Shqiptarët s’i preferojnë më telefonat fiks, të fundit në Ballkan

619
Sigal

Vendin e telefonave fiks në familjet e shqiptarëve shumë shpejt do ta zinin smartphone-t, të cilët sa vijnë dhe shtojnë opsionet që e bëjnë më të lehtë përditshmërinë tonë.

Në vitin 2017 përllogariteshin se për çdo 100 banorë, në Shqipëri kishte 8.4 abonime në telefoninë fikse, duke shënuar rënie në vitet e fundit. Që prej vitit 1975, niveli më i lartë i abonimeve për 100 banorë është regjistruar në vitin 2009, ku sipas të dhënave të publikuara nga portali Our World in Data kishte 12.25 abonime. Megjithatë, krahasuar me rajonin, Shqipëria mbetet pas me numrin e abonimeve, duke u renditur e fundit.

Në rajon, numrin më të lartë të abonimeve në telefoninë fikse e ka Serbia, me 37.5 abonime për 100 persona, gati 4 herë më e lartë se në Shqipëri. Më pas, renditet Mali i Zi me 24.19 abonime për 100 persona, Bosnjë dhe Hercegovina me 21.65 dhe Maqedonia me 17.34.

Të gjitha vendet e rajonit kanë një numër më të lartë abonimesh se mesatarja botërore prej 13.15 abonimesh, ndërsa Shqipëria është ende larg kësaj.

Në ndryshim nga telefonia fikse, numri i abonimeve për telefonat celularë ishte 119.38 për 100 banorë, duke u renditur e treta në rajon. Në vend të parë renditet Mali i Zi me 166.10, i ndjekur nga Serbia me 124.06. Të tria këto vende kanë një normë mbi mesataren botërore për sa i përket numrit të abonimeve me 104.49.

Maqedonia dhe Bosnjë – Hercegovina kanë përkatësisht 101.86 dhe 98.09 për 100 banorë.

Qytetarët e Ballkanit do të kenë çmime më të lira të roamingut

Tashmë, përdorimi i telefonave nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të jetë më i lirë.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) njoftoi se nga 1 korriku, çmimet e telefonatave në të gjithë Ballkanin Perëndimor kanë rënë dukshëm, ku qytetarët e këtyre vendeve do të jenë në gjendje të flasin, të hulumtojnë në internet, të dërgojnë SMS shumë më shumë e të paguajnë shumë më pak.

Sipas RCC-së, mesatarisht çmimet për thirrjet dalëse kanë rënë për 65%, ndërsa për internet deri në 78%, ndërsa në disa raste këto ulje shkojnë deri në 99%.

Çmimet deri më 30 qershor për thirrjet dalëse të operatorëve kosovarë kanë qenë 1.75 euro për minutë, për thirrjet e pranuara 0.50 euro, për SMS 0.30 euro, kurse çmimi për internet (data) ka qenë 2 euro për MB.

Kurse, me marrëveshjen e fundit, që nis së aplikuari nga 1 korriku, thirrjet dalëse do të kushtojnë 0.15 euro apo ulje 91%, hyrëse 0.047 euro apo ulje 90%, një SMS do të kushtojë 0.04 euro apo 85%, ndërsa një MB internet do të kushtojë vetëm 0.04 euro, apo ulje 98%.