Sektori i turizmit në Ballkan përgatitet për një sezon veror të vështirë

614
Sigal

Ekonomitë e Kroacisë, Malit të Zi dhe të Shqipërisë mbështeten shumë te turizmi, por COVID-19 po bën që vera e vitit 2020 të jetë e vështirë.
Hoteli “Adria” i Dragan Ivanceviçit në qytetin bregdetar të Budvës në Mal të Zi është i zbrazët, dyert e tij u mbyllën që kur qeveria vendosi që çdo gjë të mbyllej për të luftuar përhapjen e COVID-19.

Për vite me radhë, paratë e shpenzuara nga turistët në vijën bregdetare të Adriatikut të Malit të Zi kanë qenë një shtyllë kryesore e ekonomisë së ish-republikës jugosllave, duke zënë 21 për qind të prodhimit kombëtar vitin e kaluar.

Ivanceviç thotë se pasojat nga koronavirusi që përfshirë botën mund të jenë shkatërruese për ish-republikën jugosllave me rreth 630,000 banorë.

“Në këtë periudhë të vitit, të gjitha paratë nga viti i kaluar janë shpenzuar, kështu që ne zakonisht marrim kredi”, tha ai për BIRN. “Me këtë epidemi, është e vështirë të marrësh një kredi kur nuk di se si ta shlyesh atë.”

Ata që jetojnë nga turizimi në Ballkan janë përgatitur për një rënie të qëndrueshme. Plazhet e mbushura me njerëz, radhët në trafik dhe ato për akullore sa vijnë e duken gjithnjë e më të pamundura këtë verë.

“Sigurisht, pavarësisht se çfarë do të ndodhë, sezoni nuk do të jetë normal”, tha Damir Kresiç, drejtor i Institutit për Turizëm, një organ hulumtues dhe këshillimor me qendër në kryeqytetin kroat, Zagreb. “Edhe nëse epidemia ndalet nesër, nuk do të ishte normal.”

Masat mbështetëse në Kroaci “nuk mjaftojnë më”

Ashtu si Mali i Zi, Kroacia në veri dhe Shqipëria në jug varen shumë nga fluksi i vizitorëve në plazhet e tyre në bregdetin e Adriatikut.

Në Kroaci, turizmi është përgjegjës për pothuajse 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB, me numrin e vizitorëve që rritet çdo vit dhe në vitin 2019 arriti në 20.7 milionë, sipas të dhënave nga sistemi shtetëror eVisitor.

Por për javë me radhë, Kroacia, si pjesa tjetër e Ballkanit, ka qenë e izoluar, me transportin e saj publik, baret, restorantet dhe kafenetë të mbyllura. Kufijtë janë të mbyllur në të gjithë rajonin.

Qeveritë po premtojnë ndihmë për bizneset, përfshirë sektorin e turizmit nëse sezoni veror dëmtohet. Por çdo ndihmë do ta ketë të vështirë të kompensojë plotësisht dëmin e mundshëm.

“Në skenarin më optimist, nëse epidemia do të merrte fund ose të paktën do të vihej nën kontroll deri në qershor, atëherë një pjesë e sezonit mund të shpëtohet”, tha Kresiç. “Por nëse kjo lloj krize shëndetësore vazhdon edhe në qershor dhe korrik, atëherë mund ta harrojmë këtë vit.”

Në fillim të marsit, pak ditë pas rastit të parë të konfirmuar me COVID-19, qeveria insistoi se, pavarësisht kufizimeve të vendosura gradualisht për bizneset dhe individët për të frenuar përhapjen, vendi mbetej një destinacion i sigurt për turistët.

Megjithatë, situata ndryshoi me shpejtësi dhe kufizimet u shtrënguan. Më 18 mars, ministri i turizmit, Gari Cappelli, tha për televizionin publik HRT: “Shpresoj se do të ketë një mundësi për ta kapërcyer këtë në tremujorin e dytë dhe, nëse arrijmë të sigurojmë më shumë vizitorë në shtator dhe tetor, do të mund ta kapërcejmë këtë situatë.”

Të njëjtën ditë, qeveria njoftoi një paketë prej 63 masash për të mbështetur ekonominë, përfshirë subvencione pagash për bizneset në vështirësi dhe plane për shtyrjen e taksave dhe tarifave për kompanitë dhe bizneset e vogla në sektorin e turizmit.

Kresiç tha se masat ishin një fillim i mbarë, por, duke pasur parasysh rrethanat në ndryshim, ato “nuk ishin më të mjaftueshme”.

Kredi emergjence në Mal të Zi

Më shumë se 2.6 milionë turistë vizituan Malin e Zi vitin e kaluar, duke gjeneruar të ardhura prej një miliardë eurosh. Por që nga mesi i marsit të këtij viti, kufijtë, baret, hotelet dhe restorantet e Malit të Zi janë mbyllur, ndërsa në fund të muajit u vendos shtetrrethimi.

Të vetmet radhë në bregdet janë ato para supermarketeve dhe farmacive.

Duke u përpjekur për të zbutur goditjen ndaj bizneseve, qeveria njoftoi më 18 mars shtyrjen e pagesave të kredive dhe taksave për 90 ditë, ndërsa kryeministri Dusko Markoviç premtoi një linjë të re kredie deri në tre milionë euro me një normë interesi prej vetëm 1.5 për qind.

“Këto fonde janë për kompanitë që operojnë në fushën e prokurimit të ilaçeve, turizmit dhe hotelerisë, dhe ushqimit”, tha Markoviç në një konferencë për shtyp.

Nina Vukceviç, menaxhere e marrëdhënieve me publikun në Organizatën Kombëtare të Turizmit në Mal të Zi, tha se fondet do të mbulonin pagat në sektorin e turizmit për tre muajt e ardhshëm.

“Meqenëse turizmi duket se është më i prekuri nga kriza aktuale shëndetësore, këto masa do të ndihmojnë në ruajtjen e vendeve të punës e dhe do të bëjnë të mundur që ekonomia ta marrë veten më shpejt pas kësaj periudhe të trazuar”, tha Vukceviç për BIRN.

Në Shqipëri, lutjet bien në vesh të shurdhët

Lokale të mbyllura në Shqipëri.

Me venitjen e shpresave se sezoni i verës mund të shpëtohet, operatorët e turizmit në Shqipëri i kanë bërë thirrje qeverisë t’i falë taksat dhe t’i sigurojë qasje në kredi me interesa të ulëta. Por ata deri më tani kjo nuk është pranuar.

Gjatë viteve të fundit, turizmi është bërë shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare, me numrin e vizitorëve të huaj që arriti në rreth 6.4 milionë në vitin 2019. Sektori vlerësohet të përbëjë afërsisht 12 për qind të PBB-së.

Ky nuk është rasti këtë vit, duke pasur parasysh përpjekjet e qeverisë për të ndaluar përhapjen e COVID-19 – mbylljen e kufijve, restoranteve dhe kafeneve.

Shoqata e Operatorëve Turistikë dhe Agjencive Turistike i bëri thirrje qeverisë që të pezullojë ose shtyjë disa taksa për një periudhë prej tre deri në gjashtë muaj, por qeveria ka premtuar vetëm një program mbështetje të kufizuar për disa sipërmarrje të vogla.

Bizneset kanë të drejtë nëse funksionimi i tyre është penguar nga kufizimet e vendosura nga qeveria. Operatorët turistikë nuk janë në mesin e tyre, pasi atyre u lejohet të punojnë, pavarësisht se kufijtë janë të mbyllur.

Kliton Gerxhani, nënkryetari i shoqatës, tha se dështimi për të mbështetur operatorët turistikë shpërfillte kontributin e gjerë të sektorit në ekonomi dhe popullsinë në përgjithësi.

“Paratë që turistët shpenzojnë në hotele dhe restorante u kalohen punonjësve, peshkatarëve, fermerëve dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve”, tha Gerxhani.

“Problemi është se turizmi është sektori i parë që është goditur nga pandemia COVID-19 dhe ndoshta i fundit që do të rikuperohet sepse udhëtimet dhe pushimet do të vijnë me siguri pas nevojës së popullsisë për ushqim dhe siguri në një kohë krize.”(Birn)