Shtohen shqetësimet për taksën e plastikës, ligji sjell kosto të papërballueshme për bizneset

506
Sigal

Jo vetëm për disa nga industritë prodhuese, por edhe për importuesit, ndryshimi në ligjin për taksat kombëtare, i cili taksonte të gjitha lëndët që përmban Kodi Doganor 39, është kthyer në shqetësim. Në paketën e re fiskale 2019 u vendos një taksë mbi produktet plastike me qëllim mbrojtjen e ambientit, i cili ngarkon me taksë 25 lekë/kg lëndët e para dhe gjysmë të gatshme dhe 35 lekë/kg produktin e gatshëm të importuar. Prodhuesit që prej fillimit të këtij viti kanë ngritur shqetësimin se si ky ligj ka rënduar bizneset dhe iu ka shtuar kostot në një masë të papërballueshme. Por, ndryshimi në ligj po rëndon edhe importuesit. Haki Sinani është administrator i një kompanie që tregton hidrosanitare në vend. Biznesi i tij, është një ndër bizneset importuese i cili është penalizuar nga ndryshimi në këtë ligj. Sinani sjell për Monitor një rast konkret se si taksimi i një prej produkteve që ai importon, kasetat inkaso të shkarkimit të ujit të tualeteve po prek biznesin e tij. Ky produkt i gatshëm me peshë rreth 14 kg, përbëhet nga 10 kg lëndë hekur dhe 4 kg lëndë plastikë.  Gjatë një viti ai përllogarit se importon rreth 20 mijë pajisje të tilla dhe është i detyruar që të paguajë taksë plastike për produktin në total, megjithëse pjesa më e madhe e tij përbëhet nga lënda e hekurit.

Kodi 39, që rriti taksat për prodhues e importues

Kodi 39 i nomenklaturës përbëhet nga 26 kategori të mëdha produktesh. Sipas ligjit për taksat kombëtare, në nenin 4 ku përcaktohet niveli i taksave kombëtare, pika 8 thotë se “taksa e materialeve/artikujve plastikë dhe e ambalazheve plastike të importuara në kapitullin 39, të NKM-së, është 35 lekë/kg, me përjashtim të lëndëve të para në forma primare, të importuara në krerët 3901 deri në 3914, të NKM-së”. Ndërsa në pikën 8.1 “përcaktohet se taksa e lëndëve të para në forma primare, të importuara në krerët 3901 deri në 3914, të NKM-së, dhe që përdoret për prodhimin në vend të produkteve të plastikës është 25 lekë/kg”. Operatorët e prekur thonë se kur u përcaktua në ligj se taksa do të prekë të gjithë produktet e Kodit 39, nuk kanë pasur asnjë të dhënë se çfarë prodhohet me këto lëndë të para, një analizë teknike apo ndikimin negativ ekonomik te firmat prodhuese që nuk kanë lidhje me ambalazhet.

Prodhuesit janë alarmuar

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë e ka ngritur edhe më herët shqetësimin për ndryshimin në taksën kombëtare, pjesë e Paketës Fiskale 2019. Ndryshimi, që takson me 25 lekë/kg prodhimin vendas dhe 35 lekë/kg prodhimet e importuara që përfshihen në Kodin 39 të nomenklaturës, ka sjellë jo pak shqetësim për sektorë dhe industri të ndryshme, nga riciklimi deri te prodhuesit e materialeve të ndërtimit. Sipas Dhomës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, prodhuesit vendas do të vihen përballë një rreziku të madh në aspektin ekonomiko-financiar të subjekteve të tyre, duke çuar deri në mbyllje të aktiviteteve prodhuese./Monitor