Turizmi, më pak fjalë, më shumë analiza e masa konkrete

933
Sigal

Në mbledhjen e Qeverisë të datës 16 gusht kryeministri Berisha u shpreh se, gjatë 7 muajve të parë të vitit në Shqipëri kanë ardhur “rreth 277 mijë turistë të huaj më shumë se sa një vit më parë. Ata bënë që të fuqizohet më tej, si degë kryesore në ekonominë shqiptare dega e turizmit. Ata bënë që vetëm nga kjo degë të krijohen në vend 190 mijë vende pune, një shifër rekord. Në tërësi këtë vit janë investuar në turizëm më shumë se 220 milion euro”. Për t’u njohur me gjendjen dhe problemet e turizmit shqiptar iu drejtuam për një opinion studiuesit të ekonomisë, L. Shahollari.

1.Qeverisë i mungon vështrimi kritik!
Nga shprehjet e mësipërme del se për turizmi ka kapur majat. Dhe sigurisht këto nuk janë shifra që i ka “shpikur” z. Berisha por “llogaritje” që i ka bërë MTKRS. Por z. Berisha, në këtë mbledhje i bën një ilustrim akoma më “popullor”: “Dyndje të jashtëzakonshme ka njohur Jugu. Këshilltari i një ministri që nuk është sot këtu fjeti në makinë, në Sarandë, sepse nuk gjeti dhomë të lirë, kurse këshilltari im e konsideronte veten fatlum se kishte arritur të gjente një dhome të lirë në Orikum, por miku i tij kishte mbetur ne makinë. Të tilla janë kërkesat këtë vit, i tillë është fluksi. Qeveria ka bërë shumë këtë vit, më shumë se çdo vit tjetër, për kushte më të mira”. Të nxjerrësh konkluzione nga dy këshilltarë, njëri i ministrit dhe tjetri i kryeministrit, merret me mend sa objektive janë ato. Po a mund të pritej prej tyre që ta “nxinin” turizmin. Se pak e “nxin” atë opozita? Nga një qëndrim i tillë jo kritik vështirë se mund të priten analiza e masa konkrete për kapërcimin e mangësive në fushën e turizmit.
Turizmi ka marrë zhvillim sasior vit pas viti, pasi, në një kuptim më të gjerë se dy muajt e nxehtë të verës (ashtu si dhe Roma) nuk u ndërtua në një ditë. Qeveria nuk ka ndonjë meritë në ndërtimin e ndonjë hoteli apo strukture tjetër turistike pasi kjo është detyrë e sipërmarrësit privat. Detyra e qeverisë në radhë të parë është të ndihmojë me përmirësimin e infrastrukturës (rrugë të asfaltuara, energji elektrike, ujë të pijshëm) të bashkëpunojë me qeverisjen vendore për higjienën dhe pastërtinë, për largimin e ujërave të zeza dhe përpunimin e plehrave. Po kështu, qeveria qendrore dhe vendore është përgjegjëse për hartimin dhe sidomos zbatimin e një legjislacioni bashkëkohor që të tërheqë jo vetëm turistë, por edhe investitorë seriozë të huaj në fushën e turizmit. Në këtë vështrim, nëse do të bënim një krahasim virtual midis punës të investitorëve private (sidomos të mesëm dhe të vegjël) dhe strukturave qeveritare (sidomos qendrore) do të vinim re, pa shumë vështirësi, se këto të dytat në vend që të paraprinin, me zor ndjekin hapa e sektorit privat.
Për rrjedhojë edhe sivjet u vërejtën mangësi serioze për furnizimin me energji elektrike dhe me ujë si në Sarandë, Vlorë, Golem, Velipojë etj. Bashkitë dhe komunat nuk kanë para për të mbajtur plazhet e tyre të pastër. Vërtet u bë Rruga e Kombit dhe ndikoi pozitivisht për tërheqjen e vizitorëve të një gjaku (ndonëse tani del me cilësi më të dobët se pjesa që bërë qeveria e Kosovës) por i mungojnë parametrat në derdhje të “deltës” d.m.th ka mbetur ende e ngushtë në drejtim të Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës, për rrjedhojë ka pasur aksidente tragjike. Madje asnjë rrugë nuk mund të quhet e përfunduar. Pjesa e përfunduar e rrugës Levan-Tepelenë është bashkëkohore, por me pesë vjet vonesë. Rruga Fier-Vlorë do vite të përfundojë. Rruga e Valbonës nuk është asfaltuar, aty mund të udhëtosh vetëm me automjete të larta dhe të forta, rruga e Voskopojës është e shkatërruar deri në Voskop, rruga për Pogradec ka mbetur e rrënuar, madje ky qytet nuk ka as unazë.(Këto nuk i kam “parë” nga zyra por në terren). Ja pse që metoda e vetë-mburrjes të zëvendësohet nga ajo e vetë-kritikës dhe më tej akoma: të kalohet në masa konkrete përmirësimi në infrastrukture.
2.Turizmi – ende pak peshë në PBB dhe në punësim!
Jo vetëm në Shqipëri, por kudo, në të gjitha vendet që kanë mundësi për zhvillimin e turizmit e vlerësojnë atë si një veprimtari me ndikim të madh në zhvillimin ekonomik dhe social të tyre. Shqipëria i ka të gjitha kushtet dhe mundësitë të zhvillojë të gjitha llojet e turizmit (detar, malor, masiv, elitar etj.,) pasi ka bregdet të gjatë dhe të gjerë, bukuri natyrore, klimë të përshtatshme, dhe njerëz të aftë, që dita-ditës po sjellin përvoja të përparuara nga jashtë. Megjithatë, deri tani pjesa e vlerës së shtuar në PBB e vendit ka mbetur thuajse në vend. Po t’i referohemi shifrave të MTKRS, të ardhurat nga turizmi arrijnë në mbi 1 miliard euro (2007) në 1,17 miliard (2008) dhe 1.3 miliard euro (2009). Më tej nuk ka të dhëna. MTKRS nuk jep shpjegime se si i ka nxjerrë këto të dhëna, por kuptohet do të ketë përdorur metodën e hamendjes, ashtu si ka vepruar edhe për llogaritjen e punësimit!
Por bazuar në të dhënat e INSTAT-it, ndonëse i boton me shumë vonesë, turizmi (aktiviteti nga tregtia, hotelet dhe restorantet) nuk jep atë kontribut që pritet në rritjen ekonomike të vendit. Kështu sipas tabelës që vijon ky sektor në vitin 2005 ka zënë 21.6 për qind të PBB, në vitin 2006 ka rënë në 20.6 për qind, më 2007 21.2 për qind, më 2008 po 21.2 për qind. Më tej nuk ka të dhëna zyrtare, por nga të dhëna paraprake prirja nuk ka ndryshuar. (Ose po qe ndryshe, le t’i botojnë të dhënat zyrtare).

Struktura e PBB sipas aktivitetit ekonomik,në %

Emërtimi 2005 2006 2007 2008
Struktura e PBB çmime korrente 100.0 100.0 100.0 100.0
Bujqësia, gjuetia dhe pyjet 20.6 19.4 19.0 18.5
Industri 10.6 11.1 9.4 9.8
-Industria Nxjerrëse 0.8 0.7 0.9 1.1
-Industria Përpunuese 9.9 10.4 8.4 8.7
Ndërtimi 13.8 14.3 14.8 14.9
Tregtia, hotele dhe restorante 21.6 20.9 21.2 21.2
Transport dhe komunikacion 9.4 9.5 9.7 9.6
Shërbime te tjera 24.1 24.8 25.9 25.9

Më qartë, kontributi i turizmit në rritjen ekonomike paraqitet në tabelën që vijon nga e cila del se në vitin 2005 zinte 1.1 për qind të rritjes të PBB vjetore, kurse në vitet 2009 dhe 2010 përkatësisht 0.3 dhe 0.8 për qind.
Duke iu referuar INSTAT (Instituti i Statistikave) – një institucion në vartësi të Qeverisë dhe posaçërisht i kryeministrit -misioni i të cilit është “ të prodhojë statistika asnjanëse, transparente dhe të përditësuara, mbi proceset e zhvillimit të transformimit brenda vendit”, në “hoteleri-turizëm” në vitin 2012 janë punësuar vetëm 22 mijë vetë! Edhe pse kjo është shifra më e lartë e këtyre viteve ajo përbën vetëm 2.4 për qind të të punësuarve gjithsej në shkallë vendi! Në vitet 2008-2009 janë punësuar vetëm 12-13 mijë vetë, ose gati gjysma e nivelit të vitit 2011. Atëherë nga na doli shifra gjigande prej 190 mijë të punësuar në këtë sektor në gusht 2012? Si ka dalë kjo, është bërë ndonjë studim, anketim apo ndonjë metodë tjetër? Sidoqoftë askujt, dhe sidomos kryeministrit të vendit nuk i lejohet të paraqesë publikut shifra të tilla, mes të tjerave, pasi kështu ligjëron informalitetin. Le ta pranojmë për një çast këtë shifër të fryrë për të vërtetë. Pyetja që do të lindte në këtë rast do të ishte: a e paguajnë “taksën e sheshtë” këta të punësuar, po sigurimet shoqërore, sa është rritur fondi i pensioneve? Ja pse duhet folur për realitetin siç është dhe jo siç duhet të ishte!

-Të punësuar sipas aktivitetit ekonomik për vitet 2000 – 2011 në mijë

Aktiviteti ekonomik 2000 2005 2006 2007 2008 2009 2010 2011
Gjithsej 1,068 932 935 939 974 899 917 928
Bujqësi, pyje, peshkim 767 545 542 542 568 496 507 507
Industri nxjerrëse 9 6 5 6 5 5 6 8
Industri përpunuese 34 56 58 54 56 53 53 63
Industria e energjisë, ujit 15 13 11 13 25 26 26 21
Ndërtim 13 52 53 52 46 40 39 35
Tregti 49 64 68 57 53 58 58 65
Hoteleri, restorante 19 15 16 16 12 12 13 22
Transport, komunikacion 26 19 19 24 26 23 24 26
Arsim 47 47 48 46 37 40 42 41
Shëndetësi 23 24 25 24 28 26 27 28
Të tjera 66 91 90 105 118 120 122 112
Burimi – Instat (http://www.instat.gov.al/)
3.Turistët e ardhur – vetëm një tregues
Në mënyrë të vazhdueshme z.Berisha, ministrat përkatës që kanë mbuluar turizmin janë mburrur me numrin e vizitorëve, sidomos atyre të huaj që hyjnë në vendin tone dhe me të drejtë pasi ky numër ka ardhur në rritje falë përmirësimit të infrastrukturës ajrore, detare dhe tokësore. Por “harrojnë” të thonë se sa edhe ikin nga vendi ynë, numër i cili është gati i njëjtë me ata që hyjnë. Një prirje e tillë hyrje-dalje dikton edhe lëvizjen e valutës që shpenzojnë të vizitorët, të huaj apo vendas qofshin ata. Nga tabela që vijon (gjithnjë produkt i INSTAT-it) në vitin 2009 kanë hyrë mbi 5.1 milion shtetas, nga të cilët rreth 1.9 milion (37 %) të huaj dhe 3.2 milion (63%) shqiptarë. Por në të njëjtën kohë kanë vetëm 85 mijë shtetas më pak. Ja pse nuk duhet të mbështetemi vetëm në një tregues pasi mund të biem në përfundime të gabuara.

-Hyrjet dhe daljet në kufi të shtetasve të huaj dhe shqiptarë

Emërtimi 2006 2007 2008 2009
Hyrje gjithsej 3,444,419 4,029,820 4,516,369 5,135,798
-Të huaj 937,038 1,126,514 1,419,191 1,855,638
-Shqiptarë 2,507,381 2,903,306 3,097,178 3,280,160
Dalje gjithsej 3,459,440 3,988,776 4,450,035 5,050,894
-Të huaj 843,259 1,010,043 3,176,480 1,646,534
-Shqiptarë 2,616,181 2,978,733 1,273,555 3,404,360

Hyrja në kufi e shtetasve të huaj sipas mënyrës së udhëtimit (1995 – 2010) në mijë

Emërtimi 1995 2000 2005 2006 2007 2008 2009 2010
Total 304 317 748 937 1,126 1,419 1,856 2,418
Me ajër 45 72 128 150 182 206 227 246
Me det 83 79 130 141 162 189 215 216
Me tokë 176 166 490 646 782 1,024 1,414 1,956

Për sa më sipër mund të arrijmë në disa përfundime:
Çdo vit ka pasur përmirësime edhe në sektorin e turizmit falë nismave dhe risqeve private.
Organet qeveritare qendrore dhe vendore nuk bashkëpunojnë mes tyre për të zgjidhur në mënyrë efektive.