Tatimet sqarojnë se cilët individë duhet të bëjnë deklarimin e të ardhurave personale dhe pagesën shtesë

340
Sigal

Individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët gjatë vitit 2020 kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër, kanë afat të fundit datnë 30 Prill 2021 për dorëzimin në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-filing, të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2020.

Drejtoria e Tatimeve rikujton se detyrimin për dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) e kanë gjithashtu edhe individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër.

Gjithashtu, duhet të deklarojnë DIVA 2020, pavarësisht se totali i të ardhurave të tyre gjatë këtij viti kalendarik është nën 2.000.000 (dy milionë) lekë, edhe individët rezidentë apo jorezidentë, të cilët kanë qenë të punësuar në më shumë se 1(një) punëdhënës.

Tatimet rikujtojnë se janë të detyruar të deklarojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) dhe të paguajnë Tatim mbi të Ardhurat Personale, të gjithë individët rezident dhe jo rezident në Republikën e Shqipërisë, të cilët janë të punësuar në më shumë se 1 (një) punëdhënës dhe që kanë të ardhura personale vjetore nën 2 mln lekë.

Edhe për këtë kategori deklarata dhe pagesa për të ardhurat personale vjetore DIVA 2020, ka afat përfundimtar 30 Prill 2021.

Të ardhurat e tatueshme, të detyrueshme për t’u deklaruar nga individët, subjekt deklarimi, janë:

  • Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit
  • Të ardhurat bruto nga dividenti
  • Të ardhurat bruto nga qiraja
  • Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së palujtshme në pronësi të deklaruesit
  • Të ardhura bruto nga interesat bankare
  • Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të palujtshme
  • Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit.
  • Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
  • Fitimi kapitali nga dhurimi.
  • Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
  • Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart

Deklarata DIVA 2020, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.

Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit për sa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.

Rubrikat e mësipërme të dekaratës DIVA, pavarësisht se gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato.

Pagesa e diferencës midis Vlerës së Përllogaritur dhe Vlerës së Paguar gjatë vitit, duhet të paguhet me anë të urdhërpagesës përkatëse, brenda datës 30.04.2021

 Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.MONITOR