Tarifa për rezervat e sigurisë së naftës do të rrisë çmimin e karburantit

567
Sigal

Vendosja e çdo takse apo tarife mbi karburantet është reflektuar gjithmonë në çmimin final me të cilin konsumatorët blejnë produktin. Propozimi i fundit për vendosjen e një tarife të re duket se do të ndjekë të njëjtën rrugë. Përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve në vend thanë se, nëse ministria parashikon një tarifë të re për krijimin e rezervës, menaxhimin e saj dhe një agjenci të re, sigurisht që çdo kosto shtesë do të transmetohet në çmimin e karburantit, raporton Monitor. “Deri më sot, nga krijimi i sektorit, kompanitë kanë mbajtur atë që njihet si rezervë sigurie. Ishte fillimisht 30 ditë mesatare shitjeje dhe më pas u bë 90 ditë. Çdo fillim viti, Ministria e Energjisë, në bazë të shitjes që ka pasur kompania një vit më parë, i çon kuotën sa duhet të jetë rezerva e sigurisë. Kjo rezervë njihej në sasitë që ndodheshin në pikat e karburantit, sasinë në depozitë bregdetare dhe sasinë në udhëtim. Vetvetiu një kompani serioze është e detyruar që ta mbajë këtë sasi, sepse në të kundërt del nga tregu. Rezervat janë mbajtur për shkak të ligjit ekzistues. Me evoluimin e tregjeve ndërkombëtare, kompanitë serioze janë integruar në këto tregje dhe kanë krijuar partneritet me kompani të mëdha furnizimi të cilët mbajnë rezerva në depozitat e tyre për palën shqiptare. Pra nëse në një ditë, sipas Bursës së Londrës, së cilës i referohemi ne për blerje, ka një çmim të leverdishëm, ne bëjmë rezervimin e një sasie të konsiderueshme. Pra rezerva ekziston. Nëse shteti do të krijojë një agjenci që të mbajë rezervat nuk ka asgjë të keqe, por me kushtin që të mos shtohet ndonjë taksë tjetër mbi karburantin. Nëse kjo ndodh, atëherë është rritje kostoje dhe do të sjellë edhe rritje çmimi. Nëse me mënyrën që operohet sot ka kosto zero dhe ti shton një detyrim ekstra, sigurisht që është kosto. Ne kemi qenë të detyruar të mbajmë rezervën sipas ligjit, sepse ka edhe sanksione. Ligji aktual parashikon që, nëse vjen për inspektim shteti dhe nuk më gjen pjesën e rezervës, gjoba është sa 50% të vlerës së gjithë rezervës që duhet të mbahet nga kompania.”– sqaron Shoqata Shqiptare e Hidrokarbureve. Nga ana tjetër, kjo shoqatë nënvizon se tendenca e qeverisë për të dhënë çdo shërbim që lidhet me këtë sektor me koncesion që ka bërë që taksat direkte dhe indirekte të rriten shpesh, po shkon në të kundërt këtë herë. Pra po shtojmë shërbime tek sektori publik, por edhe këto, me një kosto. Në fund, pothuajse çdo nismë në sektorin hidrokarbur është shoqëruar me një faturë të majme që e paguajnë qytetarët.

 Reagimi i MIE: Nuk do të ketë rritje të kostos

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar pas deklaratave të shoqërive hidrokarbure duke pretenduar se kostot për këto shoqëri në fakt do të ulen me të paktën 15%. “Ligji ‘Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj’, është një detyrim i padiskutueshëm i Qeverisë Shqiptare pasi është: Pjesë e kapitullit të 15 të paketës së MSA (Marrëveshja e Stabilizim Asocimit); pjesë matricës së masave të buta të procesit të Berlinit; pjesë e paketës së tretë të energjisë. Në ligjin ekzistues të rezervave të sigurisë, parashikohet që bizneset në disa forma duhet të kenë 90 ditë tregu rezervë sigurie. Me çmimet e sotme të tregut, kjo rezervë sigurie është e përfshirë në kostot e tregtarëve, duke zënë minimumi 25% të kostove të produktit të blerë nga ana e tyre. Ajo që propozohet në ligjin e ri është që kjo kosto të ulet, sepse në totalin e rezervës së sigurisë në nivel kombëtar mund të përfshihet edhe nafta bruto, deri në 50% të rezervës. Kjo do të thotë që kostot aktuale do të ulen me mbi tre herë për këtë pjesë (50% të sasisë aktuale). Mënyra e operimit, e parashikuar në projektligj, duke qenë se përfshin naftën bruto, kostoja e së cilës është më shumë se 3 herë më e ulët, ul kostot e përgjithshme të bizneseve në sektorin e hidrokarbureve, subjekt i këtij ligji me më shumë se 15%”, – thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Ligji i ri do të rrisë kostot dhe çmimet

Ulja e kostove për shoqëritë hidrokarbure me logjikë duhet të shoqërohet me ulje të çmimit të naftës. Por nëse kjo është e vërtetë atëherë nuk do të kishte nevojë për një tarifë shtesë tek nafta që sërish do të paguhet nga shoqëritë e rafineritë të cilat do ta transmetojnë atë tek çmimi i konsumatorit fundor. E kundërta në fakt është e vërtetë. Shoqëritë deri më tani kanë njohur si rezerva anijet në det, gjendjen në pikat e karburanteve, cisternat. Me ligjin e ri, këto nuk do të njihen. Pra 30 ditë mesatare shitjeje duhet të jenë në depozita, përveç sasisë që kompanitë kanë zakonisht për aktivitetin e tyre të tregtimit. E njëjta gjë vlen dhe për rafineritë. Kjo automatikisht shton një detyrim të ri. Nga ana tjetër kemi krijimin e një agjencie që do të ushtrojë aktivitetin e saj mbi të ardhurat që do të merren nga subjektet përmes taksimit të çdo litri nafte apo benzine. Kjo do të thotë një kosto ekstra që deri më sot nuk ka ekzistuar.