Sektori i turizmit në Durrës, 159 subjekte të reja të regjistruara, 10.500.000 lekë mallra të konfiskuara

708
Sigal

Në zbatim të Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, për marrjen e masave gjatë sezonit turistik në fushën e tatimeve, Drejtoria e Hetimit Tatimor, ushtroi kontroll në subjektet private në zonën e plazhit Durrës, lidhur me regjistrimin e këtyre subjekteve në organin tatimor, deklarimin e punonjësve, instalimin dhe përdorimin e vaisjeve fiskale, dokumentimin e mallrave si dhe afishimin e çmimeve. Nga ky kontroll, vetëm në harkun kohor prej 7 ditësh, u arrit të konstatohen shkelje të rënda. Nga ana jonë u penalizuan 404 subjekte si dhe u arrit të licencohen 159 subjekte në QKR, çfarë do të thotë rritje e ndjeshme e numrit të punonjësve të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore. Veç kësaj, u konfiskuan 20.000 mije shishe birrë pa faturat përkatëse, 3 600 shishe me pije të akcizës (vvhisky, verë) si dhe asete të luajtshme, të cilat në tërësi kapin një vlerë rreth 10.500.000 lekë. “Falënderojmë qytetarët e Durrësit për denoncimet e bëra në administratën tatimore dhe sigurojmë gjithë qytetarët se çdo rast i denoncuar prej tyre, do të vlerësohet me seriozitet, duke reaguar menjëherë me mjetet ligjore që disponojmë dhe duke ruajtur konfidencialitetin e plotë. Njëherësh ju bëjmë me dije se këto operacione do vazhdojmë t’i shtrijmë në të gjithë zonat turistike të vendit dhe do konfiskojmë çdo pajisje jofiskale, çdo mall pa faturë si dhe do penalizohet çdo subjekt që nuk lëshon kupon tatimore dhe ka të përfshirë në aktivitetin e tij, punonjës të pasiguruar”,-thuhet në njoftimin e drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, po punohet për certifikimin e listës së çmimeve në të gjitha subjektet tregtare të hotelerisë dhe restoranteve, ku listat e certifikuara do kenë logon e dy institucioneve. DPT i tërheq vëmendjen të gjithë subjekteve tregtare që të respektojnë me korrektësi  legjislacionin tatimor.