Tenderi 5 mln USD për anti-covid e merr firma e paracaktuar

128
Sigal

 

 

Operatori ankimues vlerëson se kriteret e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për tenderin e ri 5 milionë dollarë, mund të favorizojnë një operator ekonomik të caktuar, pa e përmendur specifikisht emrin e kompanisë “Evita”.

Komisioni i Prokurimeve Publike nuk i ka dhënë zgjidhje dyshimeve për fitues të paracaktuar në një tender të hapur së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë për blerje testesh të shpejta për Sars-Cov-2, me fond limit 496 milionë lekë të reja pa TVSH, afërsisht 5 milionë dollarë.

Një prej operatorëve të interesuar për të qenë në garë, ka kërkuar nga Komisioni i Prokurimit Publik që të detyrojë autoritetin kontraktor, pranë Ministrinë e Shëndetësisë, të modifikojë kriteret e tenderit, pasi konsiderohen të njëanshme dhe që mund të orientojnë procedurën drejt një fituesi të paracaktuar.

Megjithëse ankimi është rrëzuar për shkak të dorëzimit përtej afateve ligjore, të dhënat e prezantuara në vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik krijojnë dyshime të forta për favorizim të një subjekti privat.

Fitues i paracaktuar?

Sipas operatorit ankimues, Ministria e Shëndetësisë kërkon që operatori fitues do të jetë ai që ka përvoja të ngjashme të suksesshme.

Por, siç konstaton ankimuesi, Ministria e Shëndetësisë ka kryer vetëm një procedurë për blerje testesh të shpejta anti-Covid, edhe atë me “negociim pa shpallje paraprake”,

Në procedurën e parë dhe të vetme deri më tani, të zhvilluar në Nëntor 2020, fitues i tenderit me vlerë rreth 1.2 milionë dollarë, është shpallur kompania “Evita” shpk, për të cilën operatorë të ndryshëm në tregun farmaceutik janë të bindur se përfshin interesat e biznesmenit Klodjan Allajbeu.

Në këto kushte, operatori ankimues vlerëson se kriteret e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për tenderin e ri 5 milionë dollarë, mund të favorizojnë një operator ekonomik të caktuar, pa e përmendur specifikisht emrin e kompanisë “Evita”.

Detajet e tenderit

Në tenderin e shpallur në 1 Dhjetor 2020, me objekt “Blerje teste diagnostike antigenike të shpejta për SARS-COV-2 për nevoja të NJVKSH-ve” për një periudhë 12 mujore, sipas listës së miratuar nga OBSH”, Ministria e Shëndetësisë kërkon ndër të tjera që operatorët pjesëmarrës duhet të kenë furnizime të ngjashme për institucione shtetërore ose private në 3 vitet e fundit.

Por, siç konstaton operatori ankimues dhe siç është e njohur botërisht, nevoja për teste për Sars-Cov-2 ka lindur vetëm gjatë vitit 2020, kur u shfaq pandemia globale e Covid-19.

“Vetëm në Nëntor është zhvilluar një procedurë e ngjashme me procedurën në fjalë dhe, sikundër kuptohet lehtësisht, do të ishte teorikisht dhe praktikisht i pamundur plotësimi i kriterit të lartpërmendur nga një gamë operatorësh, të udhëhequr nga mosdiskriminimi, pjesëmarrja e gjerë në tender, transparenca, etj”, i drejtohet operatori ankimues Komisionit të Prokurimit Publik.

Më tej, kompani shton: “Një kriter i tillë rezulton ekstremisht kufizues dhe faktor thelbësor për paracaktimin e operatorit fitues, duke rezultuar kështu në kundërshtim thelbësor dhe flagrant…  me parimet e prokurimit publik…”.

Në 24 Nëntor 2020, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e drejtuar nga Ogerta Manastirliu, shpallin tenderin e parë për blerje testesh të shpejta anti-covid.

Në atë tender, me fond limit 124 milionë lekë të reja, Ministria e Shëndetësisë zgjodhi procedurën e mbyllur, atë që njihet me termin “me negociim, pa shpallje paraprake”.

Sipas të dhënave zyrtare, në procedurën e mbyllur është përfshirë vetëm kompania “Evita” shpk, e cila u shpall edhe fituese.

Deri më tani, vetëm “Evita” shpk ka përvojë të suksesshme në kontrata të ngjashme (për teste anti-covid) dhe kjo, për shkak se Ministria e Shëndetësisë e përzgjodhi atë si operatore të vetme në tenderin e mbyllur me negociim, pa shpallje paraprake.