artistike me fakultetet përkatës të universiteteve dhe të Akademisë së Arteve? Mos vallë mund të bashkohet Instituti i Arkeologjisë me Institutin e Historisë? A nuk mund të shndërrohet IKP në profil muzeal? Cili do të ishte profili i studimeve të IH dhe i Letërsisë në qoftë se do të mbeten siç janë? Ç’duhet të studiojë Qendra e Studimeve artistike? Ka shumë probleme që mund të diskutohen edhe për qendrat e institutet e tjera. Studimet gjeografike mund të bashkohen me studimet ekologjike dhe të bashkohen me Seksionin e shkencave shoqërore. Mos vallë mund të bashkohen sipas seksioneve institutet e qendrat ekzistuese? Si për shembull Instituti i shkencave albanologjike, si ai i Kosovës, që funksionon mjaft mirë dhe me shpenzime të pakta e pa dublime të panevojshme duke patur për gjithë sistemin e ASH një sektor financiar, një biblioteke, një arkiv e një sektor administrate? Si mund të bëhen më pak të kushtueshëm dhe më funksionalë dhe më vetëfinancues institutet e qendrat shkencore të ASH? Si mund të luftohet megallomania moniste në organizimin e ASH e institucioneve të saj me struktura të rënduara, me punonjës parazitarë dhe me bashkëpunime të dobëta, sporadike e të rastit me studiuesit e shkencëtarët e jashtëm, privatë, mësuesit e shkollave dhe pedagogët e fakulteteve të universiteteve, brenda e jashtë vendit, sidomos me Kosovën, Maqedoninë etj. Diskutimi i këtyre problemeve duhet të nisë në Institutet e Qendrat dhe pastaj edhe në organizmat më lart të ASH me pjesëmarrje edhe të studiuesve jashtë sistemit të ASH.

     IV.    Riorganizimi dhe reformimi i ASH duhet të ndikojë që të përmirësohet përgatitja e kuadrove të kualifikuara shkencore për institucionet dhe qendrat e saj shkencore. Sistemi i sotëm nuk ka dhënë rezultate pozitive. Një numër 1 madh specialistësh të saj janë larguar nga Shqipëria, edhe specialistët e rinj, që formohen në sistemin e ASH, pas katër-pesë vjetësh largohen jashtë shtetit. Në shumë qendra e institute të ASH s’ka asnjë specialist që të jetë përgatitur në universitete jashtë vendit, madje edhe ata që kanë qenë përgatitur janë larguar në punë të tjera. Është e domosdoshme për perspektivën që të gjenden rrugë për të stimuluar kthimin e specialistëve që punojnë jashtë vendit dhe përgatitjen e specialistëve të rinj, me kontrata që t’i detyrojnë të rikthehen në ASH pas specializimit dhe kualifikimit jashtë shtetit. Duhet të përsoset dhe pranimi i forcave të reja shkencore në institucionet e saj, që të mos vazhdojë të vinë amatorë që nuk gjejnë punë jashtë saj. Duhet të caktohen detyra të qarta e të rëndësishme shkencore dhe të përsoset mekanizmi 1 realizimit të tyre dhe e stimulimit të punëve të mirëfillta shkencore, duke shmangur përsëritjen dhe botime të vjetruar, të hartuara këtu e 10-15 vjet të shkuara. Për këtë qëllim duhet të bashkëpunohet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeverinë që të përsoset sistemi 1 kualifikimit universitar e pasuniversitar, brenda e jashtë vendit dhe kthimi i specialistëve nga jashtë. Reforma duhet të shtrihet edhe në përsosjen e sistemit shtetëror të pagesave për punë shkencore dhe për botimet shkencore të saj; tani ky sistem mbështetet në titujt “doktor” dhe “profesor”, që janë dhënë pa kursim dhe që e kanë bërë të pamundur pagesën reale sipas cilësisë së punimeve e botimeve të mirëfillta shkencore. Me sistemin ekzistues, që është trashëgim që nga koha e monizmit, stimulohet barazitizmi dhe parazitizmi, si edhe shtimi i numrit të punonjësve shkencorë; ky sistem nuk i mbyll portat për të paaftët. Sigurisht, reforma brenda sistemit të ASH nuk duhet të stimulojë punën administrative por punën shkencore. Reforma për punë shkencore dhe botime shkencore kërkon bashkëpunimin e ASH me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe me institucionet e tjera të interesuara, që problemi të zgjidhet më mirë edhe për rregullat në institucione të tjera publike e civile joshtetërore. Reforma në këtë drejtim do të duhej të përcaktonte edhe kritere të sakta për vlerësimin real të studimeve dhe projekteve shkencore dhe botimeve të tilla.

     V. Është e domosdoshme që të riorganizohet Shtëpia botuese “Shkenca”. Është prishur arbitrarisht Drejtoria e botimeve; riorganizimi i saj nuk mund të ekzistojë vetëm me një punonjëse, që ka qenë daktilografiste, ndërkohë vetëm redaksia qendrore e një botimi të vetëm siç është Fjalori enciklopedik, ka 17 punonjës. Në sektorin e botimeve ka pasur shpërdorime financiare. Është e domosdoshme që të diskutohen problemet e shumta të nivelit shkencor dhe të financimit të botimeve shkencore. Revistat po botohen si në kohën e nihilizmit, po mbizotërojnë ribotimet në vend të studimeve të reja. S’ka asnjë analizë që të tregojë se ç’janë të domosdoshme dhe cilat botime duhen shkurtuar, llojet e botimeve dhe tirazhet e tyre. Si mund të bëhen botimet të vetëfinancuara? Ne mendojmë se Botimet duhet të jenë në varësi të një Drejtori, jo të Kryetarit, i cili të drejtojë e të përgjigjet për gjithë politikën e botimeve shkencore të ASH. ASH duhet të ketë një shtypshkronjë të vetën, si ato që kanë siguruar me dhjetëra shtëpi botuese private, ku mund të shtypeshin botimet e saj dhe të enteve të tjera dhe të sigurohej vetëfinancimi i botimeve të ASH. ASH lypset të ketë një fondacion të veçantë, si për shembull, fondacioni “Fan Noli”, që është krijuar me fondet e buxhetit shtetëror të vihet në vartësi të ASH, që të stimulojë botime të rëndësishme për shkencën dhe kulturën shqiptare dhe të ndihmojë shkencëtarët që punojnë brenda sistemit dhe jashtë tij për botimin e veprave të tyre madhore. ASH duhet të organizojë dhënien e një çmimi për vepra të shquara shkencore tani që nuk përdoret Çmimi i Republikës të paktën ta japë këtë çmim një herë në dy-tre vjet. ASH duhet të përsosë mekanizmin e shitjes së librit shkencor që të mos ketë stoqe të vjetra e të reja librash, që mbeten pa u shitur.

     VI. ASH duhet të jetë një institucion i hapur dhe transparent. Parimi themelor që duhet të udhëheqë organizmat e ndryshme të saj duhet të jetë konsensusi ndaj veprimeve dhe personaliteteve shkencore, që kontribuojnë efektivisht në pasurimin e vlerave shkencore, për të penguar shfaqjet e diskriminimit sidomos politik dhe qëndrimet arbitrare ndaj barazisë ndaj ligjeve e të drejtave të studiuesve. Në këtë kuadër duhet të përmirësohen mekanizmat e funksionimit demokratik të gjithë hallkave të drejtimit, duke mënjanuar ato segmente që cënojnë demokracinë dhe e bëjnë të komandueshme zgjedhjet, sidomos, të drejtorëve të instituteve e qendrave shkencore të ASH. Autonomia e shtrirë edhe ndaj instituteve e qendrave studimore të ASH nuk duhet të reduktohet në mënjanimin dhe autonomi në varfërinë e tyre, por duhet të shikohet se si mund të rregullohet aktivizimi 1 kolektivave të shkencëtarëve dhe të kolektivave të instituteve e të qendrave në gjithë jetën aktive të sistemit të ASH.

    Demokracia e brendshme e përgjithshme e sistemit të ASH nuk duhet barazuar me mekanizmat e rëndomta të administratës shtetërore e burokratike. Organizmat dhe gjithë sektorët e ndryshëm të ASH duhet të jenë të hapur dhe transparentë. Në asnjë mbledhje të rëndësishme në asnjë rast nuk janë ftuar dhe nuk kanë asistuar përfaqësuesit e masmedias dhe gazetave përveç mbledhjeve për prezantim librash ose raste festive. Megjithëse ASH dërgon në Këshillin Drejtues të RTSH dy-tre përfaqësues të saj, këta nuk kanë bërë gati asgjë për të përfshirë sa më gjerësisht studiuesit e saj në qendrat televizive për gjithë problemet që trajtohen në to. Edhe njoftimet e deklaratat zyrtare të ASH të lëshuara në masmedia janë si fishekzjarre të vegjël me premtime optimiste që s’realizohen, ato janë të rralla. Shembulli më i qartë janë deklaratat për shtyp mbi “vizitën e kryeministrave dhe takimet e tyre me Akademikët”, në të cilat janë privuar të marrin pjesë praktikisht akademikët, me përjashtim të dy akademikëve që kryesojnë ASH. Opinioni i gjerë shoqëror për shkak të kësaj mbylljeje dhe të mungesës së transparencës më minimale nuk është i informuar se ç’bëhet e si punohet në Akademi, se cilat janë problemet themelore, cilat janë arritjet reale e cilat janë të metat, vështirësitë, problemet e pazgjidhura dhe si punohet për përparimin e ASH. Kjo gjë ka lejuar që në shtyp të jenë botuar artikuj me frymë vetëm denigruese, me pasione të errëta egoiste që i gëzohen rrënimit të ASH. Ndonjë artikull i rrallë me analiza të sakta, me sugjerime pozitive për përmirësimin e punëve është përcjellë me heshtje, ashtu si ç janë përcjellë e përcillen me heshtje “akademike” nga ana e drejtuesve të ASH.

     X.      Duhet të përmirësohet mekanizmi i kontrollit, i shpërndarjes dhe i shpenzimeve të buxhetit të ASH. Deri tani për këto probleme zgjidhen vetëm nga Kryesia dhe nuk ka transparencë. Për shembull asnjëherë nuk janë paraqitur analiza që të tregojnë se sa shpenzime shkojnë për këto ose ato institucione, sektorë, se cilat shpenzime kanë qenë efikase e cilat s’kanë dhënë rezultatet e pritura, sa drejt kanë qenë shpërndarë të ardhurat financiare dhe si janë realizuar. Nuk dihet se sa valutë janë shpenzuar nga anëtarët e Kryesisë për vizitat e tyre nëpër vende të ndryshme dhe s^ janë shpenzimet për studiuesit? Ka pasur shpërdorime financiare, që u konstatuan nga Kontrolli i Shtetit, dhe s’u mor vesh se ç’u bë me shkaktarët e përfituesit të këtyre shpërdorimeve, s’ka pasur asnjë informacion për to, përveç masës të nxituar të anulimit të kësaj drejtorie. Informohet për ndarjet e buxhetit vetëm për sa u përket plotësimit ose mosplotësimit të tyre drejtorët e instituteve, të cilët pastaj po me këtë metodë drejtojnë duke e mbajtur të fshehtë buxhetin e shpenzimeve, domethënë duke mos patur kurrfarë transparence. Është e domosdoshme që në ASH të përdoret si organ zyrtar e prestigjioz Senati, me përbërje tjetër, për të ndjekur zbatimin e autonomisë, demokracisë dhe financat e saj.

     XI.    Ne mendojmë se reformimi, ristrukturimi dhe modernizimi në hapat e para të tij duhet të bëhet pak a shumë brenda kuotave të subvensionimit financiar buxhetor të viteve 2002-2003 deri 10% më shumë dhe duke treguar mundësitë objektive për realizimin e një projekti të tillë fillestar, që të fillojë riorganizimi dhe modernizimit mbi baza demokratike të ASH.

     Për të hartuar një platformë më të plotë, është e domosdoshme të organizohet një diskutim të lirë demokratik në gjithë kolektivat e instituteve dhe qendrave shkencore, në aparatin qendror, duke tërhequr edhe personalitete të dalluara shkencore e arsimore nga universitetet dhe nga rrethet e tjerë, si dhe përfaqësues të institucioneve shkencore shtetërore dhe civile jo shtetërore që merren me studime shkencore dhe që janë të interesuar për problemet që preokupojnë ASH. Duhet me doemos që në këto diskutime të angazhohet edhe Ministria e Arsimit e Shkencës. Në fund të diskutimeve të përgatitet Statuti i ri i ASH, në të cilin të jenë reflektuar ndryshimet e propozuara, për këtë qëllim të ngarkohet një komision ku të mos ketë vetëm përfaqësues të Kryesisë, por edhe të tjerë, në mënyrë që këta të mos përbëjnë shumicën e komisionit, gjithashtu, ky komision të ndjekë i autorizuar nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri dhe nga Senati për të hartuar Platformën zyrtare të reformimit, riorganizimit dhe modernizimit të ASH, e cila të botohet në shtyp, para se të miratohet nga Presidenti i Republikës.