Veveçka: “Ndërsa harxhohen miliona për “Big Brother”, për shkencën s’jepen as qindarka”

646
Sigal

INTERVISTA/ Flet fizikania, Akademike Afërdita Veveçka

Prirjet e saj në moshën e adoleshencës ishin kryesisht ndaj shkencave ekzakte. Sipas saj niveli i mësimdhënies në Fizikë në  kohën kur ishte studente ka qenë mjaft i mirë; kishin pedagogë të përgatitur, të përkushtuar dhe që sigurisht kërkonin shumë. Në monizëm si arritje të fizikës përmend, krijimin e Institutit të Fizikës Bërthamore, fillimisht si shtojcë e Universitetit të Tiranës dhe pastaj si Institut me vete. Sot për shkak të  kontakteve me botën dhe të ekzistencës së mjeteve të shumëllojshme të marrjes së informacionit (si internet, bibliotekat on-line etj.), është krijuar mundësia që tekstet e mësimdhënies të jenë bashkëkohore, dhe jo si në monizëm që e vetmja literaturë e huaj ishte nga Bashkimi Sovjetik, dhe ajo shpesh e vjetërsuar.

Përse zgjodhët degën e fizikës  për të studiuar?

Zgjodha degën e fizikës për disa arsye: e para në shkollë të mesme kam qenë nxënëse e mirë; e dyta ambienti në familjen time ishte i prirur ndaj shkencave ekzakte (babai im që kishte mbaruar Universitetin në Itali për Kimi, ishte mësues i Kimisë dhe  Fizikës në shkollat e mesme të Tiranës); e treta në mes të viteve ’60 kur unë mbarova gjimnazin konsideroheshin të preferuara fakultetet e shkencave ekzakte (ndryshe nga sot). Mund t’ju them që vetëm nga klasa ime e gjimnazit ishin në Fizikë (ose Matematikë) 8-9 veta, ndonëse disa e ndërruan degën më vonë.

Si ka qenë niveli i mësimdhënies në UT në fizikë në regjimin komunist?

Niveli i mësimdhënies në Fizikë në  kohën time ka qenë mjaft i mirë; kishim pedagogë të përgatitur, të përkushtuar dhe që sigurisht kërkonin shumë. Ata jo vetëm na mësuan shumë, por edhe na shërbyen si shembull në vitet e mëvonshme, kur i kishim kolegë.

Cilët kanë qenë fizikanët më në zë në sistemin monist dhe a njiheshin arritjet e shkencës së fizikës sonë jashtë Shqipërisë?

Ka patur mjaft fizikanë të spikatur në kohën e sistemit monist. Duke kërkuar falje paraprakisht për ndonjë që mund të mos e kem përmendur pa dashje, po e nis nga Prof. Kuneshka që është një nga themeluesit e fakultetit te Fizikës në Shqipëri, për të vazhduar më tej me Prof. N.Thomo, Prof. S.Koja, Prof. R. Mejdani,  Prof. K.Qendro, Prof. D. Spahiu, Prof. L.Aliko, Prof.I.Prifti, Prof. F.Vila, etj.  Duke qenë se Shqipëria ishte një vend i mbyllur dhe mundësitë e kontakteve me jashtë Shqipërisë (pjesëmarrja në konferenca, shkëmbimi i eksperiencës, botime në revista jashtë shtetit, literatura e munguar), ishin pothuajse zero, arritjet e shkencës sonë të Fizikës nuk njiheshin jashtë Shqipërisë (sikurse edhe në fushat e tjera). Mendoj që kjo i ka sjellë një dëm të madh shkencës shqiptare në përgjithësi dhe asaj Fizike në veçanti.

Ku ju gjeti demokracia dhe cili ishte pozicioni i juaj në atë periudhë?

Gjatë gjithë kohës, që kur mbarova shkollën, pra edhe kur erdhi demokracia kam punuar në universitet si pedagoge (pa ndonjë post drejtues). Sigurisht që e përkraha, e mbështeta demokracinë që në fillim, nisur edhe nga origjina e familjes time dhe e bashkëshortit tim, familja e të cilit i përket shtresës së të përndjekurve nga rrëgjimi komunist. Sa për dijeni në familjen time nuk ka patur asnjë anëtar të PPSH. Kam përkrahur grevën dhe protestat e studentëve, duke marrë pjesë personalisht në protesta. Në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit, kam qenë e pranishme në sheshin “Skënderbej”, bashkë me kolegen time që tani ndodhet në SHBA.

 Sot flitet për korrupsion në radhët e pedagogëve. A është e vërtetë dhe cili është mendimi juaj për këtë fenomen të shëmtuar?

Nuk mendoj që në radhët e pedagogëve ka korrupsion “galopant”. Besoj që korrupsioni ekziston dhe në universitet, sikurse edhe në qelizat e tjera të shoqërisë shqiptare, por mendoj që perceptimi për të, të paktën  në universitet, është shumë më i ekzagjeruar se sa vetë realiteti. Madje mund të them se në universitet korrupsioni, përfshirë gjithë format e tij, është më i pakët se në strukturat e tjera të shoqërisë sonë. Pa diskutim që është një fenomen i shëmtuar  dhe për më tepër shembull negative për brezat e ardhshëm që edukojmë.

 Në këndvështrimin tuaj cilat janë problemet më të mëdha të fizikës sot në Shqipëri?

Fizika siç e dinë të gjithë, është një shkencë eksperimentale (madje edhe studimet teorike mbështeten në të dhënat eksperimentale) dhe një nga problemet e fizikës në Shqipëri është mungesa e aparaturave të nevojshme qoftë për kërkim shkencor, qoftë për mësimdhënie (si punë laboratori, punë e pavarur e studentëve etj.) . Një tjetër problem që është evidentuar vitet e fundit është mungesa e kuadrove fizikanë të mirë përgatitur. Duke filluar nga vitet ’90 kur ndërroi sistemi, për fat të keq, ne degën e Fizikës (që është degë e vështirë dhe jo shumë e preferuar) shkojnë studentë relativisht të dobët dhe sigurisht kjo e jep efektin në produktin përfundimtar dhe ka efekt afatgjatë në përgatitjen e brezit të ardhshëm, sepse mësues fizike të dobët do përgatisin më vonë nxënës të dobët.. Mendoj që qeveria, strukturat përkatëse duhet të stimulojnë formimin e kuadrove në degët teknike përfshirë këtu fizikën dhe matematikën. Mendoj gjithashtu që sa më shumë teknicienë të mirë të ketë një vend, aq më i qëndrueshëm është zhvillimi i tij. Madje vihet re që në vendin tonë ato që promovohen, financohen, reklamohen më shumë, janë veprimtaritë artistike, sportive apo spektaklet e ndryshme, ndërkohë që aktivitetet shkencore janë jashtë vëmendjes. Është për të ardhur keq, që është e pamundur të sigurosh financim (edhe nga biznesi privat) për organizim apo pjesëmarrje të një konference shkencore, ndërkohë që harxhohen miliona lekë për spektakle të tipit “Big Brother”.  Pa mohuar  rolin e artit në shoqëri, mendoj që është shkenca dhe teknologjia ato që e çojnë përpara zhvillimin e shoqërisë.

Kohët e fundit jeni bërë anëtare e Akademisë së Shkencave, ç’përbën ky titull shkencor për ju?

Sigurisht jam shumë e kënaqur që jam bërë anëtare e Akademisë së Shkencave, dhe ky titull përbën kurorëzimin e karrierës time shkencore. Dua të them se kam investuar shumë gjatë viteve në aktivitetin mësimor dhe shkencor dhe gjithçka e kam arritur “me forcat e mia” dhe me punën time, pa asnjë mbështetje politike apo te ndonjë lloji tjetër.

Një përkufizim për dashurinë? 

Një pyetje shumë e vështirë, sepse ndonëse kanë kaluar shekuj, asnjeri nuk ka mundur të japë një përkufizim për dashurinë. Për mua dashuria (përfshirë gjithë format e saj), është ndjenjë e brendshme, preferencë, afeksion, pajtueshmëri, një formë e lartë tolerance, etj. Po përmend këtu një thënie te Shekspirit ” Duaji të gjithë, besoji pak vetëve, mos i bëj keq askujt”

Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë?

Ndershmëria, korrektesa, përgjegjshmëria.

Një ditë pune e zakonshme?

Dita e punës nuk është e njëjtë. Zakonisht pjesën më të madhe të kohës e zë mësimi dhe  përgatitja për mësimin, sepse ndonëse kam 42 vjet që jap mësim vazhdoj të përgatitem seriozisht. Pastaj kam angazhime të tjera si udhëheqje diplomash, udhëheqje disertacionesh që janë të lidhura me punën shkencore apo me lexim literature, shkruajtje artikujsh, hartim projektesh etj. Mund të them që dita e punës vazhdon edhe në shtëpi, ku nuk ndahem dot nga libri apo kompjuteri. Duke qenë se kam edhe detyrime familjare si çdo grua, shpesh afër kompjuterit ku punoj vendos edhe një letër me shënimin “gjella në zjarr apo tava në furrë”, për t’u kujtuar. Mund të them që nuk rri dot “pa bërë asgjë” dhe kafenetë i frekuentoj shumë rrallë, për të mos thënë aspak. Edhe kur jam “e lirë” kontrolloj në internet  gjëra të reja, apo lexoj ndonjë libër.  Leximi është pasioni im që besoj se nuk do të shterojë kurrë.

Veshja e preferuar? 

E thjeshtë, klasike

Ç’është familja për ju?

Gjithçka, më e rëndësishmja nga të gjitha. Me këtë nënkuptoj jo vetëm familjen e ngushtë, por edhe më gjerë, motrat e mia e të afërmit.

Keni ndonjë peng në jetë?

Më tepër se peng, mund të them zhgënjim. Ndoshta i kam kushtuar shumë kohë dhe energji profesionit, punës, ndërkohë që duhet t’i isha përkushtuar më shumë familjes, p.sh, mund  të kisha kaluar më shumë kohë me familjen, apo mund  t’i  kisha bërë vajzës një motër ose një vëlla