Fatime Kulli dhe guximi i saj krijues

1138

Ja pse Dritëro Agolli e krahason Fatime Kullin me poeteshat e antikitetit

Në përditshmërinë tonë monotone, sidomos në këto vite tranzicioni të tejzgjatur shqiptar, ne krijuesit duke hulumtuar në labirintet e internetit, eksplorojmë sidomos të veçantat e kolegëve tashmë me emër, për të gjurmuar, e pse jo edhe për të mësuar për jetën e tyre. Por disa syresh, ndonëse janë bërë të famshëm, befasohesh për jetën e tyre krejt  të veçantë. E kështu më ka ndodhur edhe me personazhin e kësaj eseje, Fatime Kulli, për të cilën në 55-vjetorin e lindjes zemra më cyti të shkruaj dy radhë, mbase jo perfekte, por burojnë të sinqerta nga pena e një krijuesi për krijuesin. Fatime Kulli është një krijuese, të cilën fati dhe jeta e njerëzve të zakonshëm me gëzimet, vuajtjet, fatkeqësitë, dramat, padrejtësitë, aftësitë, dështimet, brengat dhe dhimbjet, e nxitin dhe frymëzojnë të krijojë, e bëjnë pjesë të shpirtit qytetar. Gjithë veprat letrare të shumta dhe cilësore të saj e  dëshmojnë këtë aksiomë. Po kush është Fatime Kulli, ”që të kujton poeteshat e lashtësisë greke”, shkruan Dritëroi i madh, apo kjo Safo moderne shqiptare, e krahason  një poet tjetër i shquar nga Bjeshkët e Nemuna, Bajazit Cahani. Fatime Kulli, kjo krijesë e veçantë e letërsisë shqipe,është cilësuar si poete liriko-erotike, por është marrë edhe me letërsi serioze dhe studime hulumtuese. Fatime Kulla është një poete, e cila poezinë dhe krijimtarinë i konsideron gjithçka, madje më tepër se jetë, thotë ajo. Është rritur në qytetin  bregdetar të Durrësit, ndërsa më pas ka udhëtuar drejt qytetit të Shkodrës, duke u ngulur familjarisht. Vlerat e krijimtarisë së saj shtohen  me librin e saj “Uragani i Meteorëve” duke fituar një popullaritet dhe prestigj të jashtëzakonshëm, ku në qendër është përplasja e dy shkrimtarëve, Ismail Kadare dhe Bilal Xhaferri. Monografia “Uragani i Meteorëve është një libër i cili menjëherë pas botimit u shit në mijëra kopje brenda Shqipërisë dhe në viset e tjera të Maqedonisë, Malit të Zi, në Kosovë dhe diasporë. Gjatë faqeve të librit  shfaqen dëshmitarë okularë të asaj kohe që japin versionet e tyre në lidhje me përplasjen Xhaferri-Kadare, ku secili jep gjykimin e vet. Por një gjë është dukshëm e qartë në libër: Aty, të dy shkrimtarët janë si dy maja që kanë arritur kulminacionin më të lartë dhe pavarësisht se përplasen, ata nuk humbasin, por marrin më shumë vlera. Ndërsa vetë Kulli shprehet: “Është një monografi e cila ka një kambanë alarmi”. E gjithë krijimtaria e Fatime Kullit prej rreth 20 vëllimesh ka të veçantën e saj,çka e radhit këtë autore në radhën e parë të autorëve më të lexuar. Disa nga librat e Fatime Kullit që mund t’i përmendim janë: “Ma lini portën çelë”, “Lakuriq mbi tastierë”, “Masturboj me diellin”, “Tensione emocionesh”, “Ethet e zhveshura”, “Deti mbytet në guaskë”, “Trëndafil i djersitur”, “Uragani i Meteorëve”, “111 fjalë të ndyra dashurie”.,poezi dhe prozë,etj. Ndërsa, për raportin e krijimtarisë me publicistikën, poetja është shprehur se në këtë fushë nuk mund të qëndrojë indiferente karshi fenomeneve politiko-shoqërore. Ndërsa përsa i përket krijimtarisë, ajo është shprehur se nuk kalon dot asnjë ditë pa shkruar diçka. E për Fatime Kullin mund të shkruhet gjatë, gjatë si njeri, intelektuale, grua, nënë, bashkëshorte, krijuese, e mbi të gjitha e papërkulur përjetësisht.

Kush është Fatime Kulli

Fatime Kulli u lind më 23 korrik 1957 në Durrës. Ka përfunduar studimet e larta për shkencat sociale Psikologji, në Tiranë. Pas viteve nëntëdhjetë ka punuar redaktore në gazetën “Shqipëria Etnike” Shkodër, gazetare në Radio Shkodra, në Radio Tirana, (RTSH ),drejtore e informacionit në TV “Antena Nord” në Shkodër, drejtore në 2ATV në Kavajë, gazetare e kulturës në shtypin periodik në Tiranë, kryeredaktore në të përditshmen “Ndryshe” dhe redaktore letrare në Drita  “Ndryshe”, kryeredaktore në gazetën  “Zëri i Arbërit”, drejtore në revistën letrare “Obelisk” etj. Gjithashtu ka publikuar disa shkrime në gazetën Albanian Daild Neës. Është autore e 19 librave letrarë, poezi, studime, kritikë, prozë, pjesëmarrëse në disa Festivale Ndërkombëtare të poezisë dhe fituese e disa çmimeve, pjesëmarrëse në disa antologji botërore.

Sigal

Cilësime dhe Vlerësime

Dritëro Agolli e krahason me poeteshat e antikitetit, prof. dr. Jup Kastrati e quan vëllimin poetik të Fatime Kullit, është një kryevepër në llojin e vet, në lirikën shqiptare. Ndërsa Frederik Rreshpja e ka quajtur Fatimenë, heroinë të thyerjeve të tabuve në letërsinë shqipe. Shumë krijime  të Fatimes janë  laureuar me çmime speciale duke marrë edhe vlerësime pozitive për krijimtarinë e saj në poezi dhe prozë: Në vitin 2001 ka marrë Çmimin “Radio Ulqini” në Mal të Zi, Në vitin 2002 është vlerësuar me vendin e dytë në takimin poetik të Salernos në Napolit, midis 100 poetëve nga Evropa. Është vlerësuar si poetja më e mirë e poezisë lirike erotike Në takimin ballkanik që është zhvilluar në Korçë në vitin 2002. Ka marrë Penën e Artë në Kumanovë me librin “Deti mbytet në guaskë” në vitin 2003. Pjesëmarrëse në institutin e shkencave të letërsisë në
Kembrixh, me librin poetik “Trëndafil i djersitur” në vitin 2004. Ka marrë Penën e Artë në Athinë (në klubin e shkrimtarëve “Kodmus”), në vitin 5005. Pjesëmarrëse në takimin e kritikëve Evropianë në Gjenova, ku është vlerësuar si një intelektual “ndryshe” në fushën e kritikës letrare, në vitin 2006.