Sokol Mati/ Mangësitë dhe 10 prioritetet e zhvillimit të veprimtarive minerale

806
Veprimtaritë në industrinë nxjerrëse shumë pak të diskutuara për problematikat e tyre të zhvillimit dalin në skenën e ekonomisë shqiptare sa herë kemi të bëjmë me ngjarje tragjike aksidentesh dhe shumë shpejt pas tyre harrohen si nga publiku dhe më keq nga institucionet qe e kanë të lidhur aktivitetin e tyre me mbarëvajtjen e këtij sektori. Sektori minerar apo ai i naftës bëhen pjesë e diskutimit në publik sa herë dëgjohet efekti i tyre negativ në raste aksidentesh mbi jetën apo mjedisin, efekt që i shoqëron këto veprimtari për vetë terrenin ku ato zhvillohen, që lidhet në pjesën më të madhe me nëntokën dhe mosnjohja e duhur e saj, ndikon në një masë të madhe në procesin e parandalimit të fatkeqësive njerëzorë dhe ambientale. Shumë pak në këto vite po bëjmë në njohjen e përgjithshme të nëntokës shqiptare, procese të filluara duket sikur kanë ndaluar si përfundimi i hartës gjeologjike dhe asaj metalogjenike të thellësisë. Është e vërtete që konceptet e reja të zhvillimit të këtij sektori sipas modelit të një ekonomie të lirë tregu zëvendësuan shtetin në administrimin e pasurive minerare, por shteti si pronar i patjetërsueshëm i tyre dhe përfaqësues i popullit tq vet, duhet medoemos që me politika të qarta të vërë në dispozicion të mirëqenies së shtetasve të tij këto pasuri. Vlerësime mbi të ardhurat apo pjesën që kjo industri zë në prodhimin e brendshëm bruto të bëra publike nëpërmjet disa raporteve të realizuara në kuadrin e Nismës për Transparencë të Industrive Nxjerrëse nga viti 2009-2012 tregojnë se kjo industri aktualisht zë me pak se 3% te PBB dhe rreth 6% te prodhimit të brendshëm bruto. Vlera që janë shumë herë më të vogla se ato që zinin në periudhën e një ekonomie të centralizuar. Ky fakt përveçse është i lidhur me drejtimet e reja ekonomike të zhvillimit të vendit, ka dhe një seri faktorësh të tjerë. Fillimisht përmendim ekzistencën e informalitetit në sektor, mosmarrja në konsiderate në këto vlerësime dhe të efekteve ekonomike që ky sektor jep dhe për fusha të tjera që përfshihen në këto veprimtari, që rrisin kontributin e këtij sektori me të paktën mbi 50 % të asaj që është deklaruar në këto raporte. Për tu mos u marrë më gjatë me këto raporte që gjithsesi janë një risi për veprimtarinë minerare në drejtim të transparencës për publikun (pasi vetë transparenca tregon shkallën e nivelit të qytetarisë së një shoqërie) më poshtë desha të trajtoja disa problematika të cilat do të ndihmonin në rritjen e fuqisë mbështetëse të veprimtarive minerare në zhvillimin ekonomik të vendit. Në vlera krahasuese të dhëna në bazë të sasisë së mineraleve të prodhuara në vite, shikohet që si rezultat i reformave strukturore, legjislative, rregullatore (të marra për këtë industri pas vitit 1993, kur kjo industri pothuaj kaloi në kolaps) mund të thuhet se kjo industri u ringrit, filloi të kishte ndikim përherë e më të madh në ekonominë shqiptare, u bë burim punësimi për rajone, ku shumë industri apo aktivitete të tjera janë inegzistente. Pavarësisht mendimeve të ndryshme për mënyrën e zhvillimit të saj duhet thënë që, kjo industri mund të kishte ecur më mirë. Shumë problematika të lidhura me ndryshimin e sistemit, krizave ekonomike, mungesës se likuiditetit, lëvizjeve te edha te popullsisë (kjo e lidhur me zhvendosje te mëdha migruese brenda dhe jashtë vendit te kapaciteteve profesionale), mungesës se financimit (për efekt te mosfunksionimit të tregut financiar, dhe tërheqjes së financimeve të huaja), apo sot shpeshherë vlerësimit të riskut të kësaj industrie nga bankat si shumë të lartë (që gjithsesi është i lidhur jo thjesht me riskun real të industrisë, situatën financiare të bankave, situatës globale të tregut minerar, por në shumë raste me mungesën e profesionistëve të vetë bankave për vlerësimin e kësaj industrie), ndikimit shumë të madh politik apo më mirë e thënë mosgjetjes së një gjuhe të përbashkët politike për çështje për të cilat përpara kredos politike duhet parë rezultati, gjykoj që mund të zgjidheshin më mirë.
Këto problematika me gjithë punën e bërë në këto vite herë pas here bëhen frenuese në rrugën e zhvillimit dhe jo rrallë kanë krijuar probleme serioze që lidhen me jetën e personave të përfshirë në këtë industri apo të mjedisit ku kjo industri zhvillohet.
Thënë kjo, duke vlerësuar që në qasjen karshi një problemi, ne duhet të lemë mënjanë egon tonë profesionale apo politike, më poshtë janë dhënë disa mendime në lidhje me 10 prioritete të zhvillimit të veprimtarive minerare.
1.Krijimin e një klime të përshtatshme biznesin për tërheqjen e investimeve vendase e të huaja në sektorin minerar.
a)Përmirësimet në legjislacion dhe rregullator, zbatim të ligjit, ndarje të qartë të detyrave të institucioneve minerare, bashkërendim legjislacionit minerar me legjislacionet e tjerë, transparencë dhe mirëqeverisje.
b)Përmirësim legjislacioni për politikat fiskale mbi bazën e zhvillimeve globale pasi kjo industri punon në një treg global për një pjesë të madhe të produkteve të saj dhe është shumë e ekspozuar menjëherë në kohë karshi efekteve të krizave globale;
c)Forcim institucional (mbikëqyrje dhe monitorim efektiv, rritje profesionalizmi, përmirësim infrastrukture të institucioneve minerare. Sigurimi i një përmirësimi të vazhdueshëm i proceseve rregullatorë përmes krijimit të institucioneve minerare të afta profesionalisht dhe mirë pajisura me infrastrukturën e nevojshme që të realizojnë mbikëqyrjen e monitorimin e veprimtarive minerare; 
d)Promovim profesional të burimeve minerale;
e)Planifikim të bazuar në studime përgjithësuese të mëparshme apo të reja të financuara nga shteti. Përfundim të klasifikimit të rezervave sipas standardeve ndërkombëtare të besueshme për financime të huaja dhe të vendit, vazhdimin e punës në hartimin e dokumenteve për burimet minerale si harta gjeologjike, e burimeve minerale, e matalogjenisë së thellësisë, hidrologjike, etj);
f)Vazhdimin e punës ne realizimin e objektivave të strategjisë minerare.
g)Politika të zhvillimit të qëndrueshëm e të harmonizuar, që duhet të marrin parasysh impaktet ekonomike, mjedisore dhe sociale, të sigurojnë konkurrencën, transparencën dhe qasjen drejt praktikave më të mira ndërkombëtare.
h)Lejet minerare dhe kushtet e tyre të kenë terma të sakta, duke përfshirë klauzolat specifike lidhur me programet (skedulet) e investimit, detyrimin financiar dhe garancitë, kontributet ekonomike, mjedisore dhe sociale të minierave. 
2.Nxitjen e veprimtarisë së kërkim-zbulimit për shtimin e rezervave të reja minerare;
a)Përcaktime të qarta në planifikimet vjetore të veprimtarisë minerare dhe realizimin e procedurave konkurruese në bazë të ndarjes së zonave minerare më konkurruese dhe të hapura. Konceptimi i zonave të kërkim zbulimit si zona të hapura për eliminimin e procedurave të konkurrimit dhe lehtësimin e dhënies së lejeve të kërkim-zbulimit;
b)Mbështetje më të madhe të veprimtarive të kërkim zbulimit si veprimtari me risk të lartë të cilat kërkojnë dhe mbështetje shtetërore qoftë dhe financiare;
c)Përmirësim të dokumentacionit në lidhje me dhënien e të drejtave minerare për kërkim-zbulimin sidomos në drejtim të ofrimit të informacionit për burimet minerale.
d)Mbështetje dhe tërheqje e sektorit privat për objektet me risk të lartë eksplorimi dhe zhvillimi i shpenzimeve kapitale nga investitorët vendas dhe të huaj; 
3.Përpunim i thelle i produkteve minerare ( fizik, metalurgjik, kimik, biologjik, etj) për marrjen e të gjithë elementeve në një xeheror si elemente PR shtimin e vlerës së mineralit në vend dhe rritjen e punësimit;
a)Promovim dhe mbështetje të veprimtarive përpunuese;
b)Rritja e kërkesës për përmirësime teknologjike në drejtim të nxjerrjes, përpunimit, prodhimit të nënprodukteve dhe trajtimit të mbetjeve duke nxitur e mbështetur pjesëmarrjen e burimeve financiare dhe njerëzore të afta profesionalisht për aplikimin e teknologjive të reja duke promovuar dhe mbështetur subjektet minerare që realizojnë veprimtaritë përpunuese.
c)Zgjidhje ligjore për lehtësim procedurash që lidhen me marrjen e lejeve të tjera që lidhen me përpunimin si ato të lejeve zhvillimore të objekteve përpunuese, miratimeve përkatëse nga autoritetet lokale, pronësisë mbi tokën, etj. Aktualisht niveli i përpunimit të mineraleve është pothuajse i papërfillshëm. Industria minerare shqiptare del në eksport kryesisht me minerale të papërpunuara, një shembull për këtë rast është minerali i nikelit ku përpunimi është zero dhe ai i kromit që përpunohet në vlera shumë të vogla të prodhimit gjë që vihet re qarte dhe në këto grafike.
4. Shfrytëzim racional dhe të sigurtë të burimeve minerale për përfitim maksimal të shtetasve shqiptare me logjikën që këto burime minerale i përkasin jo vetëm brezit tonë por dhe brezave të ardhshëm.
a) Vlerësim të konceptit të përfitimit maksimal me logjikën e një situate fitimprurëse dypalëshe të shtetasve dhe biznesit në mënyrë realiste mbi bazën e kontributeve dypalëshe, shtetit si pronar dhe subjektit si investitor, duke eliminuar elementet subjektive gjatë hartimit të kontratave apo dhënies së lejeve minerare dhe rritur investimet në sektor sidomos ato të huaja.
b) Realizimi i një mbikëqyrje dhe monitorimi efektive të shfrytëzimit të pasurive minerare në njësite nxjerrëse dhe përpunuese të mineraleve nga institucionet gjeologo-minerare për mos dertim të rezervave minerare, vlerësimin e rezervave minerare të përdorura dhe shfrytëzim racional të tyre, realizimit të projekteve zhvillimore të veprimtarive minerare sidomos në përgatitjen e vendburimeve minerare ekzistuese dhe të reja;
c) Fuqizim i Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave për ndërhyrje profesionale në rast aksidentesh, monitorimin dhe detyrim-zbatimin të sigurisë në punë dhe mbrojtjes së shëndetit të punonjësve në sektorin minerar, organizimi i trajnimeve dhe rritje të ndërgjegjësimit të subjekteve minerare, si dhe një bashkëpunim më i frytshëm me institucionet e tjerë që trajtojnë problematiken e sigurisë në punë.
d) Garantimin e një pune të koordinuar mes institucioneve përgjegjëse dhe institucioneve të tjera të shkencës gjeollogo-minerare.
e) Promovim të pasurive minerare mbi bazën e një planifikimi për një zhvillim të qëndrueshëm e të harmonizuar, në respekt të ambientit ku jetojmë të certifikuar nga komuniteti dhe të bazuar në konceptet e zhvillimit të territorit;
f) Zgjerim të rezervave minerare të objekteve ekzistuese, pasi pasuritë minerale janë të pazëvendësuseshme, një shembull i tille mund të jetë minerali i kromit për të cilin nuk ka më zhvillime të reja në drejtim të rritjes së rezervave, duke i shpurë rezervat e këtij minerali drejt përfundimit;
g) Përcaktime të qarta për konceptet e jetëgjatësisë së objekteve minerare, zhvillimit të ciklit të jetës së saj, koncepteve të zhvillimit të veprimtarisë minerare, pra të hapjes së një objekti minerar bazuar në metodat krahasimore të përfitimit nga ky aktivitet, apo mundësisë për përfitime më të mëdha nga aktivitete të tjera.
h) Shtimin e rezervave të vendburimeve nëpërmjet thellimit të veprimtarisë së kërkim-zbulimit në objekte ku zhvillohet veprimtaria e shfrytëzimit të mineraleve;
i) Mbështetje më e madhe shtetërore për veprimtaritë e kërkim zbulimit në të gjitha aspektet duke kërkuar në të njëjtën kohë respektim të legjislacionit dhe mos lejimin e përdorimit për përfitime pa aktivitet të pasurive minerale të vendit. 
j) Nxitje e koordinimit vullnetar dhe kur vlerësohen risqe te mëdha për parandalimin e tyre ky koordinim behet i detyruar për punën e subjekteve që operojnë brenda një vendburimi minerali për të garantuar siguri pune dhe shfrytëzim racional të rezervave minerare. Bashkëpunimi i subjekteve minerare që punojnë në zona relativisht të vogla është i domosdoshëm (si në rastin e lejeve të kromit ku shumica e subjekteve punojnë në një zone disa km2 duke nxitur mundësinë e kooperimit midis tyre);
k) Riorganizimi dhe rishpërndarja e subjekteve që operojnë për materiale ndërtimi sepse shumë herë ato kundërshtojnë njëra tjetrën, bëhen pengesë e njëra tjetrës duke ju ofruar alternativa të tjera subjekteve minerare që kanë procese pothuajse të njëjtë përsa i përket nxjerrjes dhe përpunimit të mineralit ( fushën e mineraleve dekorative, gëlqeroreve të mermerizuar, kuarcit, gipsit, prodhimit të çimentos, etj) duke zgjeruar kështu gamën e mineraleve të shfrytëzuar dhe njëkohësisht me fitim në një treg të ri për vendin apo rajonin;
l) Monitorim i vazhdueshëm i aktivitetit post minerar. 
m) Përmirësimi i performancës mjedisore dhe sociale të minierave, 
n) Rritja e mbledhjes së taksave duke zvogëluar iformalitetin dhe një rishpërndarje reale e të ardhurave që krijon sektori për rajonin që i krijon ato.
o) Futje ne qarkullim ekonomik te një numër te madh mineralesh te vlerësuar ne shkalle te ndryshme për rezervat e tyre, si titanomagnetiti, nikeli silikat i cili përben një rast qe kërkon ndërhyrje sa me te shpejte pasi niveli i prodhimit te këtij minerali aktualisht është pothuajse 40 here me pak se mundësitë e shfrytëzimit te tij krahasuar me rezervat e vlerësuara, kjo e pare ne krahasim me rezervat e këtij minerali ne Shqipëri me ato qe janë sot ne bote.
Sigal