Shqipëria ka më pak biznese, u pakësuan për të katërtin vit radhazi

116

Numri i bizneseve private në Shqipëri pësoi rënie për të katërtin vit radhazi. Të dhënat nga Instituti i Statistikave treguan se për vitin 2019 numri i bizneseve, pa përfshirë fermerët, ishte më pak se 118 mijë, në rënie me 3.5% krahasuar me vitin 2018. Edhe numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara gjatë vitit pësoi rënie të ndjeshme në rreth 17 500, rreth 3 mijë më pak krahasuar me vitin 2018.

Shumica e sektorëve ekonomikë kanë pësuar tkurrje të numrit të bizneseve aktivë, duke filluar nga tregtia dhe industria. Numri i ndërmarrjeve tregtare u tkurr me rreth 2 300 vitin e kaluar, duke vijuar tendencën rënëse të viteve të fundit. Në katër vjet, numri i bizneseve tregtare është pakësuar me afërsisht 7 mijë mijë që prej vitit 2016.

Në industri, vitin e kaluar u regjistruan afërsisht 600 biznese më pak, ndërsa tendenca në rënie vijoi edhe në sektorin e hotelerisë dhe restoranteve, ku rezultojnë pothuajse dy mijë biznese aktive më pak krahasuar me vitin 2018.

Rritje të lehtë të numrit të bizneseve shënoi për të dytin vit radhazi sektori i ndërtimi, si edhe telekomunikacionet dhe shërbimet e tjera.

Megjithëse në vitet e fundit ekonomia ka pasur një tendencë të lehtë në përmirësim, e shtyrë sidomos nga volume e mëdha të investimeve të huaja dhe nga turizmi, numri total i bizneseve ka ardhur në rënie në vazhdueshme. Ndoshta trysnia në rritje për formalizim mund të kenë ndikuar në uljen e numrit të bizneseve aktive.

Ndërkohë, edhe për vitin e kaluar ka vazhduar zgjerimi i formalizimit në bujqësi. Kjo ka bërë që numri i përgjithshëm i fermerëve të regjistruar të arrijë në mbi 44 mijë mijë, tre mijë më shumë krahasuar me vitin 2018. Formalizimi i fermerëve është nxitur sidomos nga vendosja si kusht për të përfituar nga skemat e subvencioneve. Pajisja me një numër identifikimi të subjektit gjithashtu lidhet me nevojën për shitjen e prodhimit në pikat e grumbullimit. / SCAN