Agron Mema: Si i gdhendi shkallët e Monumentit të Paravësisë Nikolla Prifti i internuar që në moshën 7 vjeçare

847
Sigal

Nikolla Prifti, gdhendësi i shkallëve dhe bazamentit të monumentit të pavarsisë, qysh në moshën 7 -vjeçare provoi internimet komuniste

Në historinë 50-vjeçare të instalimit të sistemit komunist, nuk u kursyen as pleq, as gra dhe as fëmijë nga degdisja nëpër kampet famëkeqe të internimeve. Por këta njerëz të pafaj dhe dinjitozë, lanë edhe gjurmët e tyre të pashlyeshme në faqet e historisë së popullit tonë me talentin e tyre të veçantë, talent që mbeti vetëm në kornizat autodidakte të dhuntisë, pasi sistemi arsimimin e tyre e quante “mollë e ndalueme” duke forcuar demagogjinë në shërbim të tyre, duke e kthyer edhe vet sistemin demagogjik dhe shpërfytyrues që pllakosi me tërë fuqinë e fatkeqësisë së tij mbi popullin tonë të shumëvuajtur. Këto talente mbetën njerëz të thjeshtë, por që me duart e tyre gdhendën vepra arti të mrekullueshme të cilat u rrënjosën thellë në memorien historike.

Një nga këta njerëz të thjeshtë e plot talent magjik është edhe Nikolla Savo Prifti, i cili zbret sot si personazh i këtij shkrimi me tërë madhështinë dhe fisnikërinë e tij. Një portret i veçantë artisti si gurëskalitës. Sa zbret në sheshin qendror të Pilurit me famë artistike, ose siç e ka pagëzuar vetë natyra me pozicionin gjeografik që ka, “Ballkoni i Himarës dhe Bregut në tërësi”, syri të rrok menjëherë një monument madhështor me një arkitekturë të veçantë e simbolikë  po ashtu të veçantë, kushtuar bijve dhe bijave, luftrave shekullore që ka zhvilluar ky fshat në shekuj për lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Ideator dhe realizues i këtij memoriali është duararti, mjeshtri gurëgdhendës e gurëskalitës Nikolla Prifti. Nikolla Prifti është pagëzuar nga i gjithë komuniteti bregas si “Usta Kola”. Është kjo “dekorata” e vetme, marrë si shpërblim për punën dhe veprat e tij të shumta. Dalta dhe çekiçi i këtij mjeshtëri regjistron me dhjetra vepra arti.

Nikolla qysh në moshën 7 -vjeçare do të provonte mbi shpatullat e njoma fëminore vuajtjen dhe përballjen me jetën nëpër kampet e internimit komunist. Do të shikonte tortura e sjellje ç’njerëzore brenda kampit nga gardianët e shërbimit dhe nga sytë e tij nuk do të ikte kurrë loti i përjetimit të dhimbjes nga këto skena. Sot, nga maja e 84-ët e viteve të jetës së tij, “ usta Kola” i kujton këto vuajtje si diçka të errët e të mjegullt  dhe nuk arrin të kuptojë ende se si mund të trajtoheshin të internuarit, këto krijesa njerëzore të pafaja me ato mënyra shtazore nëpër kampet e internimit, kur trumbetohej se ishim “Fanar ndriçues në botë”. O Zot i Madh, shyqyr që bota e qytetëruar nuk u ndriçua në rrugën e përparimit nga ky Fanari ynë. Qysh në moshën shtatë vjeçare do të niste kalvari i vuajtjeve jetësore të mjeshtrit të ardhshëm.

Filluan në kampin e Krujës, vijuan dhe përfunduan në kampin e Savrës së Lushnjës. Me vete, nga fshati i lindjes, Piluri i bukur, do të merrte kujtimet dhe lodrat bregoreve dhe maleve të Pilurit. Në kampin e Savrës shkoi shtatë vjeç qysh në vitin 1946 kur familja e tij u internua nga arratisja e xhaxhait të tij, Pilo Prifti, dhe doli nga internimi në moshën 23- veçare në vitin 1960, vit kur u lirua nga internimi. Ai kujton se në këtë kamp të internuarit vinin nga të gjitha trevat e Shqipërisë, u përkisnin shtresave të ndryshme shoqërore, më të shumtët intelektualë me shkolla të mbaruara në Perëndim. Po kishte ardhur kohë tjetër që nuk vlente dhe nuk duhej më shkolla dhe kulturta perëndimore. Ishte fëmijë dhe nuk kuptonte dhe as nuk perceptonte dot asgjë se pse ndodheshin aty, pse i kishin marrë nga fshati. Nuk bëhej fjalë për shpjegime nga askush dhe kështu endej në labirinthin e enigmës misterioze të mospërgjigjes shpjeguese, aq sa e harroi fare këtë retorikë edhe me veten e tij. Një ditë në kamp takoi Goli Priftin nga Piqerasi me të cilin nuk kishin asnjë lidhje gjaku , thjeshtë mbiemri i rastësishëm dhe disa kilometra larg fshtrat nga njëri-tjetri. Goli kishte qenë partizan dhe e kishte mirë me komandën e internimit. Ndërhyri tek komanda që këtë djalosh të vogël t’a përdornin për ndonjë punë, t’a ngarkojmë të sjellë bukën në kamp duke u shoqëruar me një polic. Komanda e miratoi dhe Nikolla filloi kështu punën të sillte bukën në kamp. Filloi udhëtimi i përditshëm nga Savra në Lushnjë e anasjelltas. Lodhja qe raskapitëse për të si fëmijë, por i jepte edhe gëzim se shijonte lirinë e munguar brenda kampit. Sillte bukën dhe e ndante në racione. Zemra e vogëlushit vajtonte heshturazi tek shikonte të internuarit të kthyer nga puna, të lodhur e të meskëputur, duke zgjatur dorën për të marrë racionin e bukës dhe vetëm brenda zgavrave të syve kishte mbetur diçka që të kujtonte se ishin njerëz dhe frymonin në trupin kockë e lëkurë. Por nuk zgjati shumë që të bënte këtë punë. Një ditë do t’i ndizej një dritëz jeshile që do të kthehej në flakadan i jetës së tij. Brenda kampit, i internuar qe edhe një inxhinier italian i kapur rob gjatë Luftës dhe qe degdisur në kampet e punës për rindërtimin e veprave të artit të dëmtuara , si ura, rrugë, objekte dhe banesa. Inxhinieri italian quhej Bruxotto. I kishte rënë në sy inteligjenca e këtij fëmije, aq sa detyronte edhe xhelatët e kampit që suksesin e tij në mësime t’a afishonin në tabelën e emulacionit brenda kampit. Inxhineri një ditë ia bën me shenjë që t’i afrohej pranë. Fytyra e butë dhe sjellja e inxhinierit ku ravijëzoheshin dukshëm dashuria për jetën dhe të nesërmen e lirë, e afruan pa droje fëmijën Nikollë. Por edhe ajo ndjesi tek njerëzit e varfër që i nxit drejt shtigjesh të guximshme për gjetjen e një realiteti më të mirë. Inxhinierit i kishte bërë edhe përshtypje ky fëmijë me gjithë atë lodhje raskapitëse të përditëshme, por që nuk u ankua kurrë. Qe fëmijë që do të rritej me karakter të fortë. I tha dhe e bindi që të shkonte pas tij në punimet që ai bënte.

 

Të shkonte të mësonte zanat që të garantonte jetën e tij, se me transport buke, lodhjen e ka badihava, se nuk merr asnjë zanat e nuk do të merresh gjithë jetën me transport buke, jeta do të kërkojë sfida të reja për të përballuar, kjo nuk kishte asnjë perspektivë. Pas porosisë që të kyçte gojën për bisedën, të nesërmen e mori pas vetes në rindërtimin e shumë veprave që ndodheshin jashtë kampit. Kështu i “ndriti” fati i së ardhmes mes asaj shkretëtire që e mbulonte dhimbja dhe vuajtjet dhe që e kishte emrin kamp. Inxhinieri duke parë zgjuarsinë, inteligjencën dhe talentin e këtij fëmije, i qëndroi shumë afër duke mos i kursyer asgjë nga sekretet e profesionit dhe të zanatit. Dhe djali i vëmendshëm e dëgjonte dhe e respektonte “profesorin” italian, aq sa kur doli nga kampi në moshën 23- vjeçare, e zotronte në mënyrë të përsosur zanatin e gurgdhendësit dhe gurëskalitësit. Dhe tanimë qe një specialist i vërtetë dhe daltës e çekiçit nuk ju nda gjithë jetën. Lirimi nga kampi e riktheu në fshatin e lindjes, Pilur, ku ju përvesh punës për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga Lufta dhe objekteve të rënuara. Puna mjeshtërore si murator dhe skalitës guri ra në sy deri edhe tek ata qeveritarë. Kudo ndjehej fama dhe firma e dorës edhe vula e daltës së këtij mjeshtri. Dhe vjen drejt tij një kërkesë nga autoritetet zyrtare të kohës se duhej të merrte pjesë në ndërtimin e shkallëve dhe bazamentit ku do të vendosej përmendorja e Monumentit të Pavarsisë në Vlorë, ato që janë edhe sot. Qenë vitet 1970-1971 kur ustai bregas punoi këtu rreth shtatë muaj. Pas kësaj i ofruan edhe vepra të tjera si Muzeu i Himarës me drejtor të atëhershëm Dhamo Bollano, aty ku sot ndodhet godina e bashkisë së Himarës dhe gjurmët e ustait nuk janë zhdukur akoma. Rikonstrukton bazilikën e Vunoit dhe Pilurit e me rradhë dhjetra e dhjetra vepra arti. Familja e tij u internua se xhaxhai i tij, Pilo Prifti, u arratis pas një ngjarjeje tragjike në Bregdet që nuk kish lidhje politike. Mbi xhaxhanë e tij ranë akuzat, si për të gjithë të tjerët, si agjent i fuqive të huaja. Më pas u kap nga forcat e kufirit , por akuzat nuk ju vërtetuan kurrë. Familja Prifti në Pilur u internua si njerëz kundra rregjimit që punonin e kurdisnin plane për rrëzimin e sistemit komunist. Tani mjeshtri Nikolla bën një jetë të thjeshtë me një pension simbolik, mes pesë fëmijëve dhe nipave e mbesave. Në Shqipëri ka njerëz të thjeshtë që kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën tradicionale të ndërtimeve dhe rrëfenjat popullore. Siç parashkruam, ka ndërtuar edhe Muzeumin e Himarës që sot ndodhet bashkia dhe dukshëm gjenden gjurmët e duarve të tij. Këta zyrtarë e këshilltarë që hyjnë e dalin, hipin e zbresin shkallët ditë për ditë, nuk kujtohen të vlerësojnë punën e këtij skalitësi në kufijtë e mjeshtërisë, por mjaftohen vetëm me “usta Kola”, “dekoratën” që i ka dhënë komuniteti. Të paktën një mirënjohje për artin e derdhur nga duart e tij dhe imagjinata mjeshtërore, të derdhura kudo përgjatë Bregdetit. Dinjiteti, sakrifica, profesioni i këtyre njerëzve të thjeshtë nga e cila u buron madhështia dhe fisnikëria e tyre, duan pak mirënjohje, pak vlerësim, pak fjalë të ngrohta, në pamundësinë e së bërës së plotë të asaj që ata meritojnë. Sepse janë përpjekur të ngrenë vetëdijen e trashëgimisë tradicionale të popullit tonë përmes artit të tyre mjeshtëror. Janë nga ata që jo vetëm ndjehen shqiptarë, por janë gati të sakrifikojnë gjithshka për ta, pa bujë e zhurmë. Fatin dhe talentin e tyre e njësojnë me atë të popullit të tyre. Dhe futen tek ata njerëz “heronj pa emër”, por me një emër të madh që i kemi midis nesh dhe jo nga ata të deklaruarit me medalje, por nga ata që edhe vet nuk e dinë se janë madhështorë me talentin e tyre të spikatur, janë njerëz nga më të thjeshtët, nga më të vërtetët, të pashpallurit si “shpëtimtarë”, por që duhen gjetur në jetën e përditshme e të fiksohen në memorien e historisë së popullit tonë. Mirënjohje  Usta Kola!