“Shterojnë” mundësitë për financimin e borxhit nga tregu vendas

504
Sigal

Hapësirat për të financuar borxhin nga tregu vendas po shterojnë. Financimi vjetor i borxhit të ri me më shumë se 20 miliardë lekë nga tregu i brendshëm konsiderohet jo efektiv sipas një analize të fundit të Ministrisë së Financave për projeksionet e reja mbi zhvillimet e borxhit publik 2019-2021. Qeveria konsideron se huamarrja nëpërmjet burimeve të tregut të brendshëm është më e thjeshtë për t’u realizuar për sa i përket anës procedurale, është më fleksibël, eviton ekspozimin ndaj riskut të kursit të këmbimit, si edhe i hap rrugën zhvillimit të tregut primar dhe sekondar të titujve shtetërorë. Megjithatë, edhe huazimi në tregun e brendshëm duket se është maturuar tashmë dhe hapësirat për rritje të mëtejshme mund të krijojnë kosto në shërbimin e borxhit. Jetëgjatësia relativisht e shkurtër e borxhit të brendshëm (rreth 2.1 vite) dhe niveli i lartë i borxhit që rifinancohet në harkun kohor të një viti (mbi 300 miliard Lekë). Baza e kufizuar e investitorëve dhe përqendrimi i saj në më shumë se 60% tek sektori bankar dhe tregu jo plotësisht i zhvilluar i titujve shtetërorë, për shkak të mungesës së një tregu sekondar të mirëfilltë. Duke marrë në konsideratë faktorë shoqëruar me borxhin në vlerë absolute financimi i brendshëm është i kufizuar dhe rritja vjetore përtej nivelit 20-22 miliard Lekë mund të ushtrojë presion rritës mbi normat e interesit dhe në të njëjtën kohë të rrisë më tej ekspozimin ndaj riskut të rifinancimit dhe atij të likuiditetit, arsyeton Ministria e Financave. Nga ana tjetër, rezulton se kërkesa e lartë për financim nga ana e qeverisë në tregun e brendshëm mund të reduktojë kreditimin e sektorit privat, rrjedhimisht duke tkurrur investimet private dhe ulur potencialin e rritjes ekonomike të vendit. Shërbimi i borxhit në valutë vlerësohet në rritje gjatë gjithë periudhës afatmesme 2019- 2021. Duke qenë se të ardhurat e vendit tonë janë kryesisht në monedhë vendase dhe balanca tregtare është negative, aftësia për të siguruar valutë mbetet e limituar. Sigurimi i valutës nga burimet e brendshme nëpërmjet titujve shtetërorë në valutë është i kufizuar, kryesisht në aspektin e maturitetit të dëshiruar për të reduktuar risqet në përputhje me objektivat. Nga ana tjetër, përdorimi si instrument i tregut të këmbimit valutor është gjithashtu i kufizuar dhe mund të krijojë implikime në ruajtjen e qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit të monedhës vendase, kryesisht kundrejt monedhës Euro. Megjithatë qeveria ka planifikuar të financojë rreth 80 për qind të kërkesës për borxh të ti nga tregu vendas./Monitor