Gjermania hap dyert për shqiptarët, Britania mbyll kufijt për europianët

299
  • Ambasada gjermane në Tiranë deklaron se shqiptarët janë të privilegjuar për të punuar duke respektuar rregullat që janë në fuqi deri në 2023. Duke filluar nga 20 qershori ka filluar aplikimi për viza pune. Takimet për aplikim, adresa për informacione të detajuara dhe si do veprohet me ata që kanë aplikuar para datës 17 mars 2020.
  • Britania  mbyll kufijtë për lëvizjen e shtetasve nga Europa dhe për ata që jetojnë në Britani, sot është afati i fundit për të aplikuar për leje qëndrimi. Kush nuk aplikon do të largohet forcërisht nga Mbretëria e Bashkuar.
  • Itali, më 12 korrik 2021, hynë në fuqi marrveshja italo-shqiptare për konvertimin e patentave

Ambasada gjermane në Tiranë: Jeni të privilegjuar të punoni në Gjermani

Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ambasada gjermane në Tiranë, shkruan se, shqiptarët janë ende të privilegjuar, duke rikujtuar rregullat e punësimit që janë në fuqi, deri në fund të vitit 2023, ku thekson se qytetarët shqiptarë do të kenë një qasje të privilegjuar, drejt tregut gjerman të punës, teksa përpunimi i kërkesave për vizë, ka nisur në 20 qershor, pas heqjes së kufizimeve të udhëtimeve nga covid-19. “Risi në lidhje me punësimin, sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor: Regjistrimi në listën e pritjes për të lënë një takim. Duke filluar nga 01.01.2021 ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e punësimit për Ballkanin Perëndimor. Deri në datën 31.12.2023 qytetarët shqiptarë, do të kenë një qasje të privilegjuar drejt tregut gjerman të punës.

Përpunimi i kërkesave për vizë bëhet përsëri i mundur, duke filluar nga 20.06.2021, pas heqjes së kufizimeve të udhëtimeve nga covid-19. Takimet për aplikim për vize sipas këtij rregulli do të jepen veçmas çdo muaj. Në fillim të çdo muaji, (duke filluar në korrik) do të hapet lista me takimet e mundshme për muajin pasardhës. Data e hapjes së listës, do të ndryshojë nga njëri muaj, në tjetrin. Nëse keni interes ndiqni udhëzimet në faqen tone zyrtare  www.tirana.diplo.de. Informacionet e detajuara do t’i gjeni aty. Personat që kanë bërë një kërkesë për vizë pune, para datës 17.03.2020, do të njoftohen për vazhdimin e procedurave me email. Jeni të lutur që deri sa të merret një vendim, të mos pyesni në lidhje me statusin e aplikimit”,  mbyllet postimi.

Shtetasit evropianë, që jetojnë në Britani, kanë afat deri sot (dje) për të aplikuar për leje qëndrimi ose e humbasin këtë të drejtë. Kjo sipas një rregulli të qeverisë britanike të miratuar pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Për disa, procesi ka qenë i thjeshtë, për të tjerë aplikimi ka sjellë ndjenja të trazuara. Marlies Haselton e ka quajtur Britaninë shtëpinë e saj për më shumë se tre dekada. Shtetësja holandeze u martua me një shtetas britanik dhe lindi fëmijët e saj atje. Deri në ndarjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, ajo kurrë nuk kishte menduar për statusin e saj të imigracionit në Britani të Madhe. Miliona evropianë kanë jetuar, punuar dhe studiuar lirisht në Mbretërinë e Bashkuar për vite me radhë, por pas Brexit-it, këto të drejta nuk jepen më automatikisht. Në vitin 2019, qeveria britanike prezantoi një plan për statusin ligjor të evropianëve në Britani dhe afati i fundit për aplikimin, është e mërkura. Që nga 1 korriku, çdo emigrant evropian, që nuk ka aplikuar, do të humbasë të drejtën ligjore për të punuar, për të marrë me qera apartamente banimi, për të patur qasje në spitale, apo për të marrë ndihma sociale në Mbretërinë e Bashkuar. Ata madje mund të deportohen. Për zonjën Haselton dhe shumë të tjerë, është një moment që e bën të prekshëm ndikimin e referendumit të vitit 2016 të Britanisë, për t’u larguar nga BE-ja. Megjithëse e mori statusin për banim të përhershëm në Britaninë e Madhe, zonja Haselton thotë se, i gjithë procesi e ka bërë atë të ndihet e pasigurt për jetën që ndërtoi në Britani. “Unë nuk mund të marr shtetësinë. Është pak fyese, sepse unë jam pjesë e këtij vendi. Dhe tani e kam humbur këtë ndjesi,” thotë zonja Haselton. Aktivistët janë të shqetësuar se dhjetëra apo ndoshta qindra- mijëra evropianë, mund të mos kenë aplikuar brenda afatit. Shumë të moshuar, që kanë jetuar në Britaninë e Madhe për dekada të tëra, nuk janë të vetëdijshëm se duhet të aplikojnë. Shifrat zyrtare tregojnë se, vetëm 2% e aplikantëve, ishin 65 vjeç, ose më të moshuar. Shumë prindër gjithashtu, nuk e kuptojnë se duhet të aplikojnë për fëmijët e tyre, thonë grupet e migrantëve. Qeveria e Britanisë thotë se rreth 5.6 milionë njerëz – shumica nga Polonia dhe Rumania – kanë aplikuar për status qëndrimi, shumë më tepër sesa vlerësimet fillestare. Lara Parizotto, aktiviste me organizatën “The3million”, një grup i krijuar pas referendumit të Brexit-it, për të lobuar për të drejtat e qytetarëve të BE-së në Mbretërinë e Bashkuar, ka punuar për të nxitur shtetasit evropianë të aplikojnë. “Nuk ka shifra të sakta se sa njerëz mund të kenë humbur afatin, thotë zonja Parizotto. Por edhe një përqindje e vogël e popullsisë evropiane në Mbretërinë e Bashkuar do të ishin dhjetëra mijëra njerëz. Edhe pse ka mbetur pak kohë, përsëri takojmë njerëz që thonë ‘tani e dëgjova që duhet të aplikoj për fëmijët’. Jemi të shqetësuar edhe për ata njerëz që nuk kanë aftësi digjitale për të plotësuar formularin online. Dhe në përgjithësi njerëzit që nuk i ndjekin lajmet apo që kanë probleme mendore ose fizike dhe që nuk mund të bëjnë aplikimin”, thotë zonja Parizotto. Me vetëm disa orë të mbetura para përfundimit të afatit, zonja Parizotto po lufton me kohën për të informuar sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Studenti 17- vjeçar Kacper Adamus, shtetas polak që ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar për 10 vjet thotë, se nuk pati problem të plotësonte aplikimin.

“Ishte mjaft e lehtë, nuk merrte shumë kohë. Ishte shumë e lehtë për mua ta plotësoja dhe vërtetë nuk pata ndonjë problem për ta bërë aplikimin” thotë ai. Por për zonjën Haselton, procesi ka sjellë një humbje të besimit. Bashkëshorti i saj britanik po e shtyn familjen të zhvendosen në Holandë, si pasojë e drejtpërdrejtë e Brexit-it. Ajo nuk di ç‘të bëjë. “Ende e dua këtë vend, do më vinte shumë keq, nëse do të më duhej të lëvizja. Në të njëjtën kohë, nuk jam e sigurt në se dua të qëndroj këtu tani”, thotë zonja Haselton.