Sekretariati i Energjisë, çështje kundër Shqipërisë për infrastrukturën, s’ka ndërlidhje me fqinjët

709
Sigal

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka hapur së fundmi një çështje kundër tre shteteve për pika të caktuara që nuk kanë respektuar në rregulloren 347 të vitit 2013. Mes tre vendeve është edhe Shqipëria, ndaj së cilës është tërhequr vëmendja, pasi nuk ka hartuar kuadrin e nevojshëm që përcakton ndërlidhjen infrastrukturore me fqinjët në sektorin e energjisë, gazit dhe naftës. “Kjo rregullore, që në fakt pritet që të kalojë si vendim, përcakton procedurat e përzgjedhjes së projekteve, kriteret që përdoren në këtë proces, si dhe një institucion që koordinon gjithë këtë aspekt. Afati i fundit që duhet të ishte bërë kjo ishte 1 janari 2017, por për arsye të ndryshme, kjo nuk ka qenë e mundur, pasi zhvillimet kanë qenë dinamike. Ne kemi hartuar vendimin e Këshillit të Ministrave që përcakton pikërisht këto aspekte që nënvizon sekretariati në çështjen e hapur ndaj Shqipërisë. Ky dokument është në fazën përfundimtare dhe i koordinuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe të Financës, por ka pasur disa komente dhe po rakordohet. Mendohet se me disa takime të cilat janë intensifikuar së fundmi edhe si rezultat i kësaj çështje, vendimi të kalojë shpejt por aktualisht vëmendja ka qenë te formulimi dhe detajimi i termave të karakterit teknik” thanë burime pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ‘Monitor’. Të njëjtat burime konfirmuan se dëgjimorja e parë e parashikuar më 26 shtator do të ketë një ballafaqim të palëve ku Shqipëria do të prezantojë argumentet e saj se pse ka qenë i pamundur plotësimi i pikës mbi infrastrukturën që sanksionohet në kërkesën e Sekretariatit. Kjo çështje nuk pritet të ketë pasoja domethënëse negative për Shqipërinë sipas autoriteteve, duke qenë se argumentet që po përgatiten parashtrojnë arsyet kyçe të pamundësisë për të adoptuar kuadrin ligjor, rregullator dhe administrativ sipas përcaktimeve të rregullores. Shqipëria nuk është e vetmja mes vendeve që kanë të hapur një çështje së fundmi. Edhe Bosnjë-Hercegovinës i është kërkuar të japë llogari për pjesën që lidhet me rregulloren e BE për pikën e mjedisit kurse Ukraina për pjesën e energjisë.