Emigrimi: Greqia jep 3.000 euro për kthimin e të rinjve. Gjermania josh punonjësit e kualifikuar

679
Sigal

Greqia: “Ju lutem kthehuni”! 3000 euro rrogë për të rinjtë që rikthehen në atdhe, skema e fundit e qeverisë së shtetit fqinj

Skema e shtetit grek  për të frenuar ikjen e truri

“Ju lutem kthehuni”! Ky është mesazhi për të rinjtë e talentuar nga Greqia që u larguan nga vendi gjatë krizës financiare. Qeveria greke, për t’i inkurajuar të kthehen në atdhe, ka filluar një skemë  subvencioni që u ofron 500 të rinjve një pagë mujore prej 3,000 euro nëse kthehen në Greqi. Ministria e Punës do të mbulojë 70 për qind të kostos. “Kjo është përpjekja e parë e shtetit grek për një rikthim gradual të të rinjve,” tha Konstantinos Agrapidas, një zyrtar i lartë në Ministrinë e Punës që po mbikëqyr programin.  Skema filloi në prillin e kaluar si një mënyrë për të frenuar ikjen e trurit. “Ndërkohë që Greqia del nga kriza dhe tani po hyn në udhën e rindërtimit ekonomik dhe shoqëror, ajo po rimerr mjetet dhe fuqinë për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për kthimin e diasporës greke, i cili kërkoi punë dhe perspektivën e një jete më të mirë jashtë vendit gjatë krizës, ” tha Ministri Grek i Punës Yiannis Vroutsis, ndërsa prezantoi programin. Rreth 500,000 qytetarë u zhvendosën jashtë vendit gjatë krizës financiare, gjatë së cilës papunësia arriti në 28 për qind. Shifrat e papunësisë janë përmirësuar që atëherë, por prapë janë më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian. Ikja e trurit është rreziku i madh i ekonomisë greke. Deri në vitin 2050, popullsia e Greqisë pritet të zvogëlohet me 2.5 milion njerëz dhe një në tre banorë do të jetë mbi moshën 65 vjeç, sipas një studimi të një instituti kërkimi dhe politikash. Përgjigja e qeverisë ishte të ofrojë një bonus financiar prej 2,000 eurosh për çdo lindje. “Ikja e trurit është një çështje serioze për tregun e punës”, thotë Guy Krief, anëtar i bordit të kompanisë së teknologjisë celulare Upstream. Greqia ka përjetuar emigrim masiv edhe më përpara, përfshirë edhe dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, por ndryshimi këtë herë është se janë grekët me nivelet më të larta arsimore ata që po emigrojnë. Më shumë se 90 për qind e atyre që u larguan ishin të diplomuar në kolegj, dhe 64 për qind kishin një diplomë pasuniversitare. Kapitali njerëzor është eksporti numër një i Greqisë, sipas një raporti të “Endeavour”, një organizatë globale jofitimprurëse. Ajo thotë se ikja e trurit gjeneron, çdo vit 9,1 miliardë euro taksa për vendet në të cilat shkojnë të jetojnë grekët ndërsa vetë Greqia harxhoi 8 miliardë euro për të arsimuar këta njerëz. Zina Maria Penteridou, një analiste e sistemeve të informacionit gjeografik, që jeton në Londër prej gati katër vjetësh, ishte entuziazmuar kur mësoi për programin e ri. Ajo tha se nuk dëshironte të largohej nga Greqia por kur mbaroi studimet kriza ishte në kulmin e saj dhe prindërit e saj e shtynë të shkonte jashtë shtetit. “Jam e vetëdijshme se kthimi në Greqi do të nënkuptojë një pagë më të ulët dhe standarde pune, por unë prapë do të dëshiroja të kthehesha, nëse do të kishte një mundësi të mirë. “ Ndërsa disa të tjerë mendojnë se kjo skemë është e padrejta për ata që qëndruan në Greqi pas krizës. “Duhet të merren parasysh ata që kanë qëndruar. Dhe ata u torturuan nga papunësia pavarësisht se ishin të aftë, por qëndruan”, shkruan gazeta greke “Panea”, Por qeveria kundërshtoi një kritikë të tillë, duke theksuar se ky nuk është një program që synon uljen e papunësisë, por për të mbuluar nevojat e vendit me ekspertë që Greqisë i mungojnë. Përkundër nivelit shumë të lartë të papunësisë, shumë biznese në Greqi, veçanërisht në sektorin e teknologjisë, thonë se luftojnë të gjejnë punonjës me aftësi të duhura. Guy Krief, një anëtar i bordit të Upstream tha se ai është duke luftuar për të joshur inxhinierët, pasi ata që janë të kualifikuar  lëviznin jashtë vendit sapo përfundonin studimet, dhe nuk kishin dëshirë të punonin në Greqi.

 

Cilat janë kushtet dhe si mund të aplikosh, mosha dhe kërkesat e specialiteteve

Gjermania, joshje të shumta për punonjësit e kualifikuar

Në zyrat e sipërmarrjes në Berlin punojnë njerëz nga 28 kombe të ndryshme për të afruar specialistë

Nga Sabine Kinkartz (Deutsche Welle)

Personat e kualifikuar në Gjermani kanë mundësi të përzgjedhin vende të punës. Sipërmarrësit i joshin ata me oferta të ndryshme. Këto gjëra njihen në botën e Startups: Tavolina për lojëra, shporta me pemë, apo birra dhe verë të mirë në vendet e punës. Ofertat si joshje për pranimin e një vendi të punës, për pionierët e botës digjitale, të cilët kanë aftësi të veçanta dhe të cilët ishin të gatshëm të ofrojnë shumë, për rroga jo tepër të mëdha. Por gjërat ndërkohë kanë ndryshuar dhe sipërmarrjet po angazhohen të gjejnë rrugë të tjera për joshjen e punëtorëve të nevojshëm. Në shumë fusha ka mungesë të fuqisë punëtore – në këto sipërmarrje nuk kërkohen vetëm më të kualifikuarit por edhe të tjerë. “Tani kemi një treg të punëmarrësve dhe jo të punëdhënësve”, nënvizon kryetari i shoqatës së IT Bitkom, Achim Berg. Konkurset për punë, ku kërkoheshin kushte të ndryshme kanë ekzistuar dje, ndërsa sot duken më ndryshe. “Karshi tavolinave për lojëra të ndryshme, dy drejtorët tanë, “Feel-Good-Manager”, kujdesen tek ne që kolegët të ndjehen mirë në sipërmarrjen tonë”, thuhet në një prej konkurseve për punë, ku kërkohen ekspertë të informatikës. “Ata të mbështesin për zhvendosjen tënde nga një qytet tjetër tek ne, në kërkimin e një apartamenti për banim, apo organizimin e eventeve dhe takimeve të ndryshme.” Federike Schröder flet për një garë mes sipërmarrjeve për punëtorët më të mirë. Sipërmarrjet kërkojnë fuqi të kualifikuar punëtore me oferta të ndryshme. Një sipërmarrje në Berlin ka rreth 250 bashkëpunëtorë, por aktualisht ajo ka edhe 60 vende të lira pune. Më së shumti kërkohen specialistë të informatikës, në radhë të parë ata që kanë të bëjnë me inteligjencën artificiale.

Kërkesat e të rinjve

Në zyrat e sipërmarrjes në Berlin punojnë njerëz nga 28 kombe të ndryshme. Mesatarja e moshës së tyre është rreth 30 vjet. Brenda mund të shohësh pajisje të ndryshme, lojëra, shporta me pemë, molla, banane, mandarina. Pijet janë në bar, automatë për kafe…Ata që vijnë sot nga universiteti në tregun e punës kanë kërkesa më të mëdha, thotë Friderike Schröder. “Ata kërkojnë më shumë fleksibilitet, orare më të shkurtra pune dhe më shumë kohë të lirë.” Një ndër pyetjet e para, kur paraqiten për punë është: “Si qëndron puna me rrogën dhe cilat benefite ofroni ju?”

Jo të gjithë kërkojnë kushte

Njerëzit kanë kërkesa individuale dhe interesa të ndryshme, varësisht nga faza e jetës. Ata kërkojnë ndonjë biletë për udhëtim, kushte më të mira për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve, anëtarësi në klube dhe shoqata të ndryshme të sportit. Ndërkohë standardet janë rritur, ka konstatuar Shoqata e IT Bitkom, në një studim në 856 sipërmarrje. Ofertat për punë janë më fleksibël, ofrohen mundësi për përgatitje më të mirë profesionale dhe përparim në karrierë, ofrohet teknika më e re mobile, e cila mund të përdoret edhe për qëllime private. Makinat zyrtare kanë qenë dikur simbol i statusit, ndërsa tani këto i vlerësojnë si një argument të fuqishëm për pranimin e një pune, vetëm 12% e të anketuarve. Rrogat mbimesatare luajnë rol vetëm për 9% të personave të anketuar. Dy përqind e punëdhënësve janë të gatshëm të ofrojnë edhe një bonus në para, në forma të ndryshme. Friderike Schröder thotë se ofertat materiale janë vetëm një pjesë e rëndësishme për të joshur punëmarrësit. Ndërkohë njerëzitë nuk janë të interesuar vetëm për para, por kërkojnë një punë e cila ofron edhe kënaqësi dhe ofron mundësi të ndryshme. Në listën e benefiteve i kushtohet një rëndësi shumë e madhe zhvillimit personal të punëmarrësit, përmes ofertave dhe trajnimeve të ndryshme, shpjegon Schröder. Por ekspertët thonë se tek punëmarrësit nuk kërkohen vetëm kualifikime dhe ekspertizë. Nga kandidatët kërkohet edhe gatishmëri për punë, aftësi integrimi në ekip, vullnet për fitore në punë, përzemërsi dhe gatishmëri për të ndihmuar tjetrin. Me rëndësi është që bashkëpunëtorët të jenë të kënaqur me punën dhe në punë. “Njerëzit mbeten në një sipërmarrje për shkak të njerëzve të tjerë që punojnë aty”, nënvizon Schröder. DW