Si u zhdukën në drejtim të paditur, 3.5 milionë $ për kompjutera dhe laboratorë

407
Sigal

Mësimi online gjatë pandemisë nxori në pah problemet shqetësuese në arsim dhe dështimin me projektin për klasat digjitale. Premtimi i kryeministrit për të pajisur gjimnazet me tabletat digjitale dhe 4 miliardë lekë të investuara për laboratorët u bënë “rrush e kumbulla”. Flasin ekspertët: Etja për fitime dështoi projektin dhe tabletet dergjen në magazinat e shkollave

Mësimi online gjatë pandemisë nxorri në pah probleme  shqetësuese në arsim. Ja këndvështrimet e aktorëve kyç në këtë proces, nga Ministria e Arsimit deri tek nxënësit e ekspertë të arsimit

Ja si u bënë  “rrush e kumbulla”  3.5 milionë dollarë për tabletat digjitale

Projektet e tjera digjitale në arsim, përmend këtu bibliotekën digjitale, kanë qenë më shumë mundësi tenderimi dhe propagande, sesa projekte strategjike afatgjata, qeveria i ka blerë, i ka përdorur mediatikisht 6000 tabletat dhe sot ato dergjen magazinave të shkollave pa përdorues.

Eksperti i arsimit:”Jemi në vitin 2020 dhe asnjë tabletë nuk është më në funksionim, sikundër u dëshmua qartë gjatë periudhës së mësimit online, prej datës 10 mars 2020. Po ashtu nuk u trajnuan mësuesit e premtuar nga znj. Nikolla dhe nuk u vunë në zbatim kurrikulat e mësimit digjital, ndonëse për këtë projekt qeveria shqiptare shpenzoi 3.5 milionë euro, 1 milionë më shumë sa kishte parashikuar qeveria paraardhëse”

Periudha e karantinës për shkak të pandemisë Covid-19 imponoi zhvillimin e mësimit online, i cili nxori në pah, jo pak vështirësi e probleme, por mbi të gjitha na kujtoi edhe për një investim të qeverisë shqiptare të pak viteve më parë, që presupozohej të sillte “një transformim radikal” të arsimit, siç është shprehur vetë kryeministri. Bëhet fjalë për projektin e digjitalizimit të shkollave, një prioritet i qeverisë Rama në mandatin e tij të parë. Një projekt që synonte krijimin e klasave digjitale fillimisht në 60 shkolla të mesme të vendit dhe pajisjen e 120 klasave me tableta dhe më pas shtrirjen e investimit në të gjitha shkollat në vend. Në vitin 2015 u blenë 5800 tableta dhe u shpenzuan nga buxheti i shtetit 3.5 milionë dollarë. Pyetja që u ngrit me të drejtë, madje nga vetë nxënësit gjatë periudhës së karantinës, është se pse ky projekt i qeverisë nuk shërbeu dhe nuk ndihmoi mësimdhënien dhe mësimnxënien online?

Mësimi me tabletë, nxënësit ‘përplasen’ me ministrinë

Duket se për shumë nxënës mësimi me tableta është si fillimi i një përralle, “na ishte njëherë”. Disa prej tyre kujtojnë se, “Po, shkolla ka pasur një klasë, është bërë disa herë mësim me tablete dhe më pas u lanë në harresë”. Kështu thotë Inesi nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”.

“Kemi përdorur tabletet e shkollës disa orë kur ishim në vit të parë, ndërsa vitin e dytë nuk bëmë asnjë orë mësimi. Mbaj mend se edhe ato orë që bëmë, më shumë na mësuan si do funksiononte mësimi me tabletë. Pra më shumë ishte ana teknike, si funksiononin pajisjet, hapja e një llogarie personale, pra më shumë si orë matematike”, -tregon ajo.

Ndërsa Elisabeta Filaj, presidente e shkollës “Sami Frashëri” i tha Portës Vendore se kanë qenë disa klasa që e kanë përdorur këtë teknologji të avancuar. “Në shkollën tonë në dijeninë time, klasat digjitale kanë qenë funksionale, megjithëse unë vetë nuk kam bërë mësim me tablete. Por di që kur u prish shkolla, tabletet u hoqën nga mësuesit e shkollës prej aty”, -tha ajo.

Një nga shkollat ku u pilotua fillimisht ky project, ka qenë edhe gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë. Kryeministri Edi Rama, u shfaq entuziast në gjimnazin “Sami Frashëri” në vitin 2015, kur deklaroi se: “deri në vitin 2018 çdo klasë gjimnazi në Shqipëri do të pajisej me tabletë. Jam i bindur që me përfundimin e këtij projekti në tre vitet e ardhshme, ne do të kemi mundësinë të themi se jemi në kushtet e një transformimi të pa ndodhur më parë, përmes të cilit pa asnjë dyshim do të kemi mundësi të shohim më tutje dhe të sjellim transformime, që sot mbase as që mund t’i imagjinojmë”.

Por pyetja që lind natyrshëm pas shembjes së Gjimnazit “Sami Frashëri” është: A u rrënua bashkë më shkollën dhe përpjekja e klasave digjitale në këtë gjimnaz, për aq kohë sa këto tablete karikoheshin falë një sistemi statik të vendosur në klasat e institucionit?

Në kontaktin me drejtoreshën e gjimnazit, zonjën Teuta Dobi, për të marrë një informacion më të hollësishëm për funksionimin e mësimit me tabletë. A rezultoi i suksesshëm ky projekt? Pse nuk u përdorën tabletet përgjatë kohës së karantinës dhe mësimit online dhe çfarë ndodhi me rrjetin e tableteve tani që gjimnazi “Sami Frashëri” u shemb? Por të gjitha këto pyetje nuk morën përgjigje, pasi zonja Dobi kërkoi që të merrnim leje te Ministria e Arsimit që ajo të mund të na jepte informacion.

Ministrisë së Arsimit iu dërgua një kërkesë për informacion me një listë të gjatë pyetjesh dhe përgjigje  ktheu Ornela Koleka, e cila në vitin 2015, ka mbajtur funksionin e Drejtoreshës së Teknologjisë në Ministrinë e Arsimit dhe ka drejtuar projektin e digjitalizimit të shkollave, ndërsa aktualisht mban një tjetër funksion në këtë ministri. Në përgjigjen e saj, Koleka sqaron se është koordinuar me strukturat përkatëse të Ministrisë së Arsimit për pyetjet tona.

Ndryshe nga sa pohojnë nxënësit, Koleka thotë se 60 shkolla të mesme në vend janë pajisur me tablete dhe se ato, jo vetëm janë përdorur nga nxënësit, por edhe kanë dhënë një impakt pozitiv.

“Digjitalizimi i procesit mësimor ka qenë dhe mbetet fokus i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), pasi vlerësohet shumë zhvillimi i kompetencave TIK të qëndrueshme tek nxënësit. Pa dyshim, në fokus ka qenë edhe zhvillimi profesional i mësuesve, të cilët koordinojnë dhe nxisin aplikimin e metodave teknologjike të të nxënit për zhvillimin e kompetencave TIK tek nxënësit. Një nga këto iniciativa ka qenë edhe zbatimi i projektit të digjitalizimit të sistemit parauniversitar që ka pasur komponentët e vet përkatës në disa drejtime. Një prej tyre ka qenë pikërisht edhe investimi në infrastrukturën laboratorike, duke pajisur 60 shkolla të mesme. Në zbatimin e këtij projekti u pilotuan  2 zgjidhje: ajo e përqëndruar, ku u shpërndanë 4,800 tableta; dhe pjesa tjetër rreth 1,000 tableta u shpërndanë ndërmjet mësuesve inovatorë, të cilët vijuan mësimin në distancë me nxënësit e tyre. Për sa i përket buxhetit fillestar të parashikuar, ai është realizuar i gjithi”, -sqaron Koleka.

E pyetur në lidhje se përse këto tablete nuk u përdorën për mësimin online gjatë karantinës, Koleka shpjegon: “Në lidhje me përdorimin e këtyre tabletave nga nxënësit për mësimin online gjatë periudhës së karantinës, bëjmë me dije se tabletat e shpërndarë tek mësuesit inovatorë janë përdorur, ndërsa për tabletat e tjera nëpër shkolla ka qenë praktikisht e pamundur të përdoreshin, sepse ata kanë një sistem që karikohen në një stacion brenda klasës. Pra, nuk kanë karikues mobil që ta çojnë në shtëpi. Dhe përderisa nxënësi nuk mund ta kthejë çdo ditë në shkollë për karikim, ai thjesht bëhet i papërdorshëm. Për fat të keq, kjo nuk ishte një mënyrë që mund t’u vinte në ndihmë nxënësve që nuk kishin pajisje digjitale gjatë mësimit online”, -thotë drejtoresha, e cila thekson se digjitalizimi i arsimit vijon të mbetet në fokusin e Ministrisë së Arsimit dhe madje është në planin afatgjatë që ky projekt të ridimensionohet në strategjinë e re të arsimit.

Po të njëjtën gjë ka deklaruar më herët edhe ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ku në një dalje publike të datës 14 prill, ka folur ndër të tjera mbi pamundësinë e tableteve për t’u shpërndarë nëpër nxënës që e kishin të pamundur aksesin e tyre në platformat online të mësimdhënies.

Në këto kushte, iu drejtua sërish pyetje Ministrisë së Arsimit, po tabletet e përdorur nga mësuesit gjatë pandemisë, ku karikoheshin, pasi si për nxënësit, që nuk janë në pronësi të tyre, e njëjta situatë ekziston dhe për mësuesit.

Por, Ministria e Arsimit deklaroi se për mësuesit karikuesit janë instaluar në shtëpi! “Siç është cilësuar edhe në informacionin e dhënë më përpara, janë pajisur me tableta mësues inovatorë, të cilët natyrisht dispononin edhe infrastrukturën e karikimit të tyre. Nxënësit e kanë përdorur këtë infrastrukturë në ambientet e shkollës”, -deklaroi Ministria e Arsimit në një përgjigje të dytë pas shumë tentativash me telefonata dhe e-maile për marrjen e një përgjigjeje konkrete. Ndërsa për tabletet në shkollat e shembura për shkak të dëmtimeve nga tërmeti, Ministria e Arsimit pretendon se ato janë hequr nga këto ambiente dhe ruhen për t’u vendosur sërish në ambientet e reja.

Investimet për laboratorë e tableta u zhdukën në drejtim të paditur

Ndërsa ish- deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, që në nisje të periudhës së karantinës dhe mësimit online ka denoncuar zhdukjen e laboratorëve e klasave digjitale e tableteve për të cilat qeveria shpenzoi një fond jo të vogël parash.

“Para  karantinimit  investimet për futjen e teknologjisë në arsim, për klasat virtuale, laboratorë e tableta u zhdukën në drejtim të paditur. Bëhet fjalë për 3 milionë euro, në bazë të një marrëveshje  me qeverinë austriake. Drejtorisë  së “e-learning” iu vu kyçi, dhe IZHA u shkri brenda Inspektoratit. Ndërsa premtimet e Ramës në vitin 2015 për të pajisur me këto mjete çdo shkollë e klasë të mesme u tretën, dhe rezultuan të ishin mashtrime”,- tha ndër të tjera Boçi.

Lindita Nikolla: Projekti rriti interesin e nxënësve te mësimi

Lindita Nikolla ishte ministre e Arsimit në vitin 2014-2015 kur nisi të implementohej projekti i klasave digjitale. Për “Portën Vendore” ish ministrja Nikolla pohon se projekti ishte mjaft ambicioz dhe e synonte digjitalizimin e mësimit, ndërsa thotë se falë investimit të qeverisë 60 shkolla të mesme u pajisën me tablete dhe laptope, ndërsa u kualifikuan edhe mësuesit. Ajo thekson se tabletat janë përdorur gjerësisht, por jo në të gjitha lëndët, të shoqëruara me tabelat ndërvepruese dhe nga mësuesi por në ambientet e klasës.“Projekti ka filluar në 2015 si projekt pilot ne 60 shkolla të mesme kryesisht në formën e testimit dhe krijimit të një baze nga e cila do të nxirreshin të dhëna përfundimtare solide mbi shtrirjen e teknologjisë në mësim-dhënie dhe mësim-nxënie. Tabletat janë përdorur gjerësisht, por jo në të gjitha lëndët, të shoqëruara me tabelat ndërvepruese dhe nga mësuesi, me laptopin e vet, në ambientet e klasës”, – bën të ditur zonja Nikolla. Ajo thotë se projekti i klasave digjitale shtoi interesin në rritje të nxënësve ndaj mësimit .

Nora Malaj: Projekti, një show i radhës që dështoi me sukses

Por ndryshe nga Lindita Nikolla, ish- zëvendës ministrja e Arsimit, Nora Malaj, thotë se projekti i digjitalizimit të klasave ishte një show i radhës i qeverisë që dështoi me sukses. Madje ajo bën të ditur se shumë klasa as që u pajisen me tablete, ndryshe nga sa u deklarua në atë kohë.

“Personalisht kam qenë në mandatin tim të parë si zëvendësministre kur nisi ideja e Shqipërisë dixhitale dhe ideja ishte që arsimi të dixhitalizohej. Por që të realizohej kjo duhet të krijoheshin disa gjëra, si platforma e shtrirjes së internetit që në fakt deri në 2009 arriti të realizohej e gjitha pasi u shtrua kablli. Sipas saj u hodh shumë para nga shteti dhe shumë nxënës as që i panë me sy tabletet e jo më të zhvillonin mësim me to. “Pjesa e parave që mendohej të hidhej për këtë projekt nuk e di në cilin drejtim shkoi, por aktualisht klasat nuk u arritën të pajiseshin me tablete. Këtë nuk e di si qysh tek dhe ku qëndroi problemi i kësaj gjëje. Nuk u realizua dot platforma e cila ishte shumë e rëndësishme për orën e mësimit dhe e katërta nuk u trajnuan dot mësuesit. Pra ashtu siç u nis projekti me “bababame” e fushata siç kjo qeveri bën, dhe ky ka qenë një nga konfliktet që ne kemi patur bashkë. Duke mos parë dritën e tunelit në fund, por duke e segmentuar sistemin e arsimit dhe duke bërë eksperimente kjo ngeli një situatë e cila dëshira ishte shumë e madhe, zhurma u bë jashtëzakonisht shumë e madhe, por ajo që duhej të realizohej dhe të ekzekutohej në terren nuk u realizua”, tha Malaj.

Eksperti i arsimit: Etja për përfitime dështoi projektin e klasave digjitale

Por me 1001 gjëra që presin dorën dhe vëmendjen e shtetit jo vetëm në sektorin e arsimit por edhe më gjerë, a ishte i nevojshëm projekti i klasave digjitale?! Sipas pedagogut dhe ekspertit të arsimit, Ndriçim Mehmeti, po.

“Padyshim që po. Rruga për të vijuar me këtë projekt ishte e shtruar. Prej vitit 2006 e deri në vitin 2013, ishin bërë investime shumë të qenësishme në këtë fushë. Ishin instaluar me qindra laboratorë në shkollat e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin, u shpërndanë 2100 lap-top dhe projektorë, u sigurua lidhja me internet pothuaj në të gjitha shkollat. Një projekt shumë interesant ishte ai me Postën Shqiptare për aksesin në internet në 500 komuna rurale të thella për nxënësit dhe popullatën. U aplikua edhe amza elektronike, dëftesa digjitale, aplikimi online për maturantët etj. Projekti që do të përfshinte teknologjinë në orët mësimore të gjimnazeve e ka zanafillën në maj të vitit 2013. Në atë kohë, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, nënshkroi një marrëveshje kredie me “UniCredit Bank Austria AG” për një shumë prej 2.5 milionë eurosh, për mundësinë e futjes së mësimit digjital në arsimin parauniversitar. Pra infrastruktura për një kapërcim apo si të thuash përshtatje me kohën digjitale ishte shtruar”, -rrëfen Mehmeti.

Por a ishte arsimi shqiptar gati për këtë revolucion, qoftë nga pikëpamja e infrastructures, por edhe e stafit akademik?

Ish-ministrja e arsimit znj. Lindita Nikolla pat deklaruar se “parashikohen të trajnohen 8 000 mësues, prej të cilëve gjysma janë trajnuar tashmë”. Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti tha se kjo gjë nuk ndodhi me trupën akademike.

“Jemi në vitin 2020 dhe asnjë tabletë nuk është më në funksionim, sikundër u dëshmua qartë gjatë periudhës së mësimit online, prej datës 10 mars 2020. Po ashtu nuk u trajnuan mësuesit e premtuar nga znj. Nikolla dhe nuk u vunë në zbatim kurrikulat e mësimit digjital, ndonëse për këtë projekt qeveria shqiptare shpenzoi 3.5 milionë euro, 1 milion më shumë sa kishte parashikuar qeveria paraardhëse”, -shpjegon eksperti.

Por nëse për Ministrinë e Arsimit projekti i rreth 120 klasave digjitale konsiderohet i suksesshëm, madje po mendohet që kjo praktikë të zgjerohet duke u shtrirë edhe në shkolla të tjera, për ekspertët, ky është një projekt i dështuar.

 “Projekti duhet të ishte zbatuar, pasi për të u hodhën jo pak, por 3.5 milionë euro. Nëse ajo që u premtua për mësimin digjital në 2015, për të cilin dhe u shpenzuan 2.5 milionë euro, do të kishte përfunduar me sukses, padyshim që sot ne nuk do të flisnim fare nevojë të improvizonim, por të zhvillonim një mësim më se normal me nxënësit e gjimnazeve, e në veçanti me maturantët. Përgjegjësit që bënë të mundur dështimin e mësimit digjital me vetëdije të plotë kanë emër e mbiemër.”, -përfundon kritik Ndriçim Mehmeti pedagog dhe ekspert i arsimit.

Tabletet tashmë dergjen magazinave

Kritik shprehet për këtë projekt edhe Drejtuesi i “Qëndresës Qytetare”, Rigels Xhemollari, i cili sqaron se nëse ky projekt do të kishte mbështetjen e duhur, sot do ishim një shembull pozitiv edhe për rajonin.“Dy pikat e dobëta të cilat nuk lejuan aplikimin e këtij projekti pilot, por të shtrenjtë, ishin mungesa e infrastrukturës në shkolla si: prizat, interneti por edhe sistemet e vlerësimit online apo të ashtuquajturat kompjuterë-server dhe mungesa e aftësive të mësuesve “digjitale” për të vënë në funksion procesin e mësimit online. Nëse ky projekt do të kishte mbështetjen e duhur nga qeveria dhe premtimi i Kryeministrit Rama për t’i shndërruar të gjitha gjimnazet në shkolla digjitale, në kohën e pandemisë arsimi i mesëm shqiptar do të ishte model për vendet e Rajonit dhe më gjerë dhe nuk do kishim probleme të theksuara të efektivitetit të mësimit online apo aftësive dixhitale të mësuesve dhe nxënësve”, -tha Drejtuesi i “Qëndresës Qytetare”, Rigels Xhemollari. Sipas tij, gjithçka është përdorur mediatikisht dhe tabletet tashmë dergjen magazinave të shkollave pa mundur as të ndizen.

“Ashtu si edhe projektet e tjera digjitale në arsim, përmend këtu bibliotekën digjitale, portalet e ndryshme për transparencë dhe llogaridhënie, platforma akademia për kontrollin e plagjiaturave, kanë qenë më shumë mundësi tenderimi dhe propagande sesa projekte strategjike afatgjata, qeveria i ka blerë, i ka përdorur mediatikisht 6000 tabletat dhe sot ato dergjen magazinave të shkollave pa përdorues dhe pa karikues (sipas Ministres Besa Shahini)”, sqaron Xhemollari. Pra, ekspertët dhe nxënësit janë kritikë se ky projekt, jo vetëm që nuk ka funksionuar, por që mund të rikthehet ndonjëherë në punë, ndërsa palët politike argumentojnë për të mbrojtur tezat e tyre. Megjithatë, kjo mbetet për t’u verifikuar vetëm pas rihapjes së shkollave, ndërsa vetë nxënësit janë skeptikë se ky projekt nuk është zbatuar që më përpara dhe jo më se do të zbatohet më vonë.

CRCA: Nxënësit s’kanë mundësi për telefona dhe akses në internet

Sipas CRCA-së, që prej datës 9 Mars,  571,616 fëmijë  po ndjekin mësimin  në distancë por vetëm 82.2% e tyre ka akses në internet.

Shqetësimi ynë është se në kushtet kur nuk dihet se kur do të përfundojë izolimi për shkak të Covid-19, fëmijët po deprivohen seriozisht nga mundësia për të patur arritje të barabarta në arsim me fëmijë, që zotërojnë pajisjet dhe lidhjen me internetin. Pas këtyre familjeve qëndrojnë disa nga grupet më të margjinalizuara, më të pamundura dhe më të diskriminuara  në Shqipëri, si ato të minoritetit Rom, familjet që jetojnë në varfëri ekstreme, familjet në zonat rurale larg qendrave të mëdha të banuara,”-thuhet në reagim gjatë karantinimit

Porta Vendore/