Taksa shtesë për makinat luksoze dhe profesionet e lira

669
Sigal

Qeveria vendos taksë për makinat luskoze. Paketa fiskale për vitin 2016 parashikon që të gjitha makinat me cilindratë mbi 3000 cm3 do të paguajnë një taksë prej 70 mijë lekë kur të regjistrojnë makinën për herë të parë. Gjithashtu këto makina çdo vit do të paguajnë taksë vjetore prej 21 mijë lekësh, përveç taksës që paguajnë sot në shtet. Pra të gjitha makinat luksoze mbi 3000 cm3 do të paguajnë dy taksa vjetore. Njëra e cila do të jetë sipas formulës se cilindratëve e vitit të prodhimit dhe tjetra e cila do të jetë 21 mijë lekë të reja çdo vit. Nga këto taksa qeveria do të mbledhë 400 milionë lekë.

Gjithashtu profesionet e lira si avokat, noterë, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, farmacist etj, do të paguajnë kontributet si të vetëpunësuar në bazë të pagës maksimale e cila është 97 mijë lekë të reja. Këto profesione deri tani kanë paguar kontribute mbi pagën minimale prej 22 mijë lekë.

Në paketën fiskale qeveria argumenton se statusi ekonomik i profesioneve të lira nuk mund të bazohet me të vetëpunësuari e tjerë. Nga rritja e kontributeve për profesionet e lira, do të arkëtohen rreth 1.1 miliardë lekë.

Të ardhurat prej 1.5 miliardë lekë që do të mblidhet nga taksat për makinat luksoze dhe nga rritja e pagesës së kontributeve për profesionet e lira do të mbulojnë uljen e të ardhurave për shkak të heqjes së taksës për biznesin e vogël e cila ka një efekt, minus 1.3 miliardë lekë. Në këtë mënyrë qeveria vendos të taksojë më shumë të pasurit për të favorizuar shtresat e varfra.

Në paketën fiskale 2016 qeveria ka rritur edhe taksën e siguracionit të makinave me 3%. Nga janari siguaracioni i makinave do të jetë minimum 500 lekë më shumë.

Gjithashtu qeveria ka vendosur taksë mbi truallin e cila varion nga 1400 lekë për hektarë deri në 5600 lek/ ha. Një taksë e re që shtohet është për hotelet, që do të paguajnë 140 lekë për çdo person që do të flejë një natë. Për herë të parë që nga viti 2013 qeveria nuk do të rritë akcizën për cigaret dhe duhanin, ndërsa akciza për birrat do të rritet.