Shpërblimi i fundvitit, ja parashikimi i buxhetit të shtetit

914
Familjet me ndihmë ekonomike, që janë rreth 80 mijë, do të marrin shpërblimin e fundvitit. Kjo është njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Financave në relacionin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, edhe pse masa e shpërblimit nuk është përcaktuar ende. Vitin e kaluar kjo kategori përfitoi shpërblim 2500-3000 lekë. Skema e shpërblimeve pritet të shtrihet edhe në kategorinë e pensionistëve, siç është bërë traditë tashmë dhe disa kategori të tjera të popullsisë. Gjatë vitit 2018 pritet të jetësohet një projekt që rrit efikasitetin dhe transparencën e skemës së ndihmës ekonomike nëpërmjet administrimit të regjistrit elektronik kombëtar dhe përdorimit të sistemit të pikëzimit. Qëllimi është rritja e shënjestrimit dhe mbulimit të familjeve të varfra, krijimi i një sistemi të paanshëm dhe transparent, duke ulur subjektivitetin në vendim-marrje, si dhe rritja e eficencës në administrimin e skemës. Targetimi i më të varfërve do të bëjë të mundur “pastrimin” e skemës nga abuzuesit dhe futjen në skemë të familjeve më në nevojë. Për vitin 2018 janë parashikuar të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike 79,891 familje. Gjithashtu parashikohet të trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar 164,410 persona (persona me aftësi të kufizuar, kujdestarë të PAK dhe invalidët e punës).
Sigal