Spitalet mbyllën dyert për të sëmurët kronikë

312
Sigal

Avokati i Popullit: Covidi dhe mungesa e shërbimeve shëndetsore la në mëshirë të fatit  invalidët, të sëmurët kronik dhe shërbimet kirurgjikale

2020-a duket të jetë një ndër vitet më problematikë në kuadër të të drejtave të qytetarëve dhe ajo që bie në sy është edhe e drejta për kujdes shëndetësor.

Raporti vjetor i Avokatit të Popullit për vitin e shkuar, sjell në vëmendje se pandemia nxori në pah problematikat e hershme të kujdesit shëndetësor, por edhe të reja. Më të goditurit në këtë të drejtë ishin të varfërit që u përballën me kosto të larta financiare dhe në disa raste me mosmarrje të shërbimit bazë.

“Në lidhje me të drejtën e kujdesit shëndetësor, pandemia e COVID-19, thelloi, duke risjellë edhe njëherë në vëmendje problematikat e hershme, si dhe evidentoi problematika të reja, me të cilat u ballafaqua shoqëria, në raport me të drejtën e saj për kujdes shëndetësor të garantuar nga shteti. Individët e varfër dhe të cenueshëm financiarisht u përballën me kosto të larta ekonomike shtesë,, sa i përket kujdesit shëndetësor shoqëruar kjo edhe me mungesën e ofrimit të shërbimeve bazë të kujdesit shëndetësor gjatë vitit 2020.

Individët e varfër dhe të cenueshëm financiarisht u përballën me kosto të larta ekonomike shtesë, sa i përket kujdesit shëndetësor, shoqëruar kjo, edhe me mungesën e ofrimit të shërbimeve bazë të kujdesit shëndetësor

Sasia e kufizuar e kursimeve, mbulimi i ulët me sigurime shoqërore dhe përdorimi relativisht i ulët i shërbimeve publike, çoi në rëndim të efekteve negative afatgjata të përballjes me krizën e pandemisë. Rezultoi se familjet në nevojë u prekën nga diskriminimi social si dhe u goditën më shumë nga masat kufizuese kundër COVID-19. Gjithashtu të moshuarit ishin relativisht më të predispozuar  ndaj problemeve shëndetësore, më të rrezikuarit nga shpërthimi i pandemisë dhe më të shumtë në humbje jete gjatë pandemisë” vlerëson raporti.

Ashtu sikurse çdo vit, edhe një herë zyra e Avokatit të Popullit, ka vënë theksin tek mungesa e një minimumi jetik të denjë që ende nuk është përcaktuar, por që po punohet me asistencën e institucioneve të huaja. Niveli aktual i ndihmës ekonomike sipas raportit, konsiderohet si shumë i ulët për të përballuar nevojat bazike të jetesës.

“Megjithë përpjekjet për rritjen e efektivitetit dhe modernizimin e skemës së ndihmës ekonomike, disavantazhet e kësaj skeme të aplikuar në vendin tonë janë shfaqur në mungesën e mbulimit të gjerë të të gjitha familjeve që jetojnë në varfëri dhe pa mbështetje financiare. Masa e ndihmës ekonomike gjatë vitit 2020, vijoi të mbetet, në vlerësimin e qytetarëve por edhe të Avokatit të Popullit, shumë e ulët në raport me shpenzimet mujore më të domosdoshme për të mbijetuar. Duke e konsideruar si të pajustifikueshme mungesën e përcaktimit të një minimumi jetik, është iniciuar gjatë vitit 2020 me mbështetjen e UNDP, hartimi i një raporti të veçantë, “Për Standardin e Minimumit Jetik në Shqipëri”, i cili është në proces” nënvizon raporti.

I njëjti, sjell edhe aspekte të tjera të trajtuara mbi të drejtën e pronës, të protestave dhe sjelljen e administratës.

 

Mijëra vdekje shtesë nuk justifikohen dot nga COVID-19

 INSTAT konfirmon rritjen me 42.7% të  vdekjeve shtesë në një vit pandemik

INSTAT: Nga prilli 2020 deri në mars 2021, u shënuan rreth 9,300 vdekje shtesë në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të mëparshëm, kur virusi nuk ishte i pranishëm. (për të njëjtën periudhë, zyrtarisht janë 2423 vdekje Covid)

12 muaj (prill 2020-mars 2021) kanë humbur jetën rreth 31 mijë persona

2020(prill)- 2021(mars)—– 9,300 vdekje shtesë

2423 vdekje Covid—-të dhënat zyrtare

 

Pandemia e Covid-19, një vit pas fillimit të saj, ka dhënë pasoja fatale në rritjen e vdekshmërisë shtesë në vend.

Të dhënat e publikuara sot nga INSTAT bëjnë të ditur se nga prilli 2020 deri në mars 2021, u shënuan rreth 9,300 vdekje shtesë në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të mëparshëm, kur virusi nuk ishte i pranishëm. (për të njëjtën periudhë, zyrtarisht janë 2423 vdekje Covid).

Gjatë kësaj periudhe 12 mujore (prill 2020-mars 2021) kanë humbur jetën rreth 31 mijë persona, nga 21.8 mijë persona në prill 2019 -mars 2020, me një rritje prej rreth 42.7%.

Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2021, janë shënuar gjithsej rreth 9,657 vdekje, me një rritje prej 55.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe me 52% në raport me mesataren 2016-2019.

Rritja e fataliteteve nisi që në tremujorin e dytë 2020 (+4.6%), pasi vendi filloi të dilte gradualisht nga karantina, u përshpejtua në tremujorin e tretë (+32.3%) dhe kulmoi në tremujorin e katërt, me një rritje prej 73% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pasi qeveria nuk zgjodhi të ndërmarrë masa të ashpra karantine, vdekshmëria e lartë shtesë vijoi edhe në tremujorin e parë të këtij viti (+56%), ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës, që arriti të frenonte virusin përmes izolimeve më të rrepta.

Qarqet:  Në Tiranë vdekjet u rritën me 77%  në  2021; Shkodra dhe Lezha, rekord për vitin pandemik

Rritja e vdekshmërisë ka qenë më e fortë në të gjitha qarqet si në tremujorin e parë 2021, ashtu dhe përgjatë një viti pandemi.

Në tremujorin e parë, rekordin e mban Tirana, ku fatalitetet u shtuan me 77.4%, e ndjekur nga Vlora, me 74%, dhe Durrësi me +72.9%, ndërsa më e lehtë pandemia ishte në Korçë, me +11%.

Në një vit pandemi (prill 2020-mars 2021), pasojat më të forta në humbjen e jetëve të njerëzve janë konstatuar në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës, me përkatësisht 32.9% dhe 29.5%, e ndjekur nga Elbasani (27%) dhe Tirana 26.1%. ë lehtë e ka kaluar pandeminë Vlora, me rritje prej vetëm 9.5%.

 

Treguesit Demografikë TI 2021

Sipas publikimit të INSTAT, numri i lindjeve për tremujorin e parë 2021 është 6.006, duke shënuar një rënie me 5,4 %, krahasuar me tremujorin e parë 2020. Numri i vdekjeve për tremujorin e parë 2021 rezulton 9.657, duke shënuar një rritje prej 55,8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2020.

Shtesa natyrore e popullsisë, diferenca midis lindjeve dhe vdekjeve në tremujorin e parë 2021, pësoi një rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, nga 153 në -3.651 në 2021.

Në tremujorin e parë 2021, Kukësi është i vetmi qark i vendit që ka shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative

Në tremujorin e parë 2021, vlera më e lartë e shtesës natyrore regjistrohet në qarkun e Kukësit, ku numri i lindjeve tejkalon me 10 numrin e vdekjeve, ndërsa ai më i vogël regjistrohet në qarkun e Tiranës, ku vdekjet tejkalojnë me 681 numrin e lindjeve.

Lindjet

Në tremujorin e parë 2021, katër qarqe të vendit kanë shënuar rritje të numrit të lindjeve, ndërsa në tetë të tjerat numri i lindjeve është ulur, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Në tremujorin e parë 2021, numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.020 lindje, ndërsa ai më i vogël në qarkun e Gjirokastrës, me 113 lindje. Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Gjirokastrës, me 18,9 %.

Uljen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Vlorës, me – 16,7 %.

Vdekjet

Në tremujorin e parë 2021, të gjitha qarqet e vendit kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Në tremujorin e parë 2021, numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 168 vdekje, ndërsa ai më i madh në qarkun e Tiranës, me 2.701 vdekje.

Rritjen më të vogël në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2021 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Korçës, me 11,5 %. Rritjen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Tiranës, me 77,5 %.