Akad. Prof. Dr. Salvatore Bushati: Gjeofizika, shkenca e zgjidhjeve, e cilësisë dhe e kostos së ulët

    610
    Sigal

    Intervistë/ Flet Presidenti i Shoqatës së Gjeofizikantëve të Ballkanit, Akad. Prof. Dr. Salvatore Bushati rreth Kongresit të Gjeofizikantëve dhe impaktit të tij në realitetin shqiptar

    Këto ditë në Tiranë po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, Kongresi i 7 i Shoqatës së Gjeofizikantëve të Ballkanit. Ky Kongres ka paraqitur punime shkencore, të cilat në përgjithësi janë aplikacione të vërtetuara në praktikë dhe kanë ndikuar në zhvillimin e vendeve përkatëse. Ky Kongres ka ngjallur interes dhe në klasën tonë politike. Gjatë ceremonisë së hapjes merrnin pjesë drejtues të lartë të shtetit shqiptar, të institucioneve qeverisëse dhe pjesëmarrja e tyre është një dëshmi që ata vlerësojnë zhvillimet e kësaj fushe. Vënia e këtyre studimeve në praktikë do jetë vërtetë një demonstrim i zhvillimit të këtyre objektivave të këtij programi qeverisës, me tregues të lartë cilësor”, shprehet në një intervistë për “Telegraf”, Presidenti i Shoqatës së Gjeofizikantëve të Ballkanit, Akad. Prof. Dr. Salvatore Bushati. Prof. Bushati i bën thirrje Qeverisë se duhet të mbështesë zhvillimin e gjeofizikës në Shqipëri, por nga ana tjetër Bushati i bën thirrje dhe komunitetit shkencor ta justifikojë me punën e tij, me produktin e tij kërkimor-shkencor këtë mbështetje nga ana e Qeverisë.

    Atëherë, profesor çfarë përfaqëson ky kongres dhe cilat janë objektivat e tij?

    Në Tiranë këto ditë po zhvillohet një eveniment vërtetë i veçantë për Shqipërinë. Për herë të parë zhvillohet tek ne Kongresi i Gjeofizikantëve të Ballkanit, por në të marrin pjesë 20 vende të botës, përveç vendeve ballkanike, që nga Kanadaja, Holanda, India, Spanja, Belgjika dhe shumë e shumë gjeofizikantë të njohur, të cilët kanë ardhur të paraqesin arritjet e tyre në shkencat e gjeofizikës në veçanti, por edhe të aplikimeve të saj në përgjithësi, jo vetëm në fushën e shkencave të tokës, por edhe përtej kësaj fushe, në të gjitha fushat që kanë lidhje me shkencat e tokës. Është një eveniment që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë. Kjo është një arritje shumë e rëndësishme, se jo vetëm i japim mundësi shkencëtarëve në fushën e gjeofizikës dhe fushave të tjera që lidhen me të, të paraqesin arritjet e tyre, produktet kërkimore shkencore të cilat nuk janë vetëm produkte kërkimore shkencore që i shërbejnë institucioneve kërkimore shkencore, nuk janë produkte bazë si softueret e ndryshme, arritje teorike të ndryshme, organigrama të zhvillimit të shkencës së gjeofizikës, por janë aplikacione të vërtetuara në praktikë, që janë kthyer në inovacione, në patenta që janë direkt të prekshme në zhvillimin e vendeve të ndryshme, në fusha të ndryshme dhe që në fund të fundit kanë një impakt në zhvillimin ekonomik të vendeve tona. Ne jetojmë në një kohë sot që shkencat gjeofizike, edhe në Shqipëri, kanë një fushë aplikimi jo vetëm për kërkimin e naftës, gazit, mineraleve të ngurta, por këto gjeofizikantë janë të shpërndarë në të gjitha fushat e shkencave të tjera ku japin kontributin e tyre që nga studimet e fotove satelitore në institutet e specializuara për këto punë në Shqipëri, tek shërbimet metrologjike, tek ato metereologjike, tek institucionet politikbërëse, ku është përsëri një arritje. Se vendimmarrja, qeverisja është më e ndjeshme, është më pranë hartimeve të programeve të saj për të inkluduar këtë fushë të shkencës që është shumë e rëndësishme, se gjen përdorim edhe në inxhinierinë civile; për ndërtimin e infrastrukturave të ndryshme, studimet e trojeve, tuneleve, rrugëve, të digave, të hidrocentraleve që po ndërtohen shumë e më shumë e deri tek mjedisi për cilësinë e ajrit, të tokës dhe të ujit, turizmit, sepse merr parasysh të gjithë studimin e mjediseve për sa i përket cilësisë së tyre për zhvillimin e një turizmi cilësor. Por gjeofizika, njëkohësisht, studion dhe erozionin që ndodh në bregdet, studion rrëshqitjen, erozionet të ndryshme për shkak të keqpërdorimit human, shpyllëzimi etj., studion vlerësimin e gjendjes dhe parandalimin e rrisqeve natyrore. Unë jam vërtetë i kënaqur, se në këtë kongres janë referuar mbi 120 kumtesa, produkte vërtetë kërkimore shkencore, por të cilat janë të vlerësuara nga mbi 2 oponentë të huaj dhe shqiptarë, ekspertë të fushave të ndryshme për punimet që paraqiten këtu. Pra janë punime që janë pranuar nga një komunitet ndërkombëtar, e them këtë përsa i përket cilësisë.

    Si është arritur kjo?

    Kjo është arritur nëpërmjet një bashkëpunimi që ne kemi me Shoqatën e Gjeofizikantëve dhe Inxhinierëve Europianë me Shoqatën e Gjeofizikantëve të Amerikës, që në fakt përfshin një rrjet të të gjithë botës, të regjistruar aty dhe që ndjekin hap pas hapi inovacionet, metodologjitë e reja dhe bëjnë një transferim me këtë rast të të gjithë njohurive nga bota në vende të ndryshme. Ajo çka është e rëndësishme, është se përveç vendeve të rajonit të cilët gjejnë mundësi që nëpërmjet kërkimit shkencor të gjejnë miqësitë e tyre, të një bashkëjetese të qetë, me përfitime të përbashkëta, me zhvillime të shkencës që i vlejnë dhe mirëqenies jetike në rajon.

    A pati interes të politikës për këtë kongres?

    Gjatë ceremonisë së hapjes, në ditën e parë të Kongresit, merrnin pjesë drejtues të lartë të shtetit shqiptar, të institucioneve qeverisëse dhe pjesëmarrja e tyre është një dëshmi që ata vlerësojnë zhvillimet e kësaj fushe, e cila do të jetë pjesë e shumë  kërkimeve shkencore që duhen zhvilluar në kuadër të zhvillimit të një programi të një vendi dhe konkretisht të këtij programi të ri që është bërë nga Qeveria në fusha të ndryshme dhe që unë jam i bindur që do jenë marrja parasysh e këtyre studimeve. Vënia e këtyre studimeve në praktikë do jetë vërtetë një demonstrim i zhvillimit të këtyre objektivave të këtij programi qeverisës, me tregues të lartë cilësor. Në këtë hapje merrnin pjesë gjithashtu ambasadorë, drejtues të instituteve të larta të kërkimit shkencor dhe arsimit në Shqipëri; rektorë, dekanë, merrnin pjesë dhe deputetë e shumë e shumë përfaqësues nga vende të ndryshme si dëgjues, jo vetëm si referues, të cilët do të kenë patjetër dhe një rast të njohin Shqipërinë në ditët e sotme.

    Cili është impakti i këtij kongresi në realitetin shqiptar?

    Edhe sot po vijohet me prezantimet e studimeve, por, njëkohësisht, kompanitë e mëdha të cilat marrin pjesë edhe në ekspozitë, kanë sjellë produktet e tyre, jo vetëm të demonstrimit të kërkimit shkencor, por kapaciteteve në infrastrukturë, aparatura, etj, që janë një demonstrim i arritjeve të gjeofizikës, jo vetëm në Shqipëri, por në rajon e më gjerë. Domethënë vetë ardhja e tyre për të prezantuar produktet e tyre në Shqipëri vlerëson se ambienti ku ata kanë ardhur është një ambient, i cili ka një zhvillim të kësaj fushe, siç është gjeofizika e cila ka një traditë tashmë të shkëlqyer dhe që njihet, pavarësisht zigzageve të zhvillimit të gjeofizikës në periudha të ndryshme. Gjeofizika është zhvilluar në Shqipëri, që në vitet ‘50 dhe ka qenë një nga kontribuesit në sektorin e shkencave të tokës, gjeologjisë, për mirëqenien e ekonomisë shqiptare. Ky është një fakt i pamohueshëm, pasi kjo shkencë ka mbështetur studimet gjeologjike, ka mbështetur studimet gjeofizike për kërkimin e naftës, gazit, mineralit të ngurtë, si kromit, bakrit, hekurit dhe këto nuk janë të pakta. Ekonomia shqiptare ka pasur një përqendrim në zhvillimin e këtyre fushave për zhvillimin e vendit, për mirëqenien e vendit. Ato sot janë në një nivel krejt tjetër, por shpresojmë që do të jetë një stimul, i cili do të sjellë frytet e saj.

    Qeveria të mbështesë zhvillimin e gjeofizikës

    Unë mendoj se, një nga thirrjet që i bëhet komunitetit shkencor, por njëkohësisht dhe qeverisë, është një mesazh i qartë: Qeveria duhet të mbështesë zhvillimin e gjeofizikës në Shqipëri, por nga ana tjetër, komunitetit shkencor i bëj thirrje ta justifikojë me punën e tij, me produktin e tij kërkimor-shkencor këtë mbështetje nga ana e Qeverisë. Duhen demonstruar kapacitete, të cilat i japin Qeverisë, i japin biznesit atë besimin e duhur, që ai ta mbështesë, që ai ta bëjë partner, që ai ta kuptojë që gjeofizika rrit cilësinë e studimeve, gamën e zgjidhjeve, por me një kosto të ulët dhe me një kohë shumë më të ulët sesa me përdorimin e metodave të tjera. Ky mesazh është tashmë një mesazh që qëndron në eksperiencën e deritanishme të studimeve gjeofizike në Shqipëri, por dhe në botë. Gjeofizika ka një prioritet me aplikimet e saj në të gjitha llojet e shkencave të inxhinierisë civile, të emergjencave, etj.