Ujsjellsat rritën çmimin, shtuan borxhin, dhe punësuan militant. 200 mijë klient pa matësa

818
Sigal

Ujësjellësat rritën kostot dhe përkeqësuan eficensën në 2019 

Të dhënat paraprake të Entit Rregullator të Ujit tregojnë se vitin e kaluar, mbulimi i kostove operative të ujësjellësave shënoi përkeqësim të ndjeshëm në krahasim me vitin 2018, pavarësisht se ujësjellësit kryesore të vendit kanë përfituar rritje drastike të tarifave.Enti Rregullator i Ujit dorëzoi raportin e vet vjetor në Kuvendin e Shqipërisë këtë javë, ku bëhet e ditur se performanca e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve ka pësuar një përkeqësim të fortë gjatë vitit të kaluar, ndërsa reduktimi i humbjeve apo norma e arkëtimit kanë mbetur të pandryshuara. Sipas entit, treguesi i mbulimit të kostove operative dhe të mirëmbajtjes, një tregues kyç për të matur se sa me eficencë shpenzohen të ardhurat e sektorit, ra nga 119% në vitin 2018 në 108% më 2019.“…vërehet se gjendja në sektor në krahasim me vitin 2018 paraqet një përkeqësim në drejtim të mbulimit të kostove direkte të O&M. Ndërkohë që treguesit e Ujit Pa të Ardhura dhe të Normës së Arkëtimit Korrente mbesin në nivele të pandryshuara,” shkruan ERU në raportin e vet të publikuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.ERU është një institucion që mbikëqyr sektorin e ujësjellësave dhe kanalizimeve që drejtohet nga një komision, anëtarët e të cilit emërohen nga Këshilli i Ministrave.Enti ka shkaktuar kontroversialitet në aktivitetin publik gjatë viteve të fundit, për shkak të pranimit me argumente të dobëta ekonomike, të rritjes së ndjeshme të tarifave të furnizimit me ujë pa u kushtëzuar kjo me ndonjë kërkesë specifike në drejtim të rritjes së cilësisë së furnizimit.Të dhënat e raportit, sipas Entit reflektojnë gjendjen e muajit shtator 2019 ndërsa janë ekstrapoluar për të vlerësuar gjendjen e tyre të pritshme deri në fund të vitit që lamë pas.Sipas analizës së entit, shpenzimet e sektorit janë rritur me afro 18% dhe arritën në 12.7 miliardë lekë ose afro 100 milionë euro gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që të ardhurat u rritën me 6% në 10.4 miliardë lekë, afro 86 milionë euro.

Paga shtesë dhe zinxhir borxhesh

Të gjitha zërat e shpenzimeve të sektorit pësuan rritje të fortë gjatë vitit të kaluar, por rritja më e madhe u vërejt te kostot e punës dhe te fatura e energjisë elektrike. Kështu, ujësjellësat shpenzuan 4.2 miliardë lekë për paga ose 14% më shumë, ndërsa fatura e energjisë elektrike i kushtoi 2.6 miliardë lekë ose 12% më shumë.Ujësjellësit njihen tashmë si ndërmarrje publike që kanë sakaq staf me tepri, por kjo nuk i pengoi këto kompani të shtonin edhe 245 persona të tjerë gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të ERRU.Rritja e kostos së energjisë elektrike duket se është shoqëruar edhe me mospagesa ndaj Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Sipas OSHEE, “sektori jobuxhetor” ku përfshihen ujësjellësit, kanë akumuluar gjatë viteve të fundit miliarda lekë borxhe ndaj kësaj kompanie.Rritja e kostos së punës me 14% gjatë vitit të kaluar nuk reflekton rritjen e përgjithshme të pagave në vend dhe as nuk korrespondon me ndonjë rritje të ndjeshme të cilësisë së furnizimit. Sipas ERRU, afro 22% e popullsisë vijon të mbetet jashtë rrjetit të ujësjellësave ndërsa gati gjysma e familjeve nuk kanë akses te rrjeti i kanalizimeve të ujërave të përdorura, gjë që do të thotë se i bëjnë derdhjet ku të munden.Rritja e ndjeshme e shpenzimeve operative të sektorit vjen në një kohë kur çmimi i furnizimit me ujë në Tiranë, u rrit me 44% duke filluar nga 1 janari i vitit 2018, ndërsa në Durrës u rrit me 15%. Këto janë edhe dy ujësjellësit kryesorë ne vend./Gjergj Erebara

 

Faturat aforfe të ujit, rreth 200 mijë klientë nuk kanë matësa

Faturimi aforfe i ujit vijon ende të jetë prezent në sektor dhe janë jo pak por rreth 200 mijë klientë që çdo muaj paguajnë sipas një llogarie standarde dhe jo aq sa konsumojnë realisht. Të dhënat zyrtare të Entit Rregullator të Ujit tregojnë se në vitin e shkuar janë instaluar rreth 50 mijë matës të rinj por ende ka punë për t’u bërë. Nëse do të vijohet me trendin e ndjekur deri më tani faturimi aforfe do të marrë fund në vitin 2022.“Niveli i Matjes” është përmirësuar me 3.5%, krahasuar me vitin 2018. Gjatë vitit janë instaluar rreth 50 mijë matësa uji. Në sektor ende raportohen 199,543 klientë pa matësa nga të cilët 8,201 janë të kategorisë jo familjarë. Konsumatorët duhet që të faturohen për volumin e ujit që ato konsumojnë dhe jo aforfe. Konstatohet se pothuajse të gjitha shoqëritë e kanë përmirësuar këtë tregues, ndërkohë që vetëm UK Devoll ka mundur të ketë 100% shërbimin e matur. Nëse do të vazhdohet me ritmet e dy viteve të fundit në mbyllje të vitit 2022 asnjë klient nuk do të faturohet aforfe, por sipas konsumit të matur” vlerëson ERRU në raportin vjetor të sektorit.Sa i takon aspektit financiar që ka pasur instalimi i matësve të rinj të ujit Enti vlerëson se një pjesë e të ardhurave të ujësjellësve kanë rënë pikërisht për këtë arsye pasi faturimi aforfe të paktën për familjarët ka pasur një kosto më të lartë për ta ndërsa vendosja e matësit ka bërë që fatura e tyre të jetë më e ulët. Kjo rrjedhimisht është reflektuar edhe tek të ardhurat e ujësjellësve.“Rritja e volumit të ujit të faturuar duhet të ishte më e konsiderueshme, por në rritjen minimalë të saj ka influencuar instalimi i 50 mijë matësave të cilat ulin konsumin mesatar, mesatarisht për familje me 4 persona nga 18 m3/muaj që presupozon faturimi aforfe, në rreth 12m3 në muaj për familje në faturimin me matje. Shoqëritë me performancë të dobët të këtij treguesi (mbi nivelin 70% UPA) paraqiten UK Berat Kuçovë, Cërrik, Durrës Fier dhe Vlorë” thuhet në raport.