Abuzimet me lekët e invalidëve. Prokuroria nis hetimin për Kserën

    376
    Sigal

    Reagojnë PNUD dhe Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar

    Në faqen zyrtare të saj, PNUD shpjegon se çfarë është në thelb projekti “Për promovimin e të drejtave të PAK”. Por për ta kuptuar këtë, duhet patjetër të njohësh mirë anglishten dhe pjesa më e madhe e personave me aftësi të kufizuar (pa përjashtuar dhe kategori të tjera) nuk e njohin këtë gjuhë. Dhe ndoshta, që këtu duhej të fillonte projekti, meqë jemi në kuadrin e ndërgjegjësimit për të drejtat e PAK, këta persona duhet të ndërgjegjësohen, të sensibilizohen dhe të dinë përshkrimin në shqip se çfarë po bëhet për ta nga PNUD. Por në mungesë të kësaj aksesueshmërie për PAK, po mundohem ta luaj unë këtë rol. PNUD nën programin e përgjithshëm të OKB-së dhe në partneritet të ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë dhe të shoqërisë civile, ndihmon Shqipërinë në përputhje me kërkesat e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KDPAK) për të ecur përpara në drejtim të përfshirjes sociale të personave me aftësi të kufizuara. Më konkretisht, UNDP ka ofruar mbështetje për të siguruar që: 1.Qeveria të marrë masat e nevojshme ligjore dhe politike për të ratifikuar Konventën mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. 2. Autonomia individuale dhe qasja në shërbimet themelore të personave me aftësi të kufizuara të përmirësohet përmes ndërtesave më të aksesueshme. 3.Qeveria qendrore dhe lokale, Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, media dhe biznesi të jenë të vetëdijshëm dhe të kenë njohuri për të drejtat e aftësisë së kufizuar.

    Një ndër arritjet e këtij projekti PNUD shënon Ratifikimin e Konventës mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në dhjetor 2012. Ndërsa zbardh financuesit e këtij projekti si dhe shpërndarjen e tyre në vitet 2010-2012. Sipas tabelës në faqen zyrtare janë shpërndarë gjithsej 530 000 dollarë. Por që ky projekt të realizohej dhe të shkonte deri në fund, duhej një fond prej 820 104 dollarësh, shumë për të cilën ka firmosur edhe ministri Ksera, sipas projektit të detajuar që gazeta “Telegraf” ka bërë publike në dy ditët paraardhëse. Por, sipas PNUD, ajo që është e publikuar është vetëm projektideja dhe ndërsa ishin alokuar 170 000 dollarë, mendohej që pjesa tjetër, prej 650 104 dollarësh ndoshta rrugës donatorë të ndryshëm do e përmbushnin këtë shumë. Ndërkohë që sapo e thamë më lart, që për këtë projekt, sipas faqes zyrtare të PNUD, janë shpërndarë gjithsej 530 000 dollarë. Pra, mesa unë kuptoj, ky projekt o nuk ka përfunduar dot për mungesë fondesh, ose shuma e lartpërmendur ka qenë e mjaftueshme për t’i shkuar deri në fund.

    Projektideja

    Po t’i referohemi projekt/idesë, firmosur nga ministri Ksera, për shumën prej 820 mijë dollarësh, janë dhe zërat e shpenzimeve. Ndër to përmendim udhëtimet (brenda për brenda Shqipërisë), të cilat janë parashikuar në kolonën e shpenzimeve 62 500 dollarë. Nuk e njoh dhe s’kam asnjë të dhënë për komoditetin e udhëtimeve.  Gjithashtu, zëri i printimeve shkon në 29 000 dollarë. Kush do të jetë kjo studio grafike që paska këto çmime të cilat u janë referuar mendimtarët e projektit. Po citoj këtu edhe zërin e konsultimeve lokale prej 133 000 dollarësh. Ndërsa për të bërë trajnime në kuadër të ndërgjegjësimit për të drejtat e PAK, janë marrë profesorë, të cilët sigurisht janë paguar për punën e tyre. Por a janë tatuar këta persona për këtë pagesë, konform legjislacionit shqiptar, a shoqërohet çdo aktivitet i bërë në kuadër të projektit me kupon tatimor? Për këto dhe gjithçka përsa i përket projektit, gazeta “Telegraf” do të ketë sot një bashkëbisedim me ekspertë të projekteve nga PNUD. Ndërsa Prokuroria dhe Krimi Ekonomik duhet të hetojnë se ku i ka shpenzuar Ksera milionat e personave me aftësi të kufizuar.

    FSHDPAK: Kemi shpenzuar vetëm 82 mijë dollarë

     I menjëhershëm ka qenë reagimi i Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar pas artikullit të djeshëm “Milionat e ndërkombëtarëve në duart e personave të veshur me pushtet”.  FSHDPAK sqaron se ka qenë njëri nga komponentët e këtij projekti dhe se shpenzimet e tyre llogariten në 10 % të shumës që është përmendur. Pra 10 %-shi  i 820 mijë dollarëve.

    Reagimi

    Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (FSHDPAK), si organizatë e shoqërisë civile, zbaton projekte të ndryshme, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës për personat me aftësi të kufizuar dhe familjet e tyre, me mbështetjen e donatorëve vendas dhe të huaj, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, që rregullon veprimtarinë e Organizatave Jofitimprurëse. Projekti të cilin ju përmendni në artikull, në qëllimin e tij kryesor, ka pasur disa objektiva, për realizimin e të cilave UNDP ka zbatuar këtë projekt dhe për këtë qëllim ka kontraktuar organizata lokale, ekspertë të huaj dhe vendas dhe staf tjetër shqiptar. Në nismën e UNDP-së, FSHDPAK ka qenë vetëm një nga komponentët e këtij projekti, i cili ka konsistuar në ndërgjegjësimin, informacionin mbi Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe legjislacionin vendas. Target grupi i përfituesve të aktiviteteve të zhvilluara në këtë kuadër kanë qenë: persona me aftësi të kufizuar, institucione shtetërore, si njësi të pushtetit vendor dhe institucione rajonale, gjykata, prokurori, universitete, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të medias et.. porsa i përket shifrës, për zbatimin e aktiviteteve të sipërpërmendura, FSHDPAK ka shpenzuar rreth 10 % të shifrës që ju përmendni. Të gjitha aktivitetet dhe  shpenzimet financiare janë kontrolluar dhe audituar nga kompani auditivi prestigjioze në nivel ndërkombëtar.