Shoqatat e Investitorëve të Huaj: Gjeni zgjidhje për krizën, po pengoni investimet e mundshme ndërkombëtare

515
Sigal

Pas bizneseve vendase, janë dhomat e huaja të tregtisë dhe industrisë që kanë bërë thirrje të përbashkët për të zgjidhur krizën politike, pasi kjo situatë po pengon investimet ndërkombëtare.

Në një deklaratë të përbashkët, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC) pohojnë se po ndjekin me shqetësim të thellë situatën aktuale politike në Shqipëri. Shumë nga anëtarët tanë kanë shprehur frustrim lidhur me pasigurinë politike që po ndikon drejpërdrejt negativisht në klimën e biznesit dhe ekonominë shqiptare.

“Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë. Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare. Komuniteti ynë i biznesit kërkon fuqishëm që të gjithë palët e përfshira – veçanërisht Qeveria dhe Opozita – të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë çdo përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në dobi të stabilitetit në vend:, përfundon deklarata.

Pak ditë më parë, Forumit i Dhomave të Tregtisë dhe Shoqatave të sipërmarrjesi i bëri thirrje unanimisht apel klasës politike në Shqipëri për normalizimin e situatës politike dhe ekonomike në vend.

Në deklaratën e tyre thuhej: “Përshkallëzimi i situatës që thellon krizën politike në vend ka krijuar dhe po thellon plagë të rënda në ekonominë Shqiptare.

Të shqetësuar nga kjo situatë politike në vend, u bëjmë thirrje liderëve të partive politike të gjejnë ZGJIDHJE pa humbur kohë.

Përvoja nga krizat e mëparshme që ka kaluar vendi ynë gjatë 30 viteve, kanë treguar se gjithmonë është gjetur një zgjidhje,  por diferenca është tek kohëzgjatja dhe fatura e paguar. Faturë që e kanë paguar dhe vijojnë ta paguajnë konsumatorët, taksapaguesit dhe e gjithë ekonomia shqiptare.

Në kohën e këtij apeli, është shtuar hezitimi te konsumatori shqiptar, është shtuar hezitimi për të vijuar me investimet si tek sipërmarrja vendase ashtu edhe tek investitorët e huaj.

Në këtë situatë të krijuar, më shumë nga të gjithë po cenohet sipërmarrja private, si kontribuesi kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit, me 85% të prodhimit të përgjithshëm vjetor (GDP) dhe  me punësimin, nga ku 9 në 10 shqiptarë sot punojnë në sipërmarrjen private”.

Edhe operatorët turistikë janë shprehur se situata e paqartë politike ka ndikuar në anulimin e rezervimeve nga turistët e huaj, kryesisht ata gjermanë dhe nordikë./Monitor