Sejmen Gjokoli: Ku janë ata burra që bënë historinë…?!

1304
Sigal

Shqipëri ç’të gjeti,
Mbete havadan,
Dhe pse ikin vitet,
Ti nuk gjen derman.

Tridhjetë vjet po shkojnë,
Që ke ndërruar faqe,
Po më shumë në “luftë”,
Se sa je në paqe.

Kërkojmë Evropën,
U bëmë lëvere,
Dhe zonja Evropë,
Prapë na lë pas dere.

Pleksur politika,
Guri s’e zë gurin,
Ditën e ndërtojmë,
Natën prishim murin!

Të gjithë hallakatur,
Për të marrë malet,
Sikur presim ditën,
Të veshim kambalet.

Kambalet dhe trastat,
Me bukë e me tesha,
Ca për tutje botës,
Ca për në protesta.

Ham e gam i shkuam,
Vajtëm kaqe vjet,
Ngre e ul reformën,
Si të ish byrek.

Ngre e ul të shkretën,
Në mëngjes e darkë
I riu dhe plaku,
Dhe foshnja në barkë.

Ka nja dy, tri vite,
Ekranet u çanë,
Reformë do bëjmë,
Do tundim dynjanë.

Nuk duam as bukë,
As ujë e as drita,
Veç të rrojë Brukseli,
Të rrojë Amerika!

Mbledhur komisionet,
Dhe ambasadorët,
Hip e zbrit avionët,
Në tufë, senatorët.

Këtu gjithë Brukseli,
Këtu tërë Evropa,
Këtu Amerika,
Këtu e gjithë bota.

Hidh e prit formulat,
Me fjali e shkronja,
Nëpër nene ligjesh,
Shkuar ditët tona.

Kush e kush për vete,
E bën llogarinë,
Ndërsa popull shkreti,
Pret për Drejtësinë.

Dridhu e përdridhu,
Nëpër deklarata,
Të tjera mëngjesi,
Krejt të tjera darka.

Populli i shkretë,
Sytë te ekrani,
Po këtu tek ne,
Vallen hedh shejtani!

Sa gjendet ujdia,
Hedh dikush një fjalë,
Dhe prapë nis shamata,
Si në ditë të parë.

Aty shkrihet gjaku,
Aty pikset prapë,
Si dhe koha vetë,
Me shi e me vapë.

Eh, moj Shqipëri,
Ç’hall që të ka zënë,
Ti që dikur kishe,
Ca burra të rëndë!

Kishe burra fjale,
Burra bese, kishe,
Feksnin jataganët,
Koburet fildishe.

Burra që i dolën,
Për zot’ Mëmëdheut,
Me zemër e gjak,
Nga të Skënderbeut.

Burra, zot kuvendesh,
Në log të Malësisë,
Burra besë lidhur,
Nga të Labërisë.

Burra që flamurin,
E ngritën në Vlorë,
Kur mbi këtë tokë,

Derdheshin taborë.

Po tani ç’u bënë,
Nga vajtën, ku janë,
As jemi të gjithë,
Një gjak e një farë?

Ç’është kështu, ç’po bëhet,
Prapë në presë të shpatës,
Gati që benzinë,
Ca ti hedhin flakës?!

Ca duan karriget,
Ca me to mbërthyer,
Duket për karrige,
Shqipëria shqyer.

Ndaj në një Kuvend,
Ulni historinë,
Ulni ata burra,
Që bënë Shqipërinë!

Uluni të gjithë,
Sa t’u plasë koka,
Në dot nuk e zgjidhni,
Ngrehuni dhe, hopa.

Nëna s’u ka borxhe,
Që e bëtë fërtele,
Në mes të Evropës,
Edhe rri pas dere.

Pa shikoni mirë,
Leni ca të rënda,
Se në daltë flaka,
Do t’u djegë brenda!

Se të shenjtë e kemi,

Pa fund e pa anë,

Amanet nga burrat,

Nga të parët tanë!