Shëndetsia po jepë shpirt, 50% e shqiptarve paguajnë nga xhepi

546
Sigal

Banka Botërore kryqëzon reformat e ‘rilindjes” në shëndetsi ku pagesat maksimale bëhen nga xhepi i qytetarve, ndërsa shteti bënë shpenzime minimale. Në rajon dhe BE, mesatarja për 100 mijë banorë është 369  mjekë, në Shqipëri 128, ndërkohë që mungon transparenca për 230 milion euro çdo vit të sigurimeve shëndetsore, ministrisë së Shëndetsisë dhe PPP-ve në sistemin mjekësor.

Shendetësia po jep shpirt

Shëndetësia e shqiptarëve, pagesat maksimale nga xhepi, shpenzimet minimale nga shteti

Shëndetësia shqiptare  përveç  pagesave të buxhetit të shtetit, subvencionohet  edhe nga pagesat e sigurimeve shëndetësore  të qytetarëve, kompanive dhe bizneseve, e cila kap një shifër rreth 160 mln euro në vit.Kësaj shifre i shtohen edhe rreth 70 milionë euro nga buxheti i shtetit që janë për llogari të Ministrisë së Shëndetit,  që janë për pagesat e personelit mjekësor, mirëmbajtjen e godinave si spitalet, poliklinikat,  qendrat  shëndetësore,  blerjen e pajisjeve. Kjo shumë, së bashku me atë të sigurimeve shëndetësore, arrin një shifër rreth 230 milionë euro çdo vit. Lind pyetja ku shkojnë këto para dhe pse shërbimi shëndetësor nuk u ofron pacientëve as ilaçe cilësore të rimbusuara, dhe as shërbime në spitale.

“Përpara shpërthimit  të COVID-19, sistemet shëndetësore të Ballkanit Perëndimor përballeshin me vështirësi kritike në financim dhe në realizim të shërbimeve. Shpenzimet për frymë për sistemet shëndetësore,  janë ndjeshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së dhe mënyra me të cilën shpenzohen fondet e pakta,  është jo efikase, ose jo e harmonizuar me profilin e sëmundshmërisë në rajon. Kjo e bën këtë rajon të cënueshëm nga shpërthime të ardhshme epidemish, sidomos duke pasur parasysh se pacientët me sëmundje  jo ngjitëse janë më të cënueshëm”, -konstaton Banka Botërore në një raport të fundit, të titulluar: “Ndikimi i COVID-19,  në sistemet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor”.

Banka  thotë se Qeveritë e Ballkanit Perëndimor do të duhet edhe të sigurojnë fonde për të financuar sistemet shëndetësore,  për t’u bërë më të forta përballë epidemive në të ardhmen. Këtu përfshihet administrimi i rreziqeve të shumta: trysnia imediate për t’i shkurtuar fondet për shëndetësinë  për shkak të rënies ekonomike; rënia e të ardhurave spitalore nga shtyrja në kohë e rasteve jo urgjente, e cila do ta vendosë në vështirësi qëndrueshmërinë e tyre financiare; dhe tkurrja e burimeve të financimit për shëndetësinë për shkak të rritjes së papunësisë dhe rënies së dërgesave private nga jashtë. Ka rëndësi kritike që qeveritë të veprojnë pa vonesë dhe me vendosmëri për t’i mbrojtur të ardhurat për sistemet shëndetësore, po të kemi parasysh se priten epidemi të tjera në të ardhmen.

Në të dhënat që Banka jep për vendet e Ballkanit Perëndimor , Shqipëria ka performancën më të keqe, pasi banorët shpenzojnë nga xhepi për shërbime shëndetësore më shumë se të gjithë (të dhënat e 2014), ndërsa shteti ka shpenzimet më të ulëta për frymë për sistemin e shëndetësisë.

Shpenzimet e drejtpërdrejta nga xhepi arrijnë 50% për shqiptarët, më të lartat në rajon dhe në krahasim me mesataren europiane, ndërsa shpenzimet publike për frymë për shëndetësinë ishin 304 dollarë, më të ulëtat në rajon dhe shumë poshtë mesatares së vendeve të BE-së.

Shqipëria ka dhe kapacitetet shëndetësore në klinika, spitale dhe qendra të kujdesit shëndetësor, më të ulëtat në rajon dhe më pak mjekë. Në vitin 2013, Shqipëria kishte 128 mjekë për 100.000 banorë; në vitin 2014, Mali i Zi kishte 234 mjekë për 100.000 banorë dhe Maqedonia e Veriut 280. Mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2014 ishte 369 mjekë për 100.000 banorë. Ndërkohë që sistemet shëndetësore përpiqen të bëjnë një zbulim efektiv të rasteve dhe të trajtojnë  pacientët me COVID-19, mungesat afatgjata në personel mjekësor janë një problem serioz.

Sipas raportit, “Sigurimi i fondeve të mjaftueshme për shëndetësinë dhe modernizimi i realizimit të shërbimeve për ta ofruar me efikasitet dhe efektivitet kujdesin janë sfida me të cilat është përballur prej kohësh i gjithë rajoni. Në Tabelën 1 paraqiten shpenzimet kombëtare për frymë për shëndetësinë në Ballkanin Perëndimor; në mbarë rajonin, kjo shifër është ndjeshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian (BE) prej 3.127 $.3 Në mbarë rajonin, mungesën e fondeve për sistemet shëndetësore shpesh e vuajnë familjet, shpenzimet e drejtpërdrejta (nga xhepi) të të cilave janë të larta. Për shembull, për rajonin në tërësi kjo shkon nga 37 për qind në Serbi dhe në Malin e Zi, deri në 50 për qind në Shqipëri, në krahasim me 14,9 për qind në BE. . Këto sfida në financim përkeqësohen edhe nga modelet jo efikase të realizimit të shërbimeve, të cilat i kalojnë më së shumti rastet në sistemin spitalor, i cili është i kushtueshëm dhe nuk është i përputhur me profilin e sëmundshmërisë, në të cilin dominojnë sëmundjet jo ngjitëse. Jo vetëm që kjo sjell akumulim të detyrimeve të prapambetura dhe të borxheve, por do të thotë edhe se ka investim të pamjaftueshëm në kujdesin shëndetësor parësor, profilaksi dhe shëndet publik, çka i bën sistemet shëndetësore më të cenueshme nga pandemitë, ndërkohë që ky kujdes ofron mënyra efikase të sigurimit të shëndetit dhe mirëqenies në kushte normale”.

Epidemia COVID-19,  do t’i përkeqësojë sfidat e vjetra me të cilat përballet sistemi shëndetësor në Ballkanin Perëndimor. Shkallët e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë nga koronavirusi duhen parë në kontekst të një sistemi të kujdesit shëndetësor dhe të një popullate. Në pamje të parë, siç pasqyrohet nga renditjet ndërkombëtare të gatishmërisë  për pandeminë, Ballkani Perëndimor duket se është mirë.

Indeksi i Sigurisë Shëndetësore Globale (GHSI),  merr në konsideratë parandalimin, zbulimin, ndërhyrjen e shpejtë, përputhshmërinë me normat ndërkombëtare dhe mjedisin e risqeve; në këto fusha, ky rajon ka ecuri të mirë. Kjo është vënë re gjatë fazës së frenimit; qeveritë kanë zbatuar me shpejtësi dhe agresivitet masa të shëndetit publik dhe të mbylljes. Por, GHSI vëren gjithashtu se kapaciteti i sistemeve shëndetësore është i kufizuar, -kjo ka qenë fusha ku është dhënë vlerësimi më i ulët. Ky konstatim pasqyron dobësitë strukturore që ekzistojnë prej kohësh në financim, në realizimin e shërbimeve, në qeverisje dhe në administrimin e personelit, çka i bën sistemet shëndetësore të cënueshme përballë ngjarjeve të padëshirueshme.

Ndërkohë që qeveritë kalojnë tani drejt fazës tjetër, administrimi dhe mbështetja e sistemeve shëndetësore merr rëndësi kritike. Duke pasur parasysh konstatimet e GHSI-së lidhur me kapacitetin e sistemeve shëndetësore, është edhe më e rëndësishme që t’i kushtohet vëmendje ngritjes së kapaciteteve. Me masa politikash dhe investimesh inteligjente në pesë fushat thelbësore (ndalimi i transmetimit të mëtejshëm, administrimi i buxheteve, mbrojtja e pacientëve të cenueshëm, sigurimi i realizimit të shërbimeve dhe rifitimi i një normaliteti të ri), sistemet shëndetësore mund të dalin më të forta nga epidemia e vitit 2019-2020 dhe më të afta për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ky raport sheh, së pari, shkallën e përgatitjes së sistemeve shëndetësore për COVID-19 dhe efektin e menjëhershëm të kësaj sëmundjeje. Më pas, diskutohen mundësitë që kanë përpara qeveritë dhe udhëheqësit e sistemeve shëndetësore, ndërkohë që kërkojnë të menaxhojnë epideminë gjersa të gjendet një vaksinë apo trajtime efikase.