Universiteti Politeknik shpenzon 7 milionë lekë karburant për 6 muaj, asnjë investim për kërkimin shkencor dhe bazë materiale

534
Sigal

Ndërkohë që Shqipëria është një nga vendet ku shteti investon më pak për arsimin, as paratë nga taksa e studentëve duket se nuk shpenzohen për nevojat e studentëve. Universitetet vijojnë t`i përdorin të ardhurat e studentëve për karburant apo sigurinë fizike, ndërsa nuk ka asnjë masë për kërkimin shkencor. Së fundmi Universiteti Politeknik i Tiranës ka hapur tender për blerje karburanti me një fond limit 7 milionë e 200 mijë lekë. Ky institucion do të shpenzojë për 6 muaj, 7 milionë lekë vetëm për karburant, ndërsa studentët shprehen se nevojiten shpenzime në auditorë, laboratorë dhe praktika. Studentët thonë se do të ishte e drejtë që kjo shumë e lartë të shkonte për përmirësimin e infrastrukturës dhe mësimdhënies. “Disa nga auditorët kanë probleme me tavolinat, karriget. Kompjuterët dhe laboratorët janë copë-copë. Duhet të shtohen praktikat”- janë shprehur studentët. Universiteti Politeknik nuk është i vetmi që do të shpenzojë shuma të konsiderueshme për furnizimin me karburant. Një praktikë e tillë do të ndiqet edhe nga institucione të tjera të arsimit të lartë si Universiteti “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, me 3.5 milionë lekë. Përpos karburantit, universitetet shpenzojnë sasi të mëdha parash edhe për sigurinë fizike. Universiteti i Tiranës për filialin në Sarandë do të harxhojë 6.2 milionë lekë. Por pavarësisht se të ardhurat nuk mungojnë, institucionet e arsimit të lartë vijojnë të shpenzojnë shumë pak ose aspak për kërkimin e lartë shkencor. Kjo problematikë është evidentuar edhe në progres-raportin e Komisionit të Bashkimit Evropian që rekomandon rritje të buxhetit për shkencën.