Ismail Xhaferi: Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

271
Sigal

(Në vendin tonë ndalohet gjuetia ndaj kafshëve, por jo ndaj njerëzve )

 

Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

O zot kush është armiku?

Qëlloi vëllai mbi vëllanë,

e s‘i lëviz qerpiku!

Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

O zot sa shumë të vdekur?

Qëllon i biri mbi të atin,

sikur qëllon një lepur!

 

Po shtohen krimet dita- ditës,

se krimi është në gen.

Qëllon babai mbi të birin,

sikur qëllon një qen.

 

Qëllon kunati mbi kunatën,

kudo shohim tmerrin.

Qëllon komshiu mbi komshiun,

ish- dhëndri qëllon vjerrin.

Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

Të gjithë tani e dini,

se krimi nuk ka frikë nga ligjet,

ka ligji frikë nga krimi.

 

Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

Sa plagë të mëdha!

Edhe gjithë populli të vritet,

dënim me vdekje s’ka.

 

Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

Shumica të vrarë kot.

Nuk gjen një ditë që s’derdhet gjak,

ku shkojmë kështu o zot?!

Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

Nuk kanë as ligj as fe.

Përditë të vrarë pa një arsye,

shumica moshë e re.

 

Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

Sa gjak i derdhur kot!

Të vret komshiu ditën në drekë,

për dy-tre metra tokë.

Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

Kudo në Shqipëri,

ku burri gruan mbyt me duar,

sepse i thotë mos pi!

Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

Tani s’përbën çudi:

Kërcet koburja në lokale,

përse më pe në sy!

Sa shumë të vrarë në vendin tonë!

(Sa njerëz të pështirë!),

kurr burri plak godet mbi plakën,

sepse s’gatoi mirë.

Sa shumë të vrarë në vendin tonë,

po ecim në rrugë qorre!

Kaq shumë viktima nuk i mori,

as Luftë e Dytë Botërore.

Sa shumë të vrarë në vendin tonë,

çdo ditë dhe vazhdimisht,

dënimi i vrasësve me vdekje,

do kthyer urgjentisht.