Ismail H. Xhaferri: Udhëve të Gjirokastrës

1188
Sigal

Udhët ngjiten, udhët zbresin

Hesht kalaja me bedena,

Ec ngadalë o udhëtar,

Ec ngadalë, se zgjon legjendat.

 

Tek qyteti përmbi shkëmb

Çdo rrugicë një shteg lirie,

Dhe çdo pllak që të sheh syri,

Është një faqe historie.

 

Ec ngadalë, se zgjon Argjiron

Poshtë kalasë e rënë në koma,

Gjirokastra kish Argjiro

Kur ende s’kishte shqiponja!

 

Ndal tek “sheshi i Çerçizit”,

Ç’kish të shenjtë ia dha vatanit,

S’ka furtunë në mal të Gjerë,

Po në gjoks të kapedanit.

 

Prapë në këmbë aty tek sheshi,

Prapë në këmbë për mëmëdhenë,

Kapedanët kurrë nuk shtrihen,

Luftëtarët kurrë nuk flenë.

 

Ec ngadalë, o udhëtar!

Hidh vështrimin nëpër male,

Se zbret Muzo Asqeriu

Me një trastë me ideale!

 

Ndalu tek Bulja, Persefoni,

Dridhet rrapi në litar

Tek dy vajzat që i varën,

Ndalu pak, o udhëtar!

 

Vajzat labe janë aty

Si shqiponja nën kala

Vetëm rrapi ku i varën

Ndjeu dhimbje dhe u tha.

 

Ec ngadalë në Gjirokastër

Siç ecën në qiell reja,

Se diku nëpër sokaqe

Mund të shfaqet Musineja…

 

Ndalu tek porta e Çabejit

Rri në heshtje dhe dëgjoje!

Gjuha shqipe gurgullon

Porsi uji në “shtatë kroje”.

 

Eh, Çabej që e ke bërë

Gjirokastrën më krenare,

Ti, shenjtor që shënjtërove

Gjuhën tonë amtare!

 

Gjithë qyteti me lavdi,

Gurët – rrënjë e rrënjët – gur,

Ku merr frymë nga Kadareja,

“Një kronikë” që nuk vdes kurrë.

 

Ndal dhe shiko shtëpitë,

Çdo shtëpi simbol kështjelle,

Gjithë qyteti në shtatë kodra

Hapur si palë fustanelle.

 

Udhët ngjiten, udhët zbresin,

Hesht kalaja me bedena,

Ndalu pak, o udhëtar,

Ndalu pak, se zgjon legjendat…