Stoku i parimbursuar i TVSH-së, arriti në 95 mln euro në qershor 2020

395
Sigal

Stoku i parimbursuar i TVSH-së arriti në 95 mln euro në qershor 2020

Në fund të tremujorit të dytë 2020, stoku i TVSH-së së miratuar për rimbursim, por ende i papaguar nga degët e thesarit arriti në 11,8 miliardë lekë (95 mln euro), njoftuan burimet zyrtare të tatimeve.

Stoku ende i parimbursuar shënoi një rënie me 5,6 % në raport me tremujorin e parë 2020.

Kërkesat e miratuara për tre tatimpaguesit më të mëdhenj të cilat trajtohen me këste përbëjnë 93.1 % të totalit të stokut në fund të tremujorit të dytë të 2020, teksa nuk është krijuar stok i ri.

Tatimet sqaruan se gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, janë rimbursuar gjithsej 4,17 miliardë lekë.

Gjatë këtij tremujori, rreth 2,10 miliard lekë e vlerës së rimbursuar shkoi për pagesën e kësteve për tatimpaguesit e mëdhenj në listën e tatimpaguesve me këste. Ndërsa numri i kërkesave të miratuara dhe rimbursuara gjatë kësaj periudhe ka qënë në total 258 me vlerë rreth 2,07 miliardë lekë.

Gjatë tremujorit të dytë 2020, pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së janë regjistruar 421 kërkesa për rimbursim me vlerë rreth 5,06 miliardë lekë, nga të cilat janë pranuar 300 kërkesa me vlerë rreth 3,67 miliardë lekë dhe 121 kërkesa me vlerë rreth 1,39 miliardë lekë nuk janë pranuar për mosplotësim të kritereve ligjore.

TVSH e parimbursuar përben 17 për qind të detyrimeve të prapambetura të qeverisë së përgjithshme jashtë treguesve fiskale.

Detyrimet e larta në rimbursimin e TVSH-se u krijuan nga investimet në projektet e mëdha, kryesisht në gazësjellësin TAP dhe investimet në HEC-et mbi lumin Devoll.

Mirëpo rendimenti i ulët fiskal i qeverisë, për shkak edhe të pandemisë Covid-19 vë në dyshim aftësinë për shlyerjen në kohë sipas marrëveshjes me kompanitë të këtyre detyrimeve. Praktikisht këto detyrime rëndojnë borxhin e përgjithshëm publik të vendit, pasi në të ardhmen autoritetet e financave do të detyrohen të bëjnë më pak shpenzime në sektorë prioritarë, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.

Sipas ndryshimeve ligjore që u bënë në vitin 2016 të gjitha sipërmarrjet që kanë një qarkullim në eksport 50% përfitojnë rimbursim automatik të TVSH -së brenda 30 ditëve. Mirëpo edhe pas ndryshimeve ligjore rimbursimi i TVSH-së në kohë vijon të jetë problematik.