Zbardhet Buxheti i 2017/ Ja tetë taksat që do të paguajnë qytetarët shqiptarë

511
Sigal

Zbardhen vendimet e
Këshillit Bashkiak, që do të mblidhet dy ditë përpara mbylljes së vitit. Në
rend të ditës janë gjashtë pika, dy prej të cilave janë diskutuar me qytetarët
prej muajsh. Bëhet fjalë për planin urbanistik e buxhetin, ndërsa të tjerat parashikojnë
ndërtimin e terminalit të autobusëve të juglindjes, riorganizimin e ndërmarrjes
së dekor-funeralit, si dhe kalimin në pronësi të Bashkisë të disa pronave, që
janë aktualisht nën juridiksionin e saj.

 

PLANI VENDOR

 

Pas konsultave publike
në çdo njësi, Bashkia çon për miratim në këshill planin e përgjithshëm vendor.
Ai përmban në thelb 13 projekte strategjike: krijimi i parkut orbital, krijimi
i korridoreve të gjelbra, atyre ekologjike, epiqendrave dinamike, ngritja e një
rrjeti për shtimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, ngritja e një rrjeti
të dedikuar për biçikletat, si dhe një plan transporti publik dhe lëvizshmërie
efikase. Si risi, në plan detajohet për herë të parë marrëdhënia publik-privat
për një sërë procedurash për administrimin e territorit.

Po ashtu do të ketë
mekanizma dhe kushte zhvillimi që mundësojnë rijetëzimin e hapësirave të
dëmtuara publike, infrastrukturave të munguara dhe shërbimeve të mangëta
sociale. Pjesë e hartimit të planit ka qenë edhe vlerësimi i burimeve kryesore
të punësimit dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik.

BUXHETI

Zgjatimi i bulevardit,
Unaza e Madhe, Pazari i Ri, Parku Zoologjik, infrastruktura arsimore dhe
terminali i autobusëve janë investimet madhore që Bashkia i ka në planin e
buxhetit për këtë vit. Sa u takon politikave tatimore, falë parashikimit për
rritjen e të ardhurave me 13% dhe miradministrimit të tyre, Bashkia ka vendosur
të mos ndryshojë nivelin e taksave. Ndërsa për disa procedura tatimore
përgjysmohen dokumentet dhe afati kohor i realizimit të tyre.

Kështu, tatimi i
thjeshtuar mbi fitimin për biznese me qarkullim deri në 5 milionë lekë do të
jetë 0, ndërsa ata që bëjnë deri në 8 milionë lekë tatohen 5%. E njëjtë mbetet
taksa mbi pasuritë e paluajtshme për shtëpitë e banimit, e po ashtu edhe ulja
me 30% për njësitë që i janë bashkuar Tiranës me ndarjen e re. Individët do të
paguajnë taksë mbi truallin 0.56 lekë/m2 në vit, ndërsa bizneset 20 lekë/m2 në
vit.

Taksa e fjetjes në
hotel do të jetë 350 lekë/nata për hotelet me 4- 5 yje, ndërsa për të tjerët
vetëm 140 lekë/natë. Taksa e ndikimit në infrastrukturë do të vazhdojë të
llogaritet në kufijtë e 4- 8% të çmimit të shitjes. Taksa mbi kalimin e të
drejtës së pronës 1100 lekë/m2, ndërsa ajo e tabelave mbi 2 m2 45.000 lekë/vit.
Edhe për të paktën gjashtë vite të tjera, qytetarët do të paguajnë taksën e
infrastrukturës arsimore, 1800 lekë/vit.

TERMINALI JUGLINDOR

Autobusët dhe furgonët
që vijnë nga Korça, Pogradeci, Librazhdi, Përrenjasi, Elbasani, si dhe ato të
Maqedonisë, nuk do të hyjnë më në qytet, por do të ndalojnë në hyrje të
autostradës Tiranë-Elbasan. Ky është një nga projektvendimet e Këshillit që
parashikon vendndodhjen e terminalit, përfshirjen e tij në planin vendor dhe
dhënien me koncesion “Praslin Investment AL sha”. Ky i fundit garanton
investimin me fondet e tij dhe operimin për të paktën 20 vjet.