TAP, importet e naftës dhe kriza politike, ulin grumbullimin e të ardhurave

510
Sigal

Administratat fiskale për të dytin vit radhazi po shfaqin dobësi në përmbushjen e planit te të ardhurave buxhetore. Të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat në tre muajt e parë të këtij viti arritën në rreth 108 miliardë lekë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 2.6%. Duke reflektuar inflacionin prej 1.7% dhe rritjen e pritshme ekonomike prej rreth 4%, rezulton se performanca reale e të ardhurave tatimore ishte me një rënie prej 3.1%. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, shkruan Monitor, arsyeja kryesore lidhet me rënien e aktivitetit të punimeve në projektin e gazsjellësit TAP. Përfundimi i punimeve në pjesën tokësore dhe të projektit të madh që për tre vite ishte promotori i rritjes ekonomike në vend po jep efekt edhe në të ardhurat buxhetore. Bashkë me projektin nuk funksionon më as zinxhiri i kompanive që kishin të lidhur furnizimin e mallrave dhe shërbimeve me projektin TAP. Sipas ministrisë kjo ka krijuar dobësi në arkëtimin e të ardhurave nga TVSH-ja. Të ardhurat nga Tatimi mbi vlerën e shtuar, që siguron gati një të tretën e të ardhurave në buxhet dhe që është një tregues direkt i konsumit në ekonomi ranë me 3.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke zbritur në 32.4 miliardë lekë, dhe duke rezultuar 2.1 miliardë lekë më pak se plani. Të dhënat më të detajuara tregojnë se të ardhurat nga TVSH kanë rënë si nga tatimet ashtu dhe nga doganat. Ministria e Financave rendit si arsye të dytë për rënien e të ardhurave përjashtimin nga TVSH-ja të inputeve bujqësore. Arsye tretë lidhet me uljen e importeve të naftës dhe futjen në prodhim të rafinerisë vendase të ARMO-s këtë vit. Në tremujorin e parë të vitit 2018 ARMO nuk kishte në punë, megjithëse në legjislacionin fiskal, nafta e prodhuar nga ARMO paguan taksa njësoj si nafta e importit. Arsye e katërt për dobësitë në grumbullimin e të ardhurave sipas Ministrisë së Financave lidhet me trazirat politike.