Çlirim Hoxha/Ëndrra me sy hapur…

449
Sigal

Ai ka dhënë urdhër. Të gjithë të vishen me ngjyrën blu. U mendua gjatë për këtë urdhër që do të jepte. Analizoi fenomenet e natyrës, qiellin, detin, lumenjtë (veç lumit të verdhë). Shkoi në laborator dhe bëri një eksperiment dhe molekulat i dolën blu. Interesant tha me vete, ngjyra e kuqe qenka zhdukur. Blu koka e gazetës së tij, blu flamuri i partisë së tij, blu edhe dy gishtërinjtë e ngritur lartë, si në kohën kur kërkonin liri dhe demokraci?! Si ka mundësi, tha me vete. Ne lirinë dhe demokracinë ja prumë këtij populli dhe përsëri na ngelën dy gishtërinjtë lartë edhe tani që jemi në pushtet?! Por ai nuk hoqi dorë nga ngjyra blu, paçka se në rininë e tij kishte qenë një i kuq i lyer me bojë. Kishte qenë një komunist, por jo dosido, por komunist me tesër partie, komunist nga ata që të merrnin gjak në vetull, komunist nga më të besuarit, ulur këmbëkryq mbi tapetet e vilave të bllokut!

Eh, si janë këto punë, tha me vete. Ta dredhësh sot është gjëja më e bukur që mund ti ndodh një tokësori. Në fund të fundit komunizmi po vdiste. Anija e tij kishte marrë ujë dhe po fundosej. Unë e kuptova i pari dhe u hodha në krahun tjetër. A bëra mirë? Po mirë bëra, se në fund të fundit njeriu një jetë ka. Radiogrami që më erdhi nga larg më bëri mirë. Ku merrnin vesh disa student të hallakatur se si krijohej dhe funksiononte një parti politike. Unë po. Unë vija nga Partia e Punës. Unë isha sekretar partie. Unë të ndëshkoja rëndë nëse shkelje parimet e partisë sonë të lavdishme. Kështu që ua futa të gjithëve dhe morra në dorë frenat e lojës. Kjo ishte shumë  e rëndësishme për mua, por më duheshin edhe disa besnik të paguar mirë, të hurit dhe të litarit, që të rinin sus të tjerët, atyre që u kruhej bytha, desha të them. Dhe ja, u bëra i pari i këtij vendi të lashtë. Kisha lexuar diku një thënie të Havelit për komunistët dhe kjo më nxiti shumë. Haveli kishte vënë re gjatë ndryshimeve politike në vendin e tij se, komunistët ekstremist ishin kthyer në antikomunista të tërbuar. Kjo më ngjiste edhe mua, pasi që të bëhesha i besueshëm në sytë e perëndimit, por edhe shtresave klasore të përmbysura nga komunizmi në Shqipëri, duhet të kthehesha brenda ditës në një antikomunist të tërbuar. Të mos i lija kusur komunizmit, etërve dhe bijve të tij dhe të them të drejtën ja kam arritur me shumë sukses. Besueshmëria ime ishte absolute tek amerikanët dhe evropianët. Ata nuk kishin ku të mbështeteshin dhe kujt ti besonin dhe më besuan mua. A e dini çdo të thotë të jesh i pari i vendit dhe të kesh në dorë të gjitha pushtetet? Me siguri nuk e dini. Në kohën tim si njësh që isha, shkelej banania me këmbë dhe mua më flisnin, “njeriu i bollëkut”. Po ku e kuptonin ata budallenjtë. Hanin parat e njëri-tjetrin në firmat piramidale dhe brohorisnin për mua, hahaha. Eh, nuk dua ta kujtoj më atë kohë. U lash teren komunistëve dhe e lash pushtetin nga ca palo komitete që ishin krijuar në jug. Por edhe në opozitë ujë të zi nxora. Me molotovë e sulmova godinën e qeverisë. A e patë se si ja mbathi kryeministri, hahaha. Po ta kishim kapur dot, do ta rripnim të gjallë. Ishte rasti i hakmarrjes së madhe ndaj liderit të vrarë të dhjetorit, ishte një puç i mirëfilltë shteti…Sa për të qeshur me vjen me mbretin e ndjerë. E ndërzeva rrugëve të Tiranës dhe ai, Ai me uniformë ushtarake dukej si kolonelët e grusht-shtetit në Amerikën Latine…hahaha, gallatë e madhe ka qenë atëherë.

Unë e dija që do vija një ditë përsëri në pushtet dhe nxita përçarjen mes të majtës. Socialistët nisën të xhelozonin mes njëri-tjetrit aq sa u ndan më dysh dhe ma dorëzuan vet pushtetin. Hajde të ma marrin më tani. A e keni dëgjuar atë thënien ju: “Në u bëfsha edhe një herë nuse, di unë se si nusëroi”. Kam 8 vjet në pushtet dhe këtë radhë kam bërë para të madhe. Jo unë personalisht, pasi unë njihem si njeri i ndershëm, por ata, ata pra rreth meje, desha të them. Puna ka arritur deri aty sa që, askush nuk e mban dot pushtetin pa u pasuruar në këtë vend. A e keni parë liderin e opozitës? Ka mbledhur rreth vetes biznesmen nga frika ime. Por ata të mijë janë më të pasur dhe, nëse populli nuk ua jep pushtetin, ne e blejmë atë. Puna ka shkuar tek buka e gojës, lere çfarë përrallisë unë se gjoja jemi vendi i katërt në botë e i dyti në Evropë. Ky hanë pykë këta budallenjtë, këtyre jepu tremijë lekë dhe ua bleve votën. Ku e kuptojnë varfanjakët se ç’është vota dhe çfarë rëndësia ka ajo.

Eh, ai Gërdeci ma prishi pak terezinë, por ku e lëshoja pushtetin unë, jeni në vete?! U vranë atje 26 persona, por faji nuk është i imi. Çdo Ber varet nga këmbët e tija, thotë populli ynë i mrekullueshëm. E pa e gjithë bota atë bombë atomike që shpërtheu atje. Unë e di se si e kam kaluar këtë rast, por e hodha lumin ama, u ngjalla nga hiri im si Feniksi. Unë kalova 97-tën me 2000 të vrarë e më jo këtë rast?! Ata të mjerët po hanë dhe, kurse unë jam këtu në majë akoma. Edhe ai 21 janari i mallkuar na hapi telashe. Por unë nuk mund të lejojë që të më futen ca horra bulevardi brenda në zyrë. Po, po, desh mu futën në zyrë, por edhe unë ama kallashin mbi tavolinë e kisha. Le të vinin po t’ua mbante. Dhashë urdhër për të qëlluar. Po pse, si mendoni ju, mua të më kapnin të gjallë brenda në zyrë dhe të më vrisnin?! Jo, nuk e lejoja unë këtë, prandaj urdhërova të qëllohej. Duhet të vriteshin disa që të frikësoheshin të tjerët. Dhe kështu ndodhi, u vranë 4 në bulevard, sigurisht me rikoshetë, por ama ishin të armatosur. Specialistët e mijë më raportuan për çadra pistoletë, për stilolapsa pistoletë, për bomba molotovë. Ishte e domosdoshme të justifikoja vrasjen e 4 protestuesve përpara botës dhe ata e hëngrën në fillim. Vet e kruajtën, në fund të fundit, mua s’ma merrnin dot pushtetin me puç gazetarësh, horrash dhe laviresh. Le t’ia bëjnë gam-gam sa të lodhen, mua as që ma ndjen fare për ta. Që nga ajo ditë opozita naaaaa, është bërë si pulë dhe nuk ja mban të dal më në protesta. Kjo më interesonte shumë për imazhin tim dhe të qeverisë time. Si? Po më sulmon ai i gjati në Twitter, hahaha, por unë zgjodha feisbook-n dhe kam shumë më tepër lajkatar se ai. Ja, ja këtu duket mbështetja. 21 janari dhe Gërdeci kanë mbetur pas tani. Shqiptarët e kanë kujtesën të shkurtër, pasi s’kanë bukë për darkë dhe kur s’ke bukë për darkë i harron gjërat e tjera shumë shpejtë. Bota e ka ndryshe, bota ngrihet, por këta nuk ndihen. Sa herë u rrit çmimi i bukës, por asnjëri nuk u ngrit!

O më lumtë, o më lumtë…pa dale? Ka dal dhe ky Kreshniku tani dhe po na çan trapin me Aleancën kuq e zi! Topin nuk e llogaris fare, këtu e pata, unë e bëra president. Jo pa qëllim u ktheva në Vlorë në 4 dhjetor dhe bëra atë deklaratë bombastike për pasaportat e gjithë shqiptarëve. Tani do t’ia tregoi unë atij Spahiut dhe atij të gjatit. Do fitojë në 23 qershor në mënyrë spektakolare, hahahaha….! Do vijnë të votojnë me mijëra për mua, nga çdo anë ku ka shqiptar. I kam marrë masat dhe projekti im sekret ka nisur të zbatohet. Ata budallenjtë mbahen pas koqeve të ndërkombëtarëve, hahaha. Po ku pyes unë për ndërkombëtarët more…! A e pat? A e pat në 8 maj se si ua punova? Përveshën mëngët ndërkombëtarët dhe i mbanin sytë aty tek kutitë, por ka magjistar këtu, ka magjistar këtu që ta bënë dhjetëshen njëqindshe sy më sy. Eh, punë  e madhe. Unë kam koalicionin më të madh në historinë e pluralizmit shqiptar. I kam futur në thes të gjithë të vegjlit. Edhe me atë kokë viçin e kam rregulluar, vetëm se ai do ta provoj vetë njëherë. Slogani im është më i bukur dhe më joshës, pasi përfundon me fjalën kuptimplote, “Për para”. Dhe këta të mijtë dhe ata aleatët, që thoni ju, heqin edhe brekët për para.

Nuk e di, mos më bënë ndonjë puç ky i gjati me atë ish presidentin dhe me atë zëvendësin e tij të KLD-së? Desha të them, ndonjë koalicion të përbashkët kundra meje, megjithëse deri tani ata janë deklaruar kundër. Por këta dreqër nuk po më lënë rehat. Ka nxjerr ai i gjati atë deputetin e Librazhdit dhe po më nxjerr bojën me fëmijët e mi. Ata janë të ndershëm, unë i njoh mirë, e nxjerrin euron nga varri. Po edhe unë kusur nuk po i le me atë zëdhënësen time bukuroshe. A e pat sa fansa ka ajo në fb? Edhe unë po e sulmoi nga e shoqja me atë pallatin me 5 kate. Po ku i njihnin ata të Fiksit ata demonstruesit ta haj dreqi ta haj. I gjithë personeli i Qytetit Studenti ishte atje. Ata janë njerëzit e mi dhe më duheshin në atë protestë. Thonë se kur je në pushtet është gomarllëk të nxjerrësh njerëzit e tu në protestë kundër opozitës?! Po pse, a nuk u kujtohet në kohën e komunizmit, kur Partia e Punës nxirrje punëtorët në protesta kundër burokratëve të saj. Më ka mbetur fiksim ajo kohë dhe hera herës u hedh ndonjë sy veprave. S’ka asgjë të keqe të imitosh disa ngjarje, por me sens të kundërt ama.

Më duhet se s’bënë fitorja e 23 qershorit, ndryshe ata do më fusin në burg. Për këtë po punoi me të gjitha forcat, megjithëqë nuk kam dhe aq shumë lekë këtë radhë. Ja, sa të marrim lekët e atyre katër hidrocentraleve dhe të Albpetrolit dhe të më shohin pastaj. Investime do bëjë në çdo fshat. Këtyre të opozitës u plaçin sytë, pasi unë e mbusha vendin me autostrada dhe rrugë, paçka se me borxhe, por borxhet këta do ti paguajnë, hahaha.

Desh harrova dhe u futa thellë. E nisa me urdhrin tim të vjetër, që të vishen me blu të gjithë. A i keni parë drejtorët e mi, i kanë lyer me blu të gjitha institucionet. Po televizionet e mi, a i keni parë? Me blu i gjithë ekrani, nuk të sheh syri ngjyrë demash. Tani do urdhëroi që të gjithë anëtarët e mijë të vishen vetëm me blu. Blu palltot, blu pulovrat, blu kamishat, blu fustanet apo fundet, blu pantallonat, blu sytjenat, blu çorapet, blu këpucët, blu shallet, blu brekët apo tangat, blu cigaret, blu tymi, blu fjalët, blu lugët, blu buka dhe blu gjella…uf sa u lodha. Çdo gjë të jetë blu dhe vetëm blu…A e keni dëgjuar atë këngën e njohur “Mami blu”? Me siguri e keni dëgjuar. Ja kështu blu dua të jem edhe unë në 23 qershor. Thonë se kënga “Berisha blu”, mami blu, desha të them, është ters, por unë nuk e besoj.

Ai propozimi që më bënë një ditë për ta zëvendësuar flamurin kombëtar me flamurin e partisë time, të them të drejtën më joshi shumë. Në fund të fundit Shqipëria lindi kur u krijua partia ime dhe jo në kohën e Malos së Vlorës. Ja, edhe Ahmetin e vura në piedestal dhe pres shpërblimin tani. Sa për Malon e Vlorës, atë e nxora nga muzeumi ku i kishin zënë frymën dhe i dhashë lirinë e merituar, andej prapa në lulishte. Ata çamërit e Vlorës kishin bërë një shtatore gjigante për Malon, më thanë. Le ta mbajnë për vete, u thash. Unë kam Ahmetin tim dhe më këtë do t’i fitojë zgjedhjet. Po më sulmojnë keq këta të opozitës tani. Helbete, ka nisur fushata elektorale dhe duhet të jem më agresivë kundër bllokuesit të integrimit. Duhen më shumë shpifje, më shumë konferenca shtypi. Ah, që nuk e nisa më parë këtë punën e feisbookut, do kisha bërë konferenca shtypi edhe unë atje. Sa e vështirë është të jesh në krye të qeverisë, ku të këndojnë 1 milion gjela në kokë. Po nuk fitova zgjedhjet e 23 qershorit e hëngra. Do më fusin në burg dhe do na i sekuestrojnë të gjitha ato që kemi krijuar pas thirrjes time “Shqipëria 1 euro”. Puna jonë është punë muti, punë të mirë ka çifuti…