Zhuliana Jorganxhi: Pasioni nuk mund të shkëmbehet me të holla

675
Sigal

 INTERVISTA/ Flet poetja e veçantë e femrave shqiptare Zhuliana Jorganxhi:  “Flijova” shumë dhembje “të ndaluara”

 Vijon nga dje

Thjeshtësia e saj të habit.  Muzikaliteti i bisedës të përçon një ndjesi, për të mos ndalur së foluri. Dhe pse në emigracion dhe pse jeton në një qytet (Trieste) nga më të bukurit në botë, sytë, zemra dhe mendja e saj janë në Shqipëri. Atdheu është i shtrenjtë dhe kur je larg bëhet dhimbje e madhe, thekson ajo.  Kur flet për librin ajo thotë: “Të mijtë qeshin me mua duke më thënë: kudo që shkon, një bibliotekë ndërton!”

 A do ta ndryshonit këtë profesion me një profesion që do t’u bënte të pasur?

Kurrën e kurrës! Pasioni nuk mund të shkëmbehet me të holla.

 Në emigracion?

Ju thashë dhe pak më lart, që këtu në Trieste të Italisë ndihem shumë mirë. Nuk më mungon asgjë për të patur një jetë komode. Jam e rrethuar nga njerëzit e mi të dashur, që më respektojnë dhe më duan, po ashtu dhe unë ata. Gjithashtu, kam miq italianë që më respektojnë dhe më duan sinqerisht. Pastaj miqtë shqiptarë nuk më mungojnë asnjëherë.

A mendoni të ktheheni në Shqipëri?

Tash për tash nuk ma lejojnë kushtet që të vij, ndoshta në një të ardhme nuk i dihet…Atdheu është i shtrenjtë dhe kur je larg bëhet dhimbje e madhe…Këtu në Trieste edhe ëndrrat në gjumë janë në Shqipëri. Në Shqipëri kam njerëzit e mi të dashur si vëllain e madh Rikardin, me bashkëshorten e tij Antonetën, një grua kjo e shkëlqyer, që ju shërbeu deri në fund prindërve të mi dhe sa herë vij në Shqipëri më pret krahëhapur dhe gjithë mirësi, dy fëmijët e tyre Albën me bashkëshortin e saj z.Sandër Simoni dhe djalin, nipin tim Lambertin.

Zemra ime tani është e ndarë në tresh: Në Shqipëri, në Trieste dhe në Kanada (Toronto), ku kam vëllain e vogël, Edmondin me bashkëshorten e tij të dashur dhe të respektuar Dritën dhe dy vajzat: Erlisin dhe Jerinën.

 Sa jeni e lidhur me librin, po me shtypin?

Gjithë jetën, qysh se kam filluar të mësoj të lexoj unë kam lexuar dhe lexoj shumë. Atë që të jep libri nuk ta jep askush. Kur erdha këtu në Itali, njerëzit e mi e dinin dobësinë time për librin dhe që të nesërmen më çuan në librarinë më të madhe të Triestes. Aty më dogjën sytë nga lotët. Po gjeja librat që më kishin munguar gjatë jetës sime. Ata autorë që dikur ishin herezi, i kisha tani para syve dhe i preka si të prekja ikona. Në sajë të ndihmës së madhe të familjes së motrës sime, kunatit dhe fëmijëve të tyre shumë shpejt kam krijuar një bibliotekën time me gjithë autorët e mi të “munguar” dhe aq të dashur për mua. Aq sa të mijtë qeshin me mua duke më thënë: “Kudo që shkon, një bibliotekë ndërton!” Sa për shtypin, atë shqiptar e lexoj “tangent” nëpërmjet internetit. Lexoj me vëmendje vetëm faqen e kulturës. Edhe kompjuterin, që më lidh me gjithë botën e kam dhuratë nga njerëzit e mi të dashur.

Jeni xheloze ndaj kolegëve dhe përse?

Nuk kam xhelozi për askënd dhe as kam pasur. “Secili në këtë jetë, më thoshte e ndritura nëna ime, e ka pjesën e vet, ndaj s’duhet të kesh zili për askënd”. Gjithë jetën time kam parë punën time dhe me kolegët gjithmonë kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera. Këtë e tregon dhe libri “Dhembje e ndaluar”, ku një e treta e librit u kushtohet miqve dhe mikeshave të mia,  ish- kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të mi, të cilët i ndjej akoma më afër tani që i kam larg.

Ushqimi i preferuar?

Mishi i gatuar mirë dhe bukur me zarzavate.

Pengu juaj në jetë?

 Që  “flijova” shumë dhembje “të ndaluara” gjatë karrierës sime si poete, si unë dhe bashkëmoshatarët e mi poetë. Shumë poezi dhe tekste, që në rininë tonë u politizuan mund të kishin dalë tekste lirike, të ndjera dhe sot artdashësit tanë do të kishin pasur akoma më shumë këngë të bukura. Kam edhe dy pengje, të cilat shpresoj një ditë t’i vë në jetë: Një libër me tekstet e mia më të realizuara  dhe një libër kujtimesh për punën e kryer si poete dhe redaktore letrare në RTVSH.

 Botimet

Aktivitetin e saj letrar e ka filluar herët dhe që prej moshës 17 -vjeçare, poezitë e saj shohin dritën e botimit në gazeta dhe revista si “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Nëntori” dhe “Les lettres albanaise” etj.. Ka botuar libra me poezi si “Net’ provimesh”(1969), “Rritje”(1971) ,”Lule në pemën e lirisë” (1982) vëllimin me tregime për fëmijë “Fëmijët e teto Nastës”(1975), “Gaqo Jorganxhi dhe grupi “Lira” (Monografi letrare) (2005), vëllimet me poezi “Dhimbje e ndaluar” dhe “Dhembje e bukur”(2008).

 Çmimet

Ka marrë pjesë në konkurse letrare kombëtare dhe ka fituar dy herë çmimin e dytë dhe të tretë për poemat e saj. Por, aktivitetin e saj më të madh, krahas poezisë dhe tregimit, e ka zhvilluar pas vitit 1974 në gjininë e tekstit poetik të këngës. Është autore e mbi 2000 teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në RTSH dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e RTSH, si ai “Kur vjen pranvera”, “Këngët e stinës”, dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Përveç krijimtarisë së saj poetike ajo ka qenë redaktore letrare e gjithë teksteve të festivaleve për mbi njëzet vjet. Është fituese e nëntë çmimeve të para dhe shumë të tjerave në festivalet e fundvitit dhe në koncertet “Kur vjen pranvera” dhe “Këngët e stinës”.

Jashtë

Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Holandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni.
Në vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit, në 40- vjetorin e Festivalit të Këngës në RTSH më 2001, iu dha ÇMIMI I KARRIERËS dhe në vitin 2005 mori çmimin e “Mirënjohjes” nga RTSH.
Ndër tekstet poetike të këngës mund të përmendim: “Jon”, “Se kënduam Let it be”, “Jeto dhe jetën time”,”Bashkëmoshatarët”, “Në duart e nënës”, “Jemi emri i vetë jetës”, “Kthehu për vete, për mua!” , “Ne, bijtë e lirisë” etj..

Politika shqiptare

E larguar prej shumë vitesh nga Atdheu e kam zor t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Po do të desha më shumë kulturë dhe profesionalizëm nga politikanët tanë. Duhet të kenë më shumë dhembshuri dhe dashuri për këtë popull dhe për këtë vend të shumëvuajtur. Në festivalin e fundvitit 2005 me mjeshtrin e madh të këngës Luan Zhegun dhe këngëtaren e mirënjohur Albëri Hadërgjonaj çoi me tekstin këtë mesazh:

                “Ti jo, mos u gëzo, kur unë dëshpërohem!
Ti, mos u pasuro, kur un’ varfërohem!”