Si të studioni në Holandë dhe Kanada. Programet, kriteret, kostot e qëndrimit dhe punësimi gjatë studimeve

464
Sigal

Studime në Holandë dhe punësim gjatë studimeve

 Populli holandez është mjaft sipërmarrës dhe zbulues. Holanda është vendlindja e disa fituesve të Çmimit Nobel, artistëve dhe shkencëtarëve novatorë. Ky është shteti i parë në kontinentin Europian, që ka ofruar programe akademike në gjuhën angleze.

Jetë e shkëlqyer studentore

Çdo institucion ka rrjetin e tij të shoqatave, që i mbledhin studentët së bashku përmes veprimtarive akademike, sportive dhe krijuese. Shoqatat drejtohen nga vetë studentet dhe disa prej tyre kanë qasje ndërkombëtare. Në përgjithësi, komunitetet arsimore duan që studentët të jenë pjesë e shoqërisë dhe jo të izoluar prej saj, ndaj edhe investohet shumë në kohë, projekte e veprimtari, që u vinë në ndihmë studentëve dhe komunitetit në tërësi. Holanda ka shumë për të vizituar, qoftë me shëtitje nëpër qytet, qoftë me varkë në kanale apo liqene, duke ecur në plazh ose nëpër pyje dhe duna, mjafton të organizoheni.

Të gjithë flasin anglisht

Pavarësisht se gjuha zyrtare e Holandës nuk është anglishtja, që të gjithë flasin anglisht dhe shumë shpesh edhe një gjuhë të tretë, si gjermanisht ose frëngjisht. Një tjetër karakteristikë e holandezëve është mënyra e drejtpërdrejtë e bisedës dhe nuk fyen lehtë nëse ua thoni gjërat “në sy”. Në Holandë thua lehtësisht atë që mendon!

Siguri dhe ide përparimtare

Holanda është vend i sigurt me standarde ndërkombëtare. Dhuna dhe krimi në Holandë thuajse nuk ekzistojnë.

Sistemi Arsimor Holandez

14 universitete kërkimore, pjesa më e madhe e të cilave renditen ndër 200 universitetet më të mira botërore dhe 41 universitete të shkencave të zbatuara.

Puna në grup, ndërveprimi dhe metodat e mësimdhënies me në qendër zgjidhjen e problemit, që e vënë theksin te disiplina dhe studimi individual, janë elemente të rëndësishme të sistemit arsimor holandez.

Universitetet kërkimore përgatisin studentë, që specializohen në fushën akademike apo profesionale. Ato ofrojnë BA- Bachelor në Arte dhe BSc- Bachelor në Shkenca me një kohëzgjatje 1-2 vjet dhe PhD me kohëzgjatje 4 vjeçare

Universitetet e Shkencave të Zbatuara përgatisin studentë në një fushë specifike të karrierës, qoftë ky art ose shkencë. Ata fokusohen te praktika dhe tek aspekti profesional. Programet universitare (Bachelor) kanë kohëzgjatje deri në 4 vjet dhe programet pasuniversitare (Master) zgjasin 1-2 vjet.

Jeta dhe kostot e qëndrimit

Jeta Studentore

Holandezët janë popull tolerant dhe liberalë në pikëpamjen kulturore. Ata njihen për profesionalizëm, sjellje të matur, detajet e përkryera dhe mënyrën se si e ndajnë jetën private nga ajo profesionale. Arti dhe veprimtaritë kulturore zënë një pjesë të rëndësishme të jetës holandeze. Paçka se modernë dhe progresistë, ata ruajnë me rreptësi vlerat dhe standardet.

Gjatë qëndrimit duhen shfrytëzuar mundësitë për të qenë pjesë e nismave, veprimtarive dhe e festave, që organizohen nga shkolla apo nga bashkia e qytetit. Biçikletat janë shumë popullore në Holandë dhe sapo të merrni biçikletën tuaj, që e përfitoni me tarifa të ulëta, përmes kartës së studentit, keni mundësinë të shijoni të gjitha ato çfarë ofron Holanda si vend turistik ose si vend veprimtarish në lëvizje.

Festivalet muzikore dhe aktivitetet, që lidhen ngushtë me artin zhvillohen në qytete si Roterdami, Haga apo Utrehti dhe janë përvoja që ia vlen t’i provosh, sa herë që të jepet mundësia.

Kostot e qëndrimit në Holandë

Ndërkohë që kostot e jetesës në Holandë mbahen si ndër më të ulëtat në Europë, kostot reale ndikohen dhe influencohen nga stili i jetës së studentit dhe vendndodhja e tij. Sipas llogaritjeve të shtetit holandez, tarifat mesatare mujore të jetesës në Holandë shkojnë nga 900€-1 200€, duke përfshirë banesën, ushqimin, librat dhe shpenzime të tjera personale.

Kostot varen edhe nga lloji i banesës, transporti dhe situata financiare e studentit. Llojet e banesave që ofrohen janë rezidencat studentore, familjet mikpritëse ose banesa me qira, që mund t’i ndani me studentë të tjerë.

Tarifat akademike varen nga programi dhe niveli i studimit. Për programet Bachelor janë 6000€-12 000€ në vit, kurse për programet Master nga 8000€-20 000€ në vit.

Perspektiva e punësimit

Studentët që kanë vizë studenti mund të punojnë gjatë studimeve të tyre, por jo më shumë se 10 orë në javë dhe me kohë të plotë gjatë pushimeve verore. Punëdhënësi duhet të sigurojë një leje pune për studentin, por ky zakonisht nuk është një proces i thjeshtë.

Studentët e sapo diplomuar nga universitetet holandeze kanë mundësinë të qëndrojnë në Holandë deri në 1 vit pas përfundimit të studimeve, për të kërkuar punë. Ky quhet Viti i Orientimit. Megjithatë, u duhet të provojnë se kanë mjete financiare për të përballuar jetesën gjatë këtij viti dhe që nuk do t’i kthehen në barrë shtetit holandez. Nëse gjatë këtij viti orientimi, studenti cilësohet si “Emigrant me Aftësi të Shkëlqyera”, qëndrimi i tij mund të jetë sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara nga ligjet holandeze.

 

Arsim i lartë cilësor

Universitetet dhe kolegjet të shtrira në mbarë vendin janë të mirënjohura në pikëpamjen novatore dhe të kërkimit. Institucionet e arsimit të lartë janë të shumëllojshme në madhësi, në synimin akademik, në tipologji dhe në frymën pedagogjike. Standardet e larta në mësimdhënie dhe kontrolli i rreptë i cilësisë janë faktorë garancie të një diplome, që hap dyert e një karriere profesionale të suksesshme dhe afatgjatë. Një certifikim, kualifikim apo diplomë është e njohur në mbarë botën.

Tarifa të ulëta shkollimi

Në pjesën më të madhe të rasteve, Kanadaja është zgjedhja e parë e shumë studentëve, të cilët mund të kishin zgjedhur edhe Amerikën ose Britaninë, por kanë preferuar tarifa më të ulëta. Kanadaja mbetet më konkurruesja për tarifat e studimit, të banimit e të jetesës, për studentët ndërkombëtarë.

Punësim gjatë studimeve

Studentët në Kanada kanë mundësinë të punojnë ndërkohë që studiojnë. Krahas përfitimeve të tjera, kjo i ndihmon studentët të menaxhojnë vetë shpenzimet e tyre dhe të jenë më të pavarur. Për të fituar të drejtën e punësimit jashtë universitetit, studentët duhet të kenë leje qëndrimi studimi të vlefshme dhe të jenë studentë me kohë të plotë, në një program me kohëzgjatje më shumë se 6 muaj.

Faktet më të rëndësishme rreth Kanadasë

Sistemi Arsimor

Kolegjet dhe institutet kanadeze i hartojnë kurrikulat e tyre në përputhje me nevojat e tregut të punës. Modeli i tyre edukimit përfshin profesionistë me përvojë dhe pedagogë, që punojnë në partneritet me bizneset, komunitetet dhe industritë vendase. Kolegjet u ofrojnë studentëve aftësitë e nevojshme për karrierë në një treg pune shumë konkurrues. Programet e kolegjeve janë më të pranueshme nga ana financiare se sa programet universitare dhe janë me orientim të fortë drejt karrierës. Institucionet e arsimit të lartë ndahen në 4 kategori kryesore secila me specifikat e veta si në aspektin metodologjik ashtu edhe në atë profesional.

Kolegjet teknike theksi vihet mbi aftësitë praktike dhe janë institucione kryesisht private

Kolegjet komunitare dhe institutet teknike janë të orientuara drejt karrierës dhe kanë më shumë kurrikula teknike dhe praktike

Kolegjet universitare ofrojnë programe të drejtuara nga dijet akademike, por edhe programe me qasje praktike.

Universitetet janë më së shumti të financuara prej qeverisë kanadeze dhe kanë zakonisht tarifa më të ulëta se të ngjashmit e tyre në shtete të tjera. Ofrojnë një gamë të gjerë programesh studimi.

Sistemi edukimit kanadez ofron një gamë të gjerë programesh akademike afatgjata, afatshkurtra dhe profesionale. Kategoria e diplomave që lëshohen janë:

Certifikatë për një degë të caktuar me kohëzgjatje 1 vit

Diplomë me kohëzgjatje 1-2 vjet

Diplomë e përparuar (Advanced Diploma) me kohëzgjatje 2-3 vjet

Diplomë universitare me kohëzgjatje 4-vjeçare me kohë të plotë

Diplomë/Certifikatë pasuniversitare (Bachelor) me kohëzgjatje nga 1-2 vjet

Diplomë Masteri me kohëzgjatje 1-2 vjet

Doktoratë me kohëzgjatje 4-7 vjet