Shteti i jep miliona por inceneratori i Fierit nuk punon

391
Sigal

“Po punohet, po nuk na lejohet t’ju fusim brenda. Urdhërat janë nga lart!”

 

Inceneratori i Fierit duhej të ishte gati në 31 mars të këtij viti, sipas kontraës së rinovuar mes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës kanalizimeve dhe Infrastrukturës së mbetjeve dhe kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k”. Shqiptarët duhet të paguajnë sot taksën e inceneratorëve, që qeveria e vendosi në çmimin që duhet të paguhet për energjinë e prodhuar prej tyre.Kjo taksë iu vendos shqiptarëve në nëntor të vitit 2017.

Pas disa afateve të shkelura për përfundimin e veprës, drejtuesit e projektit i komunikuan kryeministrit Rama gjatë inspektimit në 6 prill, se ajo do të jetë gati në fund të këtij muaji. Inceneratori i Fierit nuk u arrit të përfundohej as në 31 mars të këtij viti, ashtu siç parashikonte kontrata e rinovuar në datën 11 tetor 2020..Edhe ky afat u shkel dhe kjo vërtetohet nga inspektimi që kryeministri Rama bëri në 6 prill, në Fier.

 

Inxhinieri Enid Dine garantoi kryeministrin për përfundimin e impiantit në fund të këtij muaji.“Në fund të muajit prill kjo vihet në funksion 100% në procesin e vet”- tha ai.Në fakt i njëjti person, në 15 tetor të vitit të kaluar u shpreh.

Edhe ministri i Mjedisit Blendi Klosi, kishte deklaruar në 18 tetor nisjen e punës në impiant brenda dhjetorit 2020, por sipas Faktoje, kjo deklaratë rezultoi të ishte bërë disa ditë pas zyrtarizimit të shtyrjes së kontratës me parashikimin që punimet të përfundonin në fund të marsit.Në 8 prill në terren  nuk u lejua  të shihej nga afër impianti i përpunimit të mbetjeve, me argumentin se duhet një leje zyrtare nga drejtoria. Gjatë komunikimit me një nga administratorët e impiantit ai u shpreh:

“Jemi në proces kolaudimi, shumë shpejt përfundojmë dhe nisim nga puna.” Gjithashtu disa punonjës që nuk pranuan të identifikoheshin, na treguan: “Po punohet, po nuk na lejohet t’ju fusim brenda. Urdhërat janë nga lart!”

Nga vëzhgimi dalluam se makineritë e punës ishin ende përreth impiantit të Përpunimit të Mbetjeve.Inceneratori i Fierit, sipas parashikimit fillestar në kontratën e nënshkruar me kompaninë “Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k” duhej të ishte në funksion prej muajit shtator 2019. Megjithatë deri më sot, pavarësisht skadimit të afateve dhe shtyrjes së kontratës, ky impiant ende nuk është gati.