Urdhri i Stomatologut shtrenjton shërbimet tek dentisti. Çmimet rriten nga 60-100%

638
Sigal

Nora Malaj: Shqiptarët do të mbeten pa dhëmbë. Tritan Shehu: Dështim i plotë i politikave sociale të Rilindjes

Agimi, mjek stomatolog, punon prej 10 vitesh në klinikën e tij dentare në zonën e Shkollës së Bashkuar. Nga 1 janari, ai thotë se është detyruar që të rrisë çmimet për një pjesë të shërbimeve bazë që ofron për pacientët e klinikës dentare. Prej fillimit të 2019-s, klinikat dentare në vend janë të detyruara që të bazohen në listën e re me çmimet dysheme për shërbimet bazë që ofrojnë. Për një mbushje dhëmbi të gradës së dytë, përpara 1 janarit, pacientët në klinikën e tij duhet të paguanin 2,000 lekë, ndërsa tani me çmimin dysheme që ka vendosur Urdhri i Stomatologut, pacientët duhet të paguajnë 4,000 lekë ose dyfish. Rritje ka pasur edhe për shërbimet e tjera dentare. Pjesa më e madhe e klinikave në vend për vizitat e pacientët (ekzaminim me sy) i kanë falas, por prej 1 janarit për vizitat çmimi dysheme është 500 lekë. Për mbushjet e gradës së tretë, çmimi ishte 3,000 lekë, ndërsa me referencën e re çmimi bëhet 5.000 lekë (2.000 lekë më shumë, shtrenjtim 67%). Çmimi për pastrimin e gurëzave dhe të cipave bëhet 3.000 lekë, nga 1.500 lekë, sa dyfishi. Heqja e dhëmbëve bëhet 1.000 lekë nga 500 që ishte. Agimi thotë se kjo rritje e çmimeve dysheme është shumë e lartë dhe e papërballueshme për nivelin ekonomik të pacientëve që vijnë tek ai. Çmimet referencë dysheme aplikohen për klinikat dentare në të gjithë vendin. “Monitor” kontaktoi me Urdhrin e Stomatologut për ta pyetur mbi mënyrën se si janë përcaktuar këto çmime dysheme. Përfaqësues nga Urdhri i Stomatologut argumentuan se është vënë një dysheme, duke marrë në konsideratë një mesatare të një kampioni klinikash ku janë kërkuar lista çmimesh dhe është bërë një mesatare për të nxjerrë çmimet referencë. Lista e çmimeve është miratuar nga Asambleja Kombëtare dhe Këshilli Kombëtar, si dhe kjo listë çmimesh i është bërë e ditur Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për t’u implementuar në kasat fiskale. Për shërbimet e tjera, që nuk janë përfshirë në listë, dentistët janë të lirë të vendosin vetë çmimet.

 50% e shqiptarëve nuk kanë para që të shkojnë tek dentisti

Shërbimet dentare janë të papërballueshme për shqiptarët. Por, çmimet e reja referencë do ta bëjnë edhe më të papërballueshme kujdesin për shëndetin e gojës. Rreth 50% e shqiptarëve kanë deklaruar në Anketën e Cilësisë së Jetës të Komisionit Evropian se nuk kanë shkuar te dentisti për të kursyer para. 34% e të pyeturve në Shqipëri kanë deklaruar se nuk kanë shkuar në kohën e duhur te mjeku stomatolog, ndërsa 16% kanë deklaruar se nuk kanë shkuar fare te dentisti. Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Bashkimin Evropian. Ndryshe nga Shqipëria, rezultatet e anketës treguan se në vendet e rajonit, kujdesi ndaj shëndetit oral është më i madh. Në Malin e Zi, kanë deklaruar se kanë vonuar vizitën 18%, ndërsa që nuk kanë shkuar fare 12% e të anketuarve, po aq dhe në Maqedoni./Monitor

Nora Malaj: Shqiptarët do të mbeten pa dhëmbë

Deputetja e LSI-së, Nora Malaj ka reaguar ndaj ndryshimit të çmimeve për klinikat dentare nga Urdhri i Stomatologëve. Malaj thotë se armiku kryesor i qeverisë janë qytetarët dhe se shqiptarët do mbeten jo vetëm pa atdhe, por edhe pa dhëmbë. “Tashmë shëndetësia falas, jo vetëm që nuk ekziston, madje as në letra dhe në ëndrrat më të bukura, po tashmë shqiptarët do të mbeten pa dhëmbë në gojë! Po pastaj… Asgjë… boll që qeveria të fusë duart në xhepat e shqiptarëve, se shëndetësi falas apo rimbursime stomatologjike, harroje. Dhe pse ndodh kjo? Se armiku kryesor i qeverisë janë qytetarët.”- deklaroi deputetja e LSI-së.

Shehu: Dështim i plotë i politikave sociale të Rilindjes. Shëndetësia në Shqipëri, varfëri afrikane

Ish-Ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu e ka quajtur vendimin e Urdhrit të Stomatologëve për rritjen e çmimit për procedurat dentare,dështim të plotë të politikave sociale të Rilindjes. Sipas Shehut, “shëndetësia falas” ka mbetur një iluzion, ndërsa qeveria synon të fusë duart në xhepat e qytetarëve. “Kjo që po ndodh me stomatologjinë sot, ishte e “paralajmëruar”, por e papërfillur nga Qeveria në politikat e saj, që e kanë katandisur sistemin tonë shëndetësor në një varfëri të thellë “Afrikano Qendrore”, duke varfëruar më tej qytetarët.”– tha Shehu.