Shqiptarët pa bukë e ilaçe, bizneset nxjerrin jashtë vendit 470 miliardë lekë

385
Sigal

Në Mars 2020, kur Shqipëria u fut me detyrim në karantinë dhe një pjesë e tregtarëve po falimentonin, bizneset e kamufluara pas emrave të huaj, transferuan vetëm për 9 muajt e fundit të 2020, shuma marramendëse, që arrijnë në 380 milionë euro. Varfëria, papunësia, spitalet pa ilaçe, dhe humbja e shpresës ka detyruar elitën dhe specialistët të braktisin vendin duke u renditur të 4-ët në botë për numrin e emigracionit

OECD: Shqipërisë po i largohet elita, e katërta në botë për rritjen e emigracionit të njërëzve të aftë

 Vala e re e emigracionit po përfshin jo vetëm familjet, por edhe shtresën e aftë të popullsisë.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në një raport të vitit 2020, konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000/2001 deri në 2015/2016.

Për periudhën në fjalë, rritja e normës së emigrimit të personave me aftësi të larta është 14.6 pikë përqindje (pp), pas Liberisë (27.9) dhe Butanit (15.4) dhe në të njëjtin nivel me Moldavinë. Pas Shqipërisë renditet Rumania, me rritje 11.8pp.

Në përgjithësi, gjithë Ballkanit i kanë ikur intelektualët. Për Bosnjën rritja është 11.5pp, për Maqedoninë e Veriut 10pp.

Shqipëria renditet edhe ndër 10 vendet e para në botë për normën e emigracionit të personave me aftësi të larta, duke e pasur këtë tregues 38.1%, që sipas tabelës së OECD pozicionohet në vendin e tetë në botë për normën e largimit të intelektualëve.

Shqipëria prej dekadash është prekur nga emigracioni masiv i popullsisë, kurba e të cilit nuk po njeh zbutje, por ikja e të arsimuarve është në nivele alarmante.

Emigracioni është një fenomen që prek vendet më të ardhura të ulta dhe të gjitha shtresat e popullsisë, por të arsimuarit kanë prirje për të emigruar më shumë.

Sipas raportit, në Europë, vendet e Ballkanit janë ndër burimet më të mëdha të migrantëve.

Për shembull, Shqipëria ka një normë totale emigrimi prej 29%, Bosnja dhe Hercegovina prej 20% dhe Maqedonia Veriore prej 18%.

Në përgjithësi, nivelet e emigracionit të personave me arsim të lartë janë pothuajse gjithmonë më të larta se nivelet totale të emigracionit. Kjo përzgjedhje pozitive e migrantëve është e lidhur me disa faktorë: jo vetëm individët me arsim të lartë zakonisht kanë më shumë mundësi financiare për t’u angazhuar në migracionin ndër-shtetëror sesa kolegët me kulifikim më të ulët, por gjithashtu shumë vende të OECD kanë miratuar politika më të favorshme migrimi për personat me aftësi të larta.

Shkalla e përgjithshme e emigrimit të individëve me arsim të lartë drejt vendeve me mirëqenie të lartë OECD vendet është 16% në 2015-16. Tek të arsimuarit me arsim te mesëm është 5%.

Megjithatë, ka ndryshime të mëdha në të gjithë vendet e origjinës. Për shembull, vendet të tilla si Mozambiku dhe Somalia, kanë shkallë të lartë të emigracionit me afërsisht 30%, dhe këto dyfishohen në mbi 66% në rastin e Trinidad dhe Tobago dhe Guajana.

Ndërsa sa i përket numrit të lartë të emigrantëve të arsimuar drejt zonës së OECD, India kryeson me mbi 3 milionë emigrantë me nivel të lartë të arsimit, të ndjekur nga Kina (2 milionë) dhe Filipine (1.8 milionë).

Vetë vendet e OECD-së kanë një numër të madh të personave të arsimuar që punojnë në vende të tjera. Afërsisht 1.4 milionë gjermanë dhe 1.7 milionë britanikë me diploma universitare banojnë në vendet e tjera të OECD-së.

Në mesin e të arsimuarve me nivel të ulët, shkalla e emigracionit është 5.4% për burrat dhe 5.8% për gratë.

Ndër të arsimuarit e lartë, shkalla i emigrimit të burrave dhe grave është pothuajse identik në 8.6%.

Një studim i mëparshëm i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, tregoi se Shqipëria renditet në mesin e e vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore.

Numri i studentëve shqiptarë në vendet e OECD u rrit me 430% në vitin 2016 në raport me vitet 2000.

Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit janë ndjeshëm më të ulëta

Bizneset e huaja transferuan jashtë, 379 mln euro fitime për 9- mujorin 2020

Kriza ka frenuar transferimin jashtë vendit të fitimeve nga investitorët e huaj në Shqipëri. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se flukset dalëse në zërin e të ardhurave nga investimet për tremujorin e tretë të vitit 2020 ranë më tej në 121 milionë euro, 20% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për 9-mujorin 2020, flukset dalëse të lidhura me të ardhurat nga investimet, arritën në 379 milionë euro, me një rënie prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pavarësisht rënies krahasuar me një vit më parë, vlera e fitimeve të nxjerra jashtë vendit nga investitorët e huaj ngelet në nivele relativisht të larta krahasuar me vitet mëparshme. Transferimi i fitimeve të bizneseve të huaja jashtë vendit, ka shënuar rritje të ndjeshme sidomos pas vitit 2017.

Kjo mund të shpjegohet me përmirësimin e bilanceve dhe përfitueshmërisë së bizneseve, në kushtet kur ekonomia është rritur me ritme më të përmirësuara pas vitit 2014. Një faktor tjetër që ka ndikuar daljet e larta të fitimeve në vitet e fundit, është rritja e detyrimeve te jorezidentët, sidomos nga qeveria shqiptare. Për nëntë muajt e parë të vitit 2020, qeveria shqiptare ka shpenzuar 6.5 miliardë lekë, ose rreth 52 milionë euro për interesat e borxhit të jashtëm.

Në kahun e kundërt, të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit janë ndjeshëm më të ulëta. Për 9-mujorin 2020, ato përbënin vetëm një të pestën e shumës së tërhequr nga investitorët e huaj në Shqipëri.

Bilanci neto i të ardhurave nga investimet për ekonominë shqiptare është në vazhdimësi negativ, sepse ne jemi një vend pritës i investimeve të huaja. Kjo sjell edhe dalje periodike të të ardhurave në formën e dividendëve që shoqëritë me kapital të huaj shpërndajnë tek aksionerët e tyre jashtë vendit.

Bilanci neto i flukseve të të ardhurave nga investimet në ekonominë shqiptare është negativ në vlerën e 302 milionë eurove, me një rënie prej gati 14% krahasuar me një vit më parë. Ulja e deficitit neto në të ardhurat nga investimet erdhi kryesisht nga pakësimi i fitimeve të transferuara jashtë vendit.

Pandemia e COVID-19 solli një goditje të fortë në ekonomi dhe pasiguri të shtuar për të ardhmen. Në këtë situatë, ishte e pritshme që shumë biznese të pezullonin shpërndarjen e dividendëve, për të forcuar kapitalizimin e kompanive. Për bizneset që operojnë në tregjet e mbikëqyrura financiare, si bankat apo kompanitë e sigurimeve, shpërndarja e fitimeve u pezullua përmes vendimeve të posaçme të autoriteteve rregullatore për të gjithë vitin 2020./E.Shehu

Të pasurit e Shqipërisë çojnë 8% të buxhetit të tyre në udhëtime

Në shekullin ku jetojmë, udhëtimet gjithnjë e më shumë po marrin dimensionin e argëtimit, më shumë se sa një domosdoshmëri për të kryer nevoja themelore të jetesës.

Në vijim të këtij trendi, familjet e pasura shpenzojnë për udhëtime gati një të dhjetën e buxhetit të tyre dhe shumë më tepër se shtresat e tjera të popullsisë.

Sipas të dhënave të INSTAT, familjet në 20 përqindëshin e sipërm me të ardhurat më të larta çuan 8% të shpenzimeve totale më 2019 për shërbimet e transportit. Të pasurit shpenzojnë 4 herë më shumë se të varfrit për udhëtime dhe gati 60% më shumë se shtresa e mesme.

Familjet e varfëra çojnë për shpenzimet e transportit vetëm 2.2% të buxhetit të tyre mujor, ndërsa kjo kategori shpenzimesh, nis e rritet në nivelet më të larta të të ardhurave.

Për familjet me nivel të lartë jetese, transporti është komponenti më i rëndësishëm i shpenzimeve pas konsumit të ushqimeve. Kjo kategori çon për ushqime 32% të buxhetit, ndërsa shpenzimet e transportit vijnë të dytat, me 8%. Pas ushqimeve dhe transportit, familjet me të ardhurat më të larta në vend shpenzojnë më shumë për restorante dhe hotele me 7,2% të buxhetit të tyre mujor, dhe të njëjtën përqindje shpenzojnë edhe për mirëmbajtjen dhe faturat e shtëpisë.

Shqiptarët, në përgjithësi, përballen me kosto të larta të transportit, prej çmimeve të larta të biletave të linjave ajrore dhe çmimeve të larta të naftës.