Shqipëria thyen rekordin me 771 mijë të varfër në 2020

325
Sigal

Banka Botërore dhe INSTAT japin alarmin për nivelin e lartë të varfërisë. Sipas këtyre dy institucioneve Shqipëria renditet më e varfëra në rajon ku tërmeti dhe pandemia e shtuan mjerimin me 112 mijë të varfër duke e ccuar numrin në 771 mijë. Mjerimi i qytetarëve do të rritet gjatë  2021 nga vendimi për rritjen e ccmimit të ujit, për shkak të borxhit prej  138 mln euro, të  ujsjellsave

/Gazeta TELEGRAF

Raporti i Bankës Botërore: Niveli më i lartë i varfërisë në rajon, raporti i INSTAT: Ndër katër më të varfrit e Europës

SHIFRAT E INSTAT

-671.000 individë në varfëri në vitin 2018

-659.000 individë në varfëri në vitin 2019

Shifrat e Bankës Botërore

-112 mijë të varfër më 2020 nga pandemia

INSTAT për 2019-n: 659 mijë individë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër

Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2019 është 23,0 %, duke pësuar një rënie prej 0,4 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018 dhe 0.7 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2017.

Në vitin 2019 janë vlerësuar rreth 659.000 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt rreth 671.000 individë të vlerësuar në vitin 2018. Kjo tregon se niveli i përgjithshëm i të ardhurave familjare të disponueshme është rritur dhe numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër, është ulur me rreth 1,8 %.

INSTAT ka publikuar rezultatet e vitit 2019 të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material në familjet shqiptare.

Treguesit e varfërisë në anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, bazohen në konceptin relativ të varfërisë, i cili merr në konsideratë të ardhurat familjare të disponueshme, numrin e pjesëtarëve në familje (madhësinë e familjes) dhe shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të popullsisë.

Ndër katër më të varfërit e Evropës

Krahasimi i rrezikut për të qenë i varfër për vitin 2019, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Rajonit dhe të Bashkimit Evropian, sipas INSTAT, tregojnë se: Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Mal të Zi (24,5%), Rumani (23,8 %), Serbi (23,2%) ndjekur nga Shqipëria (23,0%). Vlerat më të ulëta të varfërisë regjistrohen në Republikën Çeke (10,1 %), Finlandë (11,6 %), Sllovakia (11,9%), Sllovenia (12,0%) dhe Hungaria (12,3%). Mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian (28 shtete) është 16,8 %.

“Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rritje prej 2,1 pikë përqindje”

Kufiri i rrezikut të varfërisë

Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2019 është vlerësuar me 170.785 lekë, në krahasim me 160.742 lekë që ishte në vitin 2018 dhe 145.017 lekë që ishte në vitin 2017.

Intensiteti në punësim i familjes i referohet numrit të muajve që të gjithë individët e familjes kanë punuar, kundrejt numrit gjithsej të muajve, që teorikisht duhet të punojnë gjatë vitit (12 muaj). Familjet të cilat konsiderohen me intensitet shumë të ulët në punësim, përcaktohen në kufirin 20 %. Individët e grupmoshës 18-59 vjeç, të cilët jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim në vitin 2019, sipas vlerësimeve, përbëjnë 12,4 %, kundrejt 13,3 % rezultuar në vitin 2018, duke pasqyruar një rënie, prej 0,9 pikë përqindje.

Përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshirë në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër. Nëse në nivelin e të ardhurave nuk do të përfshiheshin të gjitha llojet e përfitimeve sociale, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2019 është vlerësuar 38,1 % kundrejt 26,1 % që është vlerësuar nëse do të përfshiheshin në nivelin e të ardhurave përfitimet sociale vetëm nga pensionet e pleqërisë dhe ato familjare.

Rreziku për të qenë i varfër sipas grupmoshave

Rreziku për të qenë i varfër sipas grupmoshave dhe gjinisë është analizuar për tre grupmosha. Trendi në rënie vihet re në grupmoshat 18-64 vjeç dhe 65 vjeç e lart ku rreziku për të qenë i varfër në vitin 2019, në krahasim me vitin 2018, është ulur respektivisht me 0,4 dhe 0,1 pikë përqindje.

Grupmosha 0–17 vjeç, ka pësuar një rritje të lehtë në vitin 2019 me 0,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018.

Rreziku për të qenë i varfër sipas statusit të punësimit, për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2019 ka shënuar rënie me 1,9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018.

Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rritje prej 2,1 pikë përqindje ndërsa tek pensionistët ka pësuar një rënie prej 0,2 pikë përqindje.

BB: Shqipërisë iu shtuan 112 mijë të varfër më 2020, nga pandemia

Raporti thekson se Shqipëria ka nivelin më të madh të varfërisë në Ballkanin Perëndimor; rreth një e treta e njerëzve të saj, jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë

Pandemia Covid -19 dhe tërmeti i 26-nëntorit 2019 e bënë me agresive varfërinë në Shqipëri. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore mbi varfërinë relative, (popullsia që jeton me më pak se 5,5 dollarë amerikanë në ditë), Shqipërisë i janë shtuar midis 28 mijë dhe 112 mijë të varfër në 2020-n.

Në vlerësimin konservativ të Bankës Botërore, më shumë janë prekur shtresat që përfshihen në klasat 2-4 (për efekt të matjes së varfërisë, popullsia ndahet në 5 klasa me nga 20% secila, ku klasa 1 i përket 20 përqindëshit me më pak të ardhura dhe klasa 5 atij me më shumë).

Në vitin 2020, niveli i varfërisë në Shqipëri parashikohet të jetë rritur me 1 pikë përqindje (28,000 të varfër të rinj). Metoda jonë më konservatore për vlerësimin e varfërisë parashikon një rënie më të madhe të të ardhurave për punëtorët në klasat 2-4 të shpërndarjes së të ardhurave, krahasuar me parashikimin standard bazuar në PBB, duke rezultuar në një rritje të vlerësuar të varfërisë prej 4 pikë përqindje, ekuivalente me 112,000 të varfër të rinj”, thuhet në raportin e Bankës.

Raporti thekson se Shqipëria ka nivelin më të madh të varfërisë në Ballkanin Perëndimor; rreth një e treta e njerëzve të saj jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë (në PPP 2011-prodhimi i brendshëm bruto për frymë bazuar në standardin e fuqisë blerëse).

Në të gjithë rajonin (Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë Hercegovina) vlerësohet të jenë shtuar midis 165 dhe 336 mijë të varfër në vitin 2020. Në variantin konservativ, gati një e treta e të varfërve të shtuar në rajon i përket Shqipërisë- (Shënim i ‘Monitor’).

Serbia është shteti i vetëm i rajonit, që ka arritur të mbajë tregues të qëndrueshëm të varfërisë, pas një recesioni të butë që kaloi vendi, me një rënie prej vetëm 1%.

“Raporti thekson se Shqipëria ka nivelin më të madh të varfërisë në Ballkanin Perëndimor; rreth një e treta e njerëzve të saj, jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë”

Varfëria në 2014-2019

Raporti thekson se në Shqipëri, midis 2014 dhe 2019 varfëria ra me vetëm 1 pikë përqindje, pavarësisht se rritja mesatare vjetore e PBB-së ishte 3 për qind. Tronditja e dyfishtë, e tërmetit dhe pandemisë i fshiu totalisht rezultatet e arritura më parë.

Punësimi total ra me 1.8 për qind në 2020, ndërkohë pjesëmarrja e forcës së punës ra, veçanërisht mes të rinjve. Papunësia u rrit në mënyrë të qëndrueshme që nga tremujori i dytë 2020, veçanërisht për grup moshën 30–64 vjeç. Në fund të vitit 2019, varfëria monetare dhe privimi material u rrit në shtatë bashkitë më të prekura nga tërmeti.

Metoda më konservatore e Bankës Botërore parashikon një rritje të nivelit të varfërisë për Shqipërinë me 4 pikë për qind përgjatë vitit 2020, duke arritur në 44%. Ky vlerësimin parashikon një rënie më të madhe të të ardhurave për punëtorët në klasat 2-4 të të ardhurave ekuivalente tek 112,000 të varfër të rinj.

Përmirësimet e mirëqenies në Ballkanin Perëndimor u ndërprenë në vitin 2020, ndërsa kriza COVID-19, i shtyu ekonomitë në recesion. Ulja e varfërisë në rajon u ndal, dhe varfëria u rrit me rreth 2.3 pp, ose 336,000 të rinj të varfër në rajon.

 

 

Do rritet çmimi i ujit, qytetarët do paguajnë 138 milionë euro borxhe

 

Teksa qeveria “Rama1” ushtroi një aksion masiv më 2014 tek qytetarët, për të paguar faturat e energjisë me gjithë detyrimet e prapambetura, nuk e tregoi të njëjtën korrektësi me faturat e saj

 

 

Ndërmarrjet e ujësjellësit, të cilat janë në administrim publik kanë rikrijuar një borxh prej 17 miliardë lekësh ose 138 milionë eurosh ndaj OSHEE -së deri në fund të vitit të kaluar.

Por kjo faturë detyrimesh më shumë se sa ndikon në përkeqësimin e bilancit të OSHEE-së, rrezikon të çojë në rritje të mëtejshme të çmimit të ujit në të gjithë vendin, pasi Ministria e Financave në një prej alternativave për zgjidhjen e situatës propozon që të bëhet zbatimi i plotë i reformës së ujit, ku do të reflektohet kosto e energjisë elektrike në tarifën e ujit në kuadër të rishikimit të metodologjisë të tarifave të ujit.

Në një urdhër të përbashkët që Ministria e Ekonomisë dhe Financave lëshuan për reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë, një nga opsionet për të akomoduar në kosto faturat e energjisë, ishte rritja e çmimit të ujit.

Në vitin 2014 qeveria e “Rama 1” që sapo kishte ardhur në pushtet, të parën punë, bëri zbardhjen e detyrimeve të prapambetura në të gjithë sektorin publik. Nga rreth 72 miliardë i totalit të detyrimeve të fshehura, borxhi që ndërmarrjet e ujësjellësve i kishin atëherë kompanisë CEZ, ishte vetëm 2.6 miliardë lekë. Kjo për faktin se atëherë kompania e shpërndarjes së energjisë ishte në pronësi private, dhe ndërmarrjet e ujësjellësit ishin më të prirura për të paguar në kohë. Pas rreth 8 vitesh, shihet se detyrimet e ujësjellësve janë rritur me më shumë se 6 herë, duke arritur në 17 miliardë lekë, ku 9 miliardë lekë, ishin interesa dhe 78 miliardë lekë, principal.

Pavarësisht diferencave në vlera midis asaj të raportuar nga OSHEE dhe të dhënave të raportuara nga ndërmarrjet e ujit, prirja në rritje e detyrimeve konfirmohet nga palët, shprehet Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

OSHEE ka nënshkruar marrëveshje me disa nga ndërmarrjet e ujit për ristrukturimin e detyrimeve, por nuk kanë qenë efektive deri me sot. Për OSHEE rakordimi dhe ristrukturimi i borxheve të vjetra me ndërmarrjet e ujit, është një çështje që duhet zgjidhur. Por më shumë se ristrukturimi i borxheve të vjetra, rëndësi paraqet përmbushja e pagesave korrente nga ndërmarrjet. Sa i përket institucioneve buxhetore, shuma e detyrimit të papaguar është 5 miliardë lekë, 3 miliardë prej të cilave principal.

Fatura e  detyrimeve të papaguara nga ndërmarrjet e ujësjellësit rrezikon të çojë në rritje të çmimit të ujit në të gjithë vendin, pasi Ministria e Financave, për zgjidhjen e situatës propozon që, të bëhet zbatimi i plotë i reformës së ujit

Teksa qeveria shqiptare ushtroi një aksion masiv me 2014 tek qytetarët për të paguar faturat e energjisë me gjithë detyrimet e prapambetura, nuk e tregoi të njëjtën korrektësi me faturat e saj. Madje siç shihet nga të dhënat, pas vitit 2014, borxhi që institucionet e qeverisë dhe ndërmarrjeve të saj është rritur ndjeshëm, edhe pse në buxhetet vjetore, ato i kanë të parashikuar shlyerjen e energjisë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe ajo e Infrastrukturës, kanë dhënë dy zgjidhje për të pagesën e faturave të energjisë nga ndërmarrjet e ujësjellësit.

E para, është automatizimi i pagesave të faturave të energjisë elektrike përmes garancive bankare (overdraft). Kjo mënyrë do të pilotohet në 1 – 3 ndërmarrje ujësjellësi me financa të shëndosha, ndërsa do të shtrihet më tej, tek ndërmarrjet e tjera që mund ta përballojnë financiarisht.

Së dyti, do të bëhet zbatimi i plotë i reformës së ujit, ku do të reflektohet kosto e energjisë elektrike në tarifën e ujit në kuadër të rishikimit të metodologjisë të tarifave të ujit.