Yje, që ndrisin vendin dhe kombin…

1521
Sigal

Agim Jazaj

Nga kryetari i bashkisë së Selenicës – në Pallatin “Labëria”, z. Përparim Shametaj, nderohen me Çmimin: “Mirënjohje e Bashkisë”: 4 figura të ndritura të shoqërisë vlonjate,

Kristo Mërtiri,

Ibrahim Vasjari,

Enver Memishaj,

Bardhosh Gaçe,

të cilat u cilësuan prej tij; si prodhim jashtë serie, si yje që ndrisin vendin dhe kombin!

Në shoqëritë civile, të emancipuara dhe të demokratizuara, ku në thelb të nderimit, drejtimit, frymëzimit dhe udhë-rrëfimit, përzgjidhen të mençurit, mendje ndriturit, të urtët, ata me shpirtin thesar sigurisht funksionojnë këto parime themelore, këto standarde e unikale:

Të udhëheqin të diturit.

Të investojnë të pasurit.

Të mësojnë të paditurit.

Të ndëshkohen fajtorët…

Në Pallatin “Labëria”; Vlorë u organizua aktiviteti krejt i veçantë  nga, Bashkia e Selenicës, në nderim të 4 figurave publike, të katër yjeve që ndrisin vendin dhe kombin, katër personaliteteve të njohura publike, të Labërisë, Vlorës dhe të vendit. Aktiviteti ishte ideuar dhe realizuar nga kryebashkiaku; Përparim Shametaj me propozim të Shoqatës Atdhetare Kulturore: “Ismail Qemali”, dhe kryetarit të saj, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe. Një ceremoni sa e thjeshtë, aq dhe domethënëse, e cila u zhvillua në praninë e shumë qytetarëve, para të cilëve u paraqitën  për t’u vlerësuar me Certifikatën: “MIRËNJOHJE E BASHKISË” të përzgjedhurit plot vlera intelektuale dhe njerëzore, 4 personazhet, publike, me një kontribut të çmuar në jetën kulturore të Qytetit, Krahinës dhe më gjerë:

Gazetari i shquar: Kristo Mërtiri.

Ish-mësuesi dhe deputeti: Ibrahim Vasjari.

Autori, studiuesi dhe historiani: Enver Memishaj,

Prof. Dr. Mjeshtër i madh: Bardhosh Gaçe,

të cilët i bëjnë dritë e nder, jo vetëm hartës së kësaj bashkie, por i zbardhin faqen, i rrisin krenarinë, dinjitetin dhe përfaqësimin vendit, madje dhe kombit… Në këtë aktivitet ishin mbledhur shumë bashkëqytetarë vlonjatë dhe jo vetëm. Ndodhej mes bashkëqytetarëve të tij, si bashkëqytetar edhe kryetari i KLSH. Dr. Bujar Leskaj, e shumë personazhe të tjerë, jo vetëm nga Vlora e Labëria… Për figurat e këtyre personazheve folën; publicisti dhe opinionisti: Agim Jazaj. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe artistëve, “Petro Marko” Vlorë: Albert Habazaj. Shkrimtari: Eqerem Canaj.

Ata që kemi nderin t’i nderojmë sot janë:

Kristo Mërtiri: Gazetari dhe Publicisti i shquar me rrënjë e degë nga Labëria dhe Vlora, me zemër e mendje në çdo vatër e qoshk konaku, në të 47 fshatrat e kësaj Bashkie, të cilët i njeh me rrënjë e dhëmballë… Është ulur këmbëkryq, në çdo vatër nga, Sevasteri, Smokthina, Brati, Kota, Drashovica, Karbunari, Dushkaraku, në minierën e Selenicës, i ka shkelur këmba dhe ka ngjyer pendën e tij të artë, ka shkruar, faqe te tëra në shtypin e djeshëm dhe të sotëm, me klithma kohe, për të nesërmen. Autori i shumë njohur, i të tri kohëve të; Monizmit, Pluralizmit dhe të Kurbetit, është një shërbëtor i devotshëm i vendit dhe i kombit!  Penda e tij dje dhe sot, brenda e jashtë vendit, ka qenë gjithnjë përkrah zhvillimeve dhe problematikave të vendit. “S’ka nder më të madh, kur të nderojnë të nderuarit- kur të nderojnë në Labëri, nga Bashki, Labëria-Selenicë”- tha në fjalën e tij sa prekëse – autori i njohur, Kristo Mërtiri, me mirënjohje…Publicistin dhe gazetarin e shquar, Autorin e njohur, Kristo Mërtirin, e ndjekin çdo ditë e mbajnë në konakët e tyre, në xhep edhe në Vlorë: Vero Dalipaj dhe Bego Sinani, Arsim Canaj dhe Duro Çarçani, Rait Llanaj dhe Isuf Dani, Bardhosh Gaçe dhe Anest Bezhani! Këta “konakë” të thjeshtë, plot lezete dhe pa salltanete janë shumë më të vyer se sa vilat në Jalë e Velipojë, në Surrel e Butrint, madje shkuar edhe atyre të Evropës! Po në këtë kohë, mes vapës e freskisë, në faqet e shtypit sipëror si, në gazetat; “Telegraf”, “Koha Jonë” etj. “Topi 160 mm” ka shtënë shpesh mbi pozicionet e Grabitqarëve, Zullumqarëve, Hileqarëve dhe Haleqarëve

Ibrahim Vasjari: Ish-mësuesi i nderuar, i qetë, i thjeshtë, i thellë në mendime dhe i matur në veprime. Si mësues, ka shërbyer në krahinën e Mesaplikut e më gjerë, me një përvojë 40-vjeçare, duke krijuar e ruajtur marrëdhënie të mira me banorët, nxënësit etj.  Edhe pse jeta, në fillimet e tij e privoi nga të drejtat themelore të njeriut, ai si pinjolli i një familjeje me tradita atdhetare, diti të përballojë padrejtësitë e kohës dhe mundi të ngrihej.  Gjurmët e ish-mësuesit, Ibrahim Vasjari gjenden dhe ruhen edhe sot prej ish-nxënësve të tij në; Shkollat e Bashajt, Gërnecit, Petës, Rexhepajt, Treblovës etj. Përveç kontributit të një mësuesi, Ibrahim Vasjari, ka shpalosur pasionin edhe si krijues, duke marrë pjesë në aktivitetet letrare, duke botuar poezitë e tij në gazetën: “Zëri i Rinisë”, dhe vazhduar rrugën e tij pasionante, duke pasuruar e vijuar me botimin e ciklit poetik: “Mozaik nate”, si dhe me librin: “Kristale në errësirë”, po dhe me vepra të tjera vijuese! Ibrahim Vasjari ishte dhe mbetet një mësues me vlera, një kontribues e politikan, ish-deputet, të cilin e nderojmë dhe me të  nderohemi. “Jam shumë i privilegjuar me dhënien e këtij çmimi- falënderoj kryetarin e bashkisë z. Përparim Shametaj!”, tha në fjalën e tij me mirënjohje z.Ibrahim Vasajri

 

Enver Memishaj: Ndër emrat e çmuar dhe të vlerësuar me: “Mirënjohje e Bashkisë”: për studimin dhe publikimin, e vlerave të shumë personaliteteve, atdhetare të krahinës së Labërisë, nga gjiri i kësaj Bashkie etj. Enver Memishaj është nderuar edhe nga kryetarë të shtetit shqiptar për kontributin intelektual. Ai gjithashtu është vlerësuar nga autorë të njohur të vendit.  Veprat historike dhe publicistike:   “Kthimi i Borxhit të madh”, për figurat e Prof. Isuf Luzi, Qazim Kokoshit”, “Prefektët e Qarkut të Vlorës”, “Kryetarët e Bashkisë Vlorë”. “Emblema e një Epopeje”, dhe shumë vepra të botuara të autorit Memishaj, zënë vend në arkivin, memorien shqiptare dhe mbarë shqiptare. Veprat e këtij autori në fushën e historisë, janë çmuar nga autorë të njohur si: Prof, Dr. Bardhosh Gaçe, Prof. Dr. Beqir Meta, Dr. Bujar Leskaj etj. Personaliteti Enver Memishaj, të cilin e vlerësojmë sot, është një vlerë e shtuar për Bashkinë e Selenicës! “S’ka çmim më të çmuar, kur të nderojnë në vendlindjen tënde, kjo është vlera mbi vlerat dhe kam një mirënjohje të pashlyeshme”- tha në fjalën e tij, sa i prekur aq edhe i emocionuar Enver Memishaj Lepenica.

Bardhosh Gaçe: Ndër krijuesit, autor i njohur brenda e jashtë vendit; për veprat e tij në: Publicistikë, Estetikë, Monografi, por edhe në Albanologji etj. Veprimtaria dhe personaliteti i Prof. Bradhosh Gaçes janë të dukshme dhe të spikatura edhe në shumë aktivitete të Bashkisë Selenicë – ku ai ka pasqyruar dhe pasuruar vlerat historike, kulturore dhe zakonore, jo vetëm të kësaj krahinë… Botimet e tij janë të shumta, por do mund të përmendim disa prej tyre në të cilat  ka arkivuar kujtesën kombëtare:

“Lëvizja kombëtare në Vlorë”

“Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”.

“Flamuri dhe Ismail Qemali”.

“Himara në Shekuj”.

“Ali Asllani, në kujtimet dhe studimet letrare”.

“Naim Frashëri, si frymëzim i kulturës Kombëtare”.

Monografi të: “Osman Haxhiut”, “Hamza Isait” etj.

Vepra shumëdimensionale e Prof. Bardhosh Gaçes, është prezantim dhe përfaqësim dinjitoz për vendin dhe gjenin shqiptar! Thjeshtësia është dhe madhështia e këtij personaliteti, e këtij njeriu, si qytetar mes qytetarëve të vërtetë, i njohur dhe i respektuar në vatrat Labe dhe në ato Shqiptare!

Njerëz të tillë, si Kristo Mërtiri, Ibrahim Vasjari, Enver Memishaj, Bardhosh Gaçe pa spaletat e pushtetarit, por me shiritin e qytetarit, të nderuar nga komuniteti kalojnë mes nesh ndoshta në heshtje, por pas kanë lënë veprën dhe vlagën gjatë…

Me spaletat e Zyrtarit,

Asnjëherë nuk janë tundur,

Shiritin e qytetarit,

Kurrë në jetë s’e kanë humbur…