1200 fermerët e duhanit në Dumre mbesin pa bukë

    426
    Situata e rënduar me prodhuesit dhe shitësit e duhaneve në Dumre (Belsh) paraqitet tepër e rënduar dhe e pashpresë. Kjo situatë ka detyruar kreun e Shoqatës së Fermerëve të Duhaneve të Dumresë Petrit Paja të japë alarmin dhe të deklarojë se “1200 fermerët e duhaneve janë në pragun e krizës së thellë ekonomike”. Sipas zotit Paja “prej 4-5 vitesh firma e cila mbetet çuditërisht e vetme në blerjet e duhaneve të zonës tonë “Mika-Korça” duket sikur tallet me ne, blerjet ranë nën 70 për qind, kurse sivjet as 40 për qind e mbjelljeve nuk është realizuar dhe kjo ka sjellë humbjen e shpresës për të jetuar, punuar dhe mbajtur familjet. Qeveria dhe dikasteret tona duhet të ndërhyjnë urgjentisht, pasi jemi në pragun e katastrofës”. 
    Realisht fermerët e duhaneve në Dumre i kanë plevicat dhe magazinat plot me duhane, të cilat firma e vetme ua kërkon me çmime qesharake nga 80 deri 120 lekë kg, kur vetëm një apo dy vjet më parë çmimi ishte mbi 350 lekë kg. Kreu shoqatës Paja thotw se “ligji 8691 i datës 16/11/2000 nuk zbatohet nga firma dhe strukturat e shtetit, ndaj ne duam ndihmë, duam treg të liberalizuar, dhe jo të caktohet një firmë nga lart, e cila vepron si të dojë, vjen kur të dojë, cakton çmimin si ta dojë, dhe situata sa vjen dhe degradohet”. 
    Kriza e thellë ekonomike e cila ka pllakosur në 1200 familjet e fermerëve të duhaneve të Dumresë, mbetet edhe më e thellë se ajo e fermerëve të duhaneve të Shkodrës, të cilëve qeveria dy muaj më parë u shpalli “luftë” me gjoja pretendimin se “duam të ndalim informalitetin”, kur ata shesin kulturën e duhanit vetëm për të mbijetuar. Situata me fermerët e Dumresë ka vite që rëndohet, dhe ngjarjet e muajve të fundit e kanë bërë atë të pashpresë. Fermerët shprehen se “jemi si jetimë, të vetmuar, sikur jetojmë në Hënë dhe jo sikur jetojmë në një vend dhe shtet me ligje, me qeveri, me bashki dhe Prefekturë, me gjykata dhe organe drejtësie, të cilat na kanë fshirë nga lista fare”. Zona e Dumresë prodhon çdo vit me qindra e mijëra ton duhane, por prej 1 viti prodhimi ka rënë, madje ka fermerë që prodhimet e tyre i kanë groposur, apo dhuruar, vetëm e vetëm për të mos i shitur me çmimet qesharake, të cilat ja ofron firma. Kreu i shoqatës zoti Paja tha se “numurohen mbi 140 peticione, kërkesa, ankesa dhe denoncime të bëra nga Shoqata e Fermerëve të Duhaneve në Dumre qysh nga viti 2010 deri sot, ndaj padrejtësive, ndaj shkeljes së ligjit 8691, ndaj uzurpatorëve të tregut të shitje-blerjeve, ndaj drejtorëve të drejtorive në ministri, ndërkohë që deri sot kemi marrë premtime të shumta elektorale, nga deputetë, kryetarë bashkish, ministra etj, dhe nuk ka gjasa për zgjidhjen e problemeve tona, ndaj kërkojmë zbatimin e ligjit dhe liberalizimin e tregut, sigurinë për prodhimet tona dhe tregjet e sigurta për të dalë nga humnera ekonomike ku kemi rënë”. 
    Në rast se qeveria nuk ndërhyn me masa radikale për të ndryshuar situatën në Dumre, 1200 fermerët e asaj zone ndoshta brenda pak muajsh do të jenë të detyruar të shesin badiava jo vetëm prodhimet e tyre 3-4 vjeçare, por edhe tokat për t’i mbijetuar krizës së thellë dhe të pashpresë ekonomike, duke i dhënë fund mbjelljes, kultivimit dhe shitjes 200 vjeçare të duhaneve të një cilësie të lartë që ka ajo zonë, të cilat dikur njiheshin dhe preferoheshin nga tregjet e shumë vendeve të Europës. 
    Sigal