Tatimet: Çfarë ndryshon në taksën e kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme, lehtësi për ndërtuesit

831
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njofton tatimpaguesit se në Fletoren Zyrtare nr.125, u publikua udhëzim i përbashkët nr. 29, datë 30.7.2018 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”, i cili shfuqizoi udhëzimin nr. 9, datë 26.2.2008, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme”, i ndryshuar. Ky udhëzim vjen më i plotë në trajtimin dhe përfshin pothuajse të gjitha rastet hipotike të transakasioneve të kalimit të pronësisë, duke ilustruar me shembuj konkretë mënyrën e përllogaritjes së taksës së kalimit të pronësisë dhe tatimit të kalimit të së drejtës së pronësisë që llogaritet si tatim mbi fitimet kapitale.

Risitë që sjell ky udhëzim kanë të bëjnë kryesisht me disa saktësime, të cilat janë:

– Investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si persona juridikë, (shoqëri tregtare) me objekt ndërtimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, nuk janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë subjekt pagues vetëm të “taksës” vendore mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme;

– Investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si subjekte me status “person fizik tregtar”, janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë gjithashtu subjekt pagues të “taksës vendore” mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme;

– Një trajtim më i plotë dhe gjithëpërfshirës në lidhje me transaksionet e pasurive të paluajtshme të fituar me trashëgimi, dhe vendime gjyqësore si dhe për ato prona të cilat i janë nënshtruar proceseve të rivlerësimit, duke garantuar një trajtim të drejtë për sa i përket përllogaritjes së tatimit të kalimit të drejtës së pronësisë.

Për sa i përket vlerës në shitje të pasurisë së paluajtshme, ajo përcaktohet në kontratën noteriale të shitjes, e cila është nënshkruar nga palët (shitësi dhe blerësi).

Sjellim në vëmendje se: kur pronësia e pasurisë së paluajtshme kalohet për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes së fundit dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse të kësaj pasurie.

Pra, në momentin e transaksionit të shitblerjes së një pasurie të paluajtshme aplikohen:

– Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë së paluajtshme
– Tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i të drejtës së pronësisë së paluajtshme

Agjenti i taksës dhe i tatimit mbi të drejtën e kalimit të pronësisë është zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, e cila kalon të ardhurat e mbledhura në favor të pushtetit vendor dhe administratës tatimore brenda afateve të përcaktuara në ligj. monitor