Skandali, demontimi i armëve sa vlera e qirasë së BSH-së

704
Sigal

Rikonstruksioni del nga afatet. Banka e Shqipërisë, 3 milion dollarë për qira

Banka e Shqipërisë ka sot dy godina në pronësi me sipërfaqe të konsiderueshme, por paralelisht me këtë situatë i gjithë stafi vijon prej tre vitesh të qëndrojë në ambiente me qira, duke shpenzuar miliona lekë. Në 16 shtator të vitit 2009, Banka e Shqipërisë hapi tenderin e kufizuar për rikonstruksionin e ndërtesës së saj qendrore, me një fond limit 12 milionë euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar. Juria me 11 anëtarë, që drejtohej nga vetë Guvernatori i Bankës, përzgjodhi si projektin fitues atë të një arkitekti italian. Punimet filluan më 4 janar të vitit 2011 dhe, siç tregon tabela, afati i përfundimit të tyre ishte 23 muaj, pra data 4 dhjetor e vitit 2012. Por, edhe pse janë tejkaluar afatet ligjore, punimet jo vetëm që nuk kanë përfunduar, por sipas parashikimeve godina do të jetë gati në mars të vitit 2014. Zyrtarisht Banka nuk ka dhënë asnjë arsye për vonesën. Që kur nisën punimet për rikonstruksionin, punonjësit e Bankës së Shqipërisë u transferuan në ambiente private të marra me qira. Por, është pikërisht kjo zvarritje ne përfundimin e zyrave aktuale që ka sjellë më shumë shpenzime për ambientet e marra me qira. Sipas dokumenteve zyrtarë, të bërë publikë nga deputeti socialist Erjon Braçe, Banka e Shqipërisë paguan 1 milion dollarë qira në vit për ambientet e reja. Shifra është paguar edhe për vitin 2013, ndonëse Banka duhet të kishte godinën e saj të përfunduar. Por, këto nuk janë shpenzimet e vetme, që Banka ka paguar për ambientet. Nevoja për rikonstruksion të godinës qendrore ishte një shkak qe u paraqit nga drejtuesit e Bankës për te gjetur ambiente te reja. Në maj të vitit 2010, përmes një transaksioni të shumëdebatuar, ajo bleu nga qeveria ndërtesën e Hotel Dajtit, me një çmim prej 30 milionë eurosh. Blerja u pasua me dy vendime të tjera të njëpasnjëshme, për përshtatjen e hotelit në ambiente banke. Të dy me procedura të veçanta. I pari me vlerë 567 mijë dollarë dhe i dyti, që mban datën 27 korrik 2011, me vlerë 990 mijë dollarë. Blerja e Hotel “Dajtit” ishte një transaksion i dyshimtë, pasi pronat publike transferohen dhe nuk shiten brenda institucione shtetërore. Por, mesa duket kjo blerje vijon të mbetet e dyshimtë, pasi Banka e Shqipërisë nuk ka kryer investimin e pretenduar. Edhe pse rikonstruksioni i saj është përfshirë ne strategjinë afatmesme të Bankës 2-13-2015, nuk ka ende një afat se kur do të nisin punimet. Godina vazhdon të mbetet e mbyllur, ndërsa Banka shpenzon për qira në ambientet private.

Tenderi për zbatimin e projektit

Në datën 16.09.2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi me Vendimin nr.68 procedurën e veçantë  për prokurimin e objektit “Rikonstruksioni i godinës qendrore dhe ndërtimi i kompleksit të ri të Bankës së Shqipërisë”. Ky vendim përcakton procedurën, afatet dhe fondet në dispozicion për prokurimin e këtij objekti.

Fondi për realizimin e objektit të prokurimit

“Rikonstruksioni i godinës qendrore dhe ndërtimi i kompleksit të ri të Bankës së Shqipërisë“ sipas këtij vendimi të jetë jo më shumë se 12.000.000 (dymbëdhjetë) milionë euro + TVSh.

 “Rikonstruksioni i godinës qendrore dhe ndërtimi i kompleksit të ri të Bankës së Shqipërisë”  të realizohet nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje 3 (tre)-vjeçare.

Penalitetet në rast vonesash

Në kontratën që do të lidhet me Ofertuesin Fitues duhet të parashikohen penalitetet e mëposhtme:

a)mosrealizimi i punimeve në afatin e ofertuar do të sjellë aplikimin e penaliteteve në masën 0.01 % të vlerës së kontratës, për çdo ditë vonesë;

b)për çdo ditë vonesë në kryerjen e pagesës sipas kontratës, Banka e Shqipërisë do të paguaj penalitet në masën 0.01 % të vlerës së papaguar;

c)penalitetet si më sipër nuk mund të tejkalojnë 10% të vlerës totale të kontratës

Projekti fitues

Projekti fitues, i cili tashmë ka filluar zbatimin edhe në praktikë,  është realizuar nga arkitekti italian Marco Petreschi. Qëllimi primar i këtij projekti është rikthimi në gjendjen fillestare (projekti origjinal) i ndërtesës. Çdo ndryshim, shtesë ose ndërhyrje e realizuar nga viti 1938 e deri më sot do të eliminohet.