Shqiptarët paguajnë miliona për t’ju larguar varfërisë dhe korrupsionit

330
Sigal

Sondazhi i “Deloitte” me të rinjtë nxjerr zbuluar propagandën qeveritare. Mbi 50% e te rinjve duan të punojnë në kompani të huaja dhe mbi 86.3% duan të ikin nga vendi. Mbi 470 mijë qytetarë janë larguar nga viti 2013, ndërkohë që mediat britanike raportojnë se shqiptarët paguajnë 20 mijë euro për të kaluar në Franca në Angli.Eurostat jep alarmin se 28% e fëmijëve nga familjet e paarsimuara rrezikojnë varfërinë kur të rriten

20 mijë euro për të shkuar në Britani, shqiptarët pa bukë dhe pa ujë, rrezikuan të mbyteshin

Një 55-vjeçaru arrestua nga policia britanike pasi dyshohet se trafikonte emigrantë të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe.Mediat e huaja bëjnë me dije se James Wisbey u përpoq t’i kalonte emigrantët përtej Kanalit Anglez nga Franca përmes një stuhie dhjetorin e kaluar, por u përmbyt në Teignmouth. Rojet bregdetare kishin monitoruar jahtin, ndërkohë policia dhe zyrtarët e emigracionit i arrestuan ata menjëherë.Mediat raportojnë se emigrantët shqiptarë kishin paguar 20 000 mijë euro për të bërë këtë udhëtim të paligjshëm nga brigjet franceze.Ndër të tjera thuhet se emigrantët shqiptarë ishin të gjithë të uritur dhe të tmerruar.

Ata nuk kishte xhaketa shpëtimi dhe as pajisje minimale sigurie, jahti kishte vetëm një shtrat për të fjetur, një sallon të vogël dhe një tualet të vetëm detar.Njëri prej emigrantëve ishte përpjekur të thërriste për ndihmë pak para mbytjes së anijes, por Wisbey u dëgjua duke u thënë atyre të mbyllnin telefonin dhe rrëmbeu telefonin.

Pamjet nga një helikopter i rojes bregdetare, të filmuara disa orë më parë, treguan se anija përpëlitej në det kundër erës dhe valëve.Një gjykatës në Gjykatën e Exeter Crown i përshkroi veprimet e Wisbey si cinike, të tmerrshme dhe të pafalshme, duke vendosur masën e sigurisë arrest me burg për të. Wisbey, 55 vjeç, nga West Hoe pranoi se kishte thyer rregullat e emigracionit dhe është dënuar me 5 vite e katër muaj burg.Gjykatësi urdhëroi një hetim në bazë të ligjit për të ardhurat nga krimi, i cili do të rezultojë në konfiskimin e jahtit dhe çdo pasurie tjetër që mund të gjurmohet.

700 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi që prej vitit 2018

Qytetarët e vendit tonë duket se e kanë humbur shpresën dhe perspektivën për një të ardhme në Shqipëri. Shkaqet kryesore lidhen me situatën financiare, korrupsionit e lartë, gjendjen e mjeruar të shëndetësisë dhe arsimit, mosbesimin tek politika e drejtësia, papunësia etj,. Në biseda të përditshme përmendet shpesh ideja se këdo person që takon dëshiron të largohet nga Shqipëria. E në fakt kjo dëshirë e qytetarëve është vërtetuar edhe nga raportimet zyrtare.

Emigracioni është shndërruar në problemin më të mprehtë të shoqërisë shqiptare, teksa numri i të larguarve, kryesisht të rinj po rritet, duke e vënë në pikëpyetje zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në të ardhmen.

Që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Shifrat janë bërë të ditura nga Eurostat, instituti europian i statistikave dhe janë përpunuar nga “Monitor”.

Në vitin 2020 morën leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian 37,592 shtetas shqiptarë.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një shtet të Bashkimit Europian. Për të njëjtën periudhë (2008-2020) kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 426 mijë serbë, 337 mijë boshnjakë, 285 mijë shtetas të Kosovës, 195 mijë nga Maqedonia e Veriut dhe më pak se 20 mijë nga Mali i Zi.

Në raport me popullsinë, diferenca është edhe më e lartë. Gati 25% e popullsisë shqiptare (të vitit 2020) tashmë jeton e punon në një nga vendet e Bashkimit Europian.

Italia dhe Greqia, kanë dhënë 84% të lejeve të qëndrimit për herë të parë për periudhën 2008-2020. Rekordin e mban Italia, me 342.5 mijë leje gjithsej. Që nga viti 2013, Gjermania ka rritur ndjeshëm numrin e lejeve të dhëna, pasi ky shtet është bërë i preferuar për punonjësit shqiptarë sidomos mjekë e infermierë ka dhënë gjithsej 48 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë deri në fund të vitit 2020.Në vend të katërt është Franca, me 15 mijë leje e ndjekur nga Kroacia, e cila nga 2018-a ka dhënë mesatarisht një deri në 2 mijë leje qëndrimi në vit.Sondazhi i “Deloitte” me të rinjtë shqiptarë nxjerr zbuluar propagandën qeveritare për vendet e punës dhe pagat. Sipas të rinjve 50% duan të punojnë në kompani të huaja dhe 86.3% duan të ikin nga vendi.

 

 

 

Eurostat : 28% e fëmijëve nga familjet e paarsimuara rrezikojnë varfërinë kur të rriten

Fëmijët që rriten nga prindër të paarsimuar kanë më shumë gjasa të jetojnë në varfëri ku të jenë në moshë madhore në krahasim me fëmijët e tjerë që rriten nga prindër të arsimuar.

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria kishte përqindje të lartë te të rinjve nga mosha 25-28 vjeç (28.5%) që rrezikojnë varfërinë për shkak të trashëgimisë së ulët arsimore të prindërve.

Në vitin 2019, shkalla e rrezikut nga varfëria në BE ishte më shumë se dy herë më e lartë për të rriturit (nga 25 deri në 59 vjeç) prindërit e të cilëve kishin një nivel të ulët arsimimi (20.3%) sesa ishte për të rinjtë prindërit e të cilëve arsim të lartë (8.6%). I njëjti tregues ishte 12.0% për të rinjtë që kishin prindërit me arsim të mesëm.

Nivelin më të lartë të varfërisë për shkak të origjinës arsimore e kanë vendet e Ballkanit. Rumania u rendit e para në Europë pasi 37.4% e të rinjve të moshës 25-28 vjeç rrezikojnë varfërinë se janë rritur në familje të paarsimuara. Treguesi është i lartë edhe në Malin e Zi me (35 %), Bullgari (33.7%), Serbi (33.6%), Maqedonia e Veriut (30%), Letonia (28.5%).

Përqindja e njerëzve në rrezik të varfërisë që kishin prindër me nivel të ulët arsimor ishte më shumë se 20% në 10 shtete anëtare të BE-së.

Në të kundërt, normat më të ulëta u vunë re në Çeki (9.3%) dhe Danimarkë (9.4%) si dhe në Holandë dhe Finlandë (të dyja 10.3%).

Norma më e madhe e rrezikut nga varfëria në mesin e njerëzve që kishin prindër me arsim të lartë ishte në Austri (14.8%) dhe Suedi (12.7%), ndërsa normat më të ulëta u regjistruan në Çeki (2.3%) dhe Rumani (3.2%).

Arsimi dhe pasuria kanë një lidhje të fortë. Vendet që kanë prosperuar ekonomikisht fillimisht kanë investuar fort në sistemet e tyre arsimore. Të tilla modele si Koreja e Jugut dhe Singapori dhe Tajvani në fillim të viteve 60 kishin një popullsi të re në moshë, të cilën e orientuan drejt arsimit në të gjitha nivelet. Pak dekada më pas vendet morën përfitimet nga dividendi demografik dhe sot janë në krye të listës së vendeve të zhvilluara.

Një familje e arsimuar ka më shumë shanse të orientojë fëmijët tek e njëjta rrugë dhe gjithashtu ka më shumë mundësi financiare në dispozicion për të përballuar nevojat e shkollimit. Prandaj gjithnjë e më shumë pabarazitë shoqërore po reflektojnë pabarazitë në arsim.

Në Shqipëri ky kontrast u vu re gjatë pandemisë Covid-19, ku fëmijët nga familjet e varfra humbën mundësinë për të ndjekur mësimin në distancë pasi prindërit e tyre nuk kishin mundësitë financiare t’i pajisnin ata me tableta dhe internet.