Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT numri i të punësuarve në 3-mujorin e tretë të vitit 2021 ishte rreth 6000 persona më i ulët se 3-mujorin e tretë të vitit 2019 për grup moshën +15 vjeç, përpara se të fillonte pandemia, duke mos arritur ende nivelet e parakrizës.
Të dhënat më të hollësishme tregojnë së rënia e punësimit po lidhet edhe me zhvillimet demografike. Për grup-moshën aktive në tregun e punës (15-64 vjeç) numri i të punësuarve në tremujorin e tretë 2021 ishte 1 % ose 12,524 persona më pak se në tremujorin e tretë 2019. INSTAT raporton në të njëjtën kohe se, numri i të punësuarve ka rënë ndjeshëm në grup-moshën aktive (15-64 vjeç), por nga ana tjetër punësimi tek personat në pension është rritur ndjeshëm. Në tremujorin e tretë 2021 numri i pensionisteve që punojnë është rritur me 6400 persona ose me 10 % duke e çuar numrin total në mbi 70 mijë.
Nga ana tjetër pjesëmarrja e popullsisë në forcën e punës (njerëzit në kërkim të një pune) arriti rekord në tremujorin e tretë 2021 mbi 70.1% për moshën 15-64 vjeç, por forca e punës shënoi rënie.
Forca e punës në tremujorin e tretë ishte 8600 persona ose 0.5% më e ulët se, në të njëjtën periudhe të vitit 2019, duke reflektuar kështu zhvillimet demografike dhe sidomos rënien e popullsisë në moshë pune, e cila ishte 1.7 % më e ulët në tre mujorin e tretë 2021.
Emigracioni shihet si shkaktari kryesor për rënien e forcës së punës dhe disbalancat që janë krijuar. Pandemia Covid-19 e cila nisi si një krizë shëndetësore dhe më pas si një krizë ekonomike ringjalli trendët e reja të emigracionit. Kjo tendencë po ndihmohet nga rritja e kërkesës për punë nga vendet e zhvilluara të tilla si Britani e madhe dhe Gjermania.
Sipas të dhënave të Eurostat gjatë periudhës janar-korrik 2021 kërkuan azil 3715 persona nga Shqipëria, ndërsa në të gjithë vitin 2020 kishin kërkuar azil 9450 persona. Eurostat numëron vetëm numrin e personave që kërkojnë azil, por mijëra shqiptare të tjerë po ikin në emigracion me kontrata pune.
Sipas të dhënave të Eurostat nga janari i vitit 2008 deri në korrik 2021 janë rreth 234 mijë shqiptarë që kanë kërkuar gjithsej azil në një nga vendet e Bashkimit Europian (BE). Shumica e azilantëve janë të rinj në moshë dhe punësimi është arsyeja kryesore e emigrimit.
Mungesa e punonjësve është kthyer në shqetësim serioz sidomos për bizneset fason që e kanë të bazuar aktivitetin e tyre në krahun e lirë të punës. Fabrikat u përballen këtë vit nga një kërkesë jo e zakonte për produkte, por mungesa e punonjësve i ka penguar të përfitojnë.