Sejko takim me homologun italian, bashkëpunim midis dy bankave

443
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një vizitë pune dyditore pranë Bankës së Italisë, në Romë, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh që ekziston midis dy bankave qendrore. Sipas njoftimit për shtyp të publikuar të premten në faqen zyrtare të BSH-se, gjatë qëndrimit në Itali, Guvernatori Sejko u prit nga Guvernatori i Bankës së Italisë, Ignazio Visco, si dhe zhvilloi takime të rëndësishme me drejtues të tjerë të këtij institucioni. Bisedat u përqendruan kryesisht në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, në ecurinë e sistemit bankar shqiptar, si dhe në zhvillimet më të fundit në Eurozonë.
Nga ana e tij, Guvernatori Sejko e çmoi si mjaft të rëndësishme përfshirjen e opinioneve të vendeve të rajonit në vendimmarrjet e Bankës Qendrore Evropiane, vendime të cilat kanë impakt të lartë në ekonomitë e rajonit dhe sistemet e tyre bankare. Guvernatori Sejko falënderoi Guvernatorin Visco për bashkëpunimin e suksesshëm midis dy institucioneve, e veçanërisht për asistencën e dhënë nga Banka e Italisë në projektet e përbashkëta të zhvilluara deri tani në fushat kryesore të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë, si: mbikëqyrja bankare, statistikat, sistemet e pagesave dhe politika monetare.