Taksat e reja për 2022, rritet pragu dysheme për taksimin e pagave

375
Sigal

 

Paketa fiskale 2022 ka hyrë në fuqi. Ajo parashikon disa ndryshime në taksa dhe tatime. Nga Korriku pagat dysheme që nuk do t’i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat do të shkojë nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë. Ndërsa kufiri mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23% shkon në 200 mijë lekë, nga 150 mijë lekë që ishte.

Në një intervistë drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera thotë se ndryshimet e bëra në taksa synojnë stimulin e ekonomisë.

“Ulëm ngarkesën e tatimit direkt pra tatimit të ardhurat personal nga pagat për shtresat me të ardhura të ulëta në segmenti 30-40 mijë lek efekti është rreth 700 mln lek më pak të ardhura në buxhetin e shtetit por janë të ardhura që do të ngelen në xhepat e qytetarëve. Politikat fiskale synojnë stimulimin e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e një ambienti të djeshëm pa favorizime jo të nevojshme në mënyrë që sistemi tatimor të jetë neutral.”, tha Niko Lera.

Ndryshim taksash do të ketë edhe sektorin bujqësor. Zoti Lera thotë se subvencionimi për fermerët do të bëhet në bazë të produkteve.

“6% te fermerët është më normale që fermeri të subvencionohet për produktin e tij dhe jo të subvencionohet indirekt nëpërmjet grumbulluesit dhe prodhuesit sepse nuk jemi të sigurt që kjo inventivë e shtetit shkon atje ku duhet të shkoj tek fermeri ndaj është mirë që këto politika të subvencionohen.”, tha ai.

Po ashtu qeveria ka vendosur që gazi i lëngshëm që përdoret për ngrohje apo gatim t’i nënshtrohet akcizës me 6 lekë nga korriku 2022. “Gjykuam që do të jetë më mirë tarifën maksimale ta ulim nga 8 në 6 lekë por të trajtohen të gjithë me të njëjtin nivel tarife në mënyrë që taksa të jetë e ndershme mos ketë spekulime që ai ta blej me taksë 0 dhe jo me 8 lekë. E shtymë për shkak të konjekturës ndërkombëtare së çmimeve në mënyrë që të mos rritet çmimi për konsumatorët familjarë u shty në 6 mujorin e dytë të 2022 sepse besojmë që konjektura e çmimeve do të hy në atë normalitetin e saj.”, pohoi Lera.

Gjithashtu nga ky vit do të rifutet në skemën e akcizës nafta që përdoret për jahtet do të hiqet përjashtimi i TVSH për makineritë pajisjet e investimeve deri në 500 milionë lekë si dhe do të rritet akciza për cigaren. Duke eliminuar këto përjashtime fiskale, Ministria e Financave reflekton ndaj rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar që prej kohësh ka kërkuar një ndërhyrje të tillë. Nga ndryshimet e bëra efekti në buxhet do të jetë 5.2 mld lekë.